Antikrimi ndërkombëtar në ofensivë

Antikrimi ndërkombëtar në ofensivë

Nga SYRI.net - 22/10/2017

Antikrimi ndërkombëtar është hedhur në ofensive kundër krimit të organizuar rilindas. Informacioni i ardhur për Saimir Tahirin që të hënën e kaluar, shpërndarë rrufeshëm e njëkohësisht tek disa aktorë politikë e mediatikë përpara se ti dërgohej zyrtarisht prokurorisë shqiptare, tregon se antikrimi ndërkombëtar po vepron jo vetëm me mjete dhe institucione penale por edhe me ato diplomatike, politike e mediatike njëherazi e në koordinim.

Këto të fundit i kemi parë dhe/ose perceptuar në veprim thuajse një vit më parë e me intensitet në rritje. Që një vit më parë, fillimisht me sugjerime indirekte e më pas me kërkesa të drejtpërdrejta, të forta ndonëse konfidenciale, rezulton se është kërkuar largimi i Saimir Tahirit, kërkesë që u zbatua në shkurt 2017 nga Kryerilindësi. Që një vit më parë filloi sulmi mediatik ndërkombëtar ndaj “Shqipërisë kolumbiste e kanabiste” e që vijoi në rritje këtë vit.

Ofensiva frontale ndërkombëtare antikrim ndaj Shqipërisë nuk është thjeshtë për një Saimir, për një Ed, për një Habil a Balil, por ndaj një strukture të tërë kriminale shqiptare të pleksur me shtetin e të hiperfuqizuar për këtë shkak. Jo se krimi ynë po trondit botën, siç qahej Kryerilindësi disa javë më parë se gjoja kështu po thonë ndërkombëtarët edhe me një farë racizmi ndaj shqiptarëve, por se simbioza shtet-krim në Shqipëri, e jo vetëm tek ne, është modeli më i keq e për këtë duhet zhbërë edhe në Shqipëri edhe kudo gjetke nëse shfaqet.

Në çdo vend ka krim të organizuar që tenton të fuqizohet por lufta kundër tij e mban atë në një nivel të caktuar që konsiderohet i natyrshëm për atë vend. Çdo shtet duhet të përpiqet ta mbajë krimin e organizuar në këtë nivel, e kur çdo shtet arrin të bëjë, krimi i organizuar mbetet në nivel të natyrshëm edhe në shkallë globale.

Dobësia e një shteti është premisë për rritjen dhe fuqizimin e krimit të organizuar në atë vend përtej nivelit të natyrshëm. Edhe një shtet i dobët por vullnet mirë arrin ta mbajë nën fre krimin e organizuar të vendit të tij dhe, me ndihmën e nevojshme nga jashtë, herët a vonë, mund ta rikthejë situatën në favor.

Mpleksja e krimit me shtetin, bashkëveprimi dhe penetrimi reciprok krim-shtet, është habitati më i përshtatshëm për rritjen ekspotenciale të krimit të organizuar përtej nivelit natyror. Ky është një model i keq që sulmohet ndërkombëtarisht e pa mëshirë qoftë edhe kur shfaqet në një vend të vogël. Aq më shumë në një vend të vogël pasi zgjdhja është edhe më pak e koklavitur.

Për shkak të simbiozës shtet-krim, krimi i organizuar shqiptar tejkaloi me shumëfish nivelin ekzistencial në raport me përmasat e vendit tonë. Ky vlerësim është tashmë i gjithëpranuar ndërkombëtarisht.

Mbjelljet masive të kanabisit në verën 2016, vijuar me eksportet po aq masive më pas e përgjatë 2017-tës, bënë që antikrimi ndërkombëtar të kuptonte se e gjitha kjo nuk ishte një fenomen natyror rritjeje i krimit dhe/ose dobësi natyrore e një qeverie vullnet mirë por se kishin të bënin me një simbioze shtet-krim, një zhvillim i qëllimshëm politik.

Ndaj, që në verën 2016, Shqipëria u vu de facto nën moratorium të rreptë që vijoi me sulm në rritje me mjete penale, diplomatike, politike, mediatike duke marrë gradualisht trajtën e një sulmi frontal e të mirëkoordinuar, dora dorës mirëkuptimit të ndërkombëtarëve se ç’po ndodhte në të vërtetë në Shqipëri.

Deri në verën 2016, ndonëse opozita dhe një pjesë e opinionit publik e mediatik argumentonin rrezikshmërinë dhe bëmat e sistemit simbiozë Qeveri Rilindëse – Krim i Organizuar, ndërkombetarët vijuan ta konsiderojnë Rilindjen dhe qeverisjen e saj më shumë si sukses se si rrezik.

Ardhjen në pushtet në 2013-tën të Rilindjes edhe me fuqinë e krimit ndërkombëtarët e konsideruan ngjarje të tejkaluar – një mënyrë e keqe por në shërbim të rotacionit të pushtetit si një e mirë në vetvete; shtimin e prezencës së kriminelëve në politikë e shtet ndërkombëtarët e konsideruan një aksident me efekt të dobët dhe afatshkurtër e iu desh shumë kohë, rreth 2 vite, të sensibilizoheshin për të mbështetur opozitën në nismën dekriminalizuese; goditjen dhe shpartallimin policor të Lazaratit ndërkombëtarët e konsideruan si provë të mjaftueshme të fuqisë dhe vendosmërisë së Rilindjes për të goditur krimin e organizuar; reformën në drejtësi si të mjaftueshme për të arritur thuajse gjithçka kundër krimit dhe korrupsionit dhe qeverinë rilindëse si aleatin e vetëm të tyrin për këtë reforme ndaj fillimisht edhe i toleruan një farë influence të shtuar të saj në organet e reja të drejtësisë.

Ndërkombëtarët gabuan në të gjitha vlerësimet e mëparshme. Gabimi më i fundit i tyre ishte ai në zgjedhjet 2017 kur menduan se me paketën e bashkëqeverisjes një mujore Rilindje-Opozite do të pamundësonin blerjen masive të votave.

Tashmë kanë ndërruar edhe vlerësim, edhe taktikë. Të shtënat e tyre vrastare nuk janë më as tek-e-tek por breshëri. Saimir Tahiri duket veçse i pari në radhë. Me apo pa arrest, duket se ditë të zeza e presin atë dhe shume të tjerë. Opozita ndjehet e mbështetur e po iu shërben me hir ndërkombëtarëve të cilët, këtu në Shqipëri, gështenjat nga zjarri do t’i nxjerrin me duar tona.

Edhe me duart e Rilindjes në zbythje e tkurrje, që po detyrohet me pahir t’iu shërbejë ndërkombëtarëve deri ditën e paracaktuar të ikjes së saj një herë e përgjithmonë nga pushteti si një model i keq i qeverisjes së kriminalizuar, model që duhet e do të shkatërrohet pa mëshirë e përfundimisht.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Emigranti23/10/2017 09:18

Po degjoj ramen live i neveritshem mbrojtes i krimit thot spo bej avokatin po ne fakt po e ben po intimidon prokurorin kriminel fundin te tmershem do ta kesh ca boni o popull ne shtepi pini kafe mos protesto lerini do ju drogojme edhe me flini

Kadri Bajraktari23/10/2017 04:35

Vetem nese fillohet me burgosjen ë Kryeministrave te implikuar te ketij vendi me mbi 15 vite Burg atehere do.nise largimi i krimit nga politika ne Shqiperi!

liti22/10/2017 23:31

Nese nuk shpartallohet tani kjo bande qeveritare kriminale qe nga themeli atehere shqiperine e mori lumi pergjgjithmone!

Shto koment

Denonco