Çështja Tahiri është shumë e thjeshtë: Lëreni drejtësinë të vendosë!

Çështja Tahiri është shumë e thjeshtë: Lëreni drejtësinë të vendosë!

Nga Kastriot Islami - 21/10/2017

Tahiri është edhe sipas bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë, minimalisht është cilësuar si një “dru i shtrembër”, përfundim që lidhet mesa duket me marrëdhëniet e tij të dyshuara me Habilajt, një pjesë e të cilëve janë arrestuar nga autoritetet italiane si dhe “veprimet apo mosveprimet” e ish-ministrit të Brendshëm lidhur me kultivimin e trafikimin e drogës. Të gjitha këto janë formuluar si “dyshime të arsyeshme” nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, vërtetësinë e të cilave do ta përcaktojë vetëm Gjykata dhe askush tjetër. Madje edhe gjykimin e vetë Tahirit se ai ka kryer vetëm “gabime morale” apo më shumë se kaq e ka të drejtë vetëm Gjykata ta vendosë. Nëse Prokuroria nuk ka “prova dhe fakte” për të mbështetur “dyshimet e arsyeshme” kjo është një rrethanë favorizuese për të “akuzuarin” kur çështja do të ballafaqohet vetëm pas 48 orëve në Gjykatë. Sepse Tahirin as mund ta arrestojë, as ta burgosë, aa ta lirojë, as ta nxjerrë të pafajshëm, as Rama, as maxhoranca, as opozita, dhe askush tjetër, veçse Gjykata.

Mund të ketë disa të “vërteta” të Tahirit, të Ramës, të maxhorancës dhe të opozitës, por në një shtet të së drejtës e “vërteta “absolute” përcaktohet vetëm me vendim të Gjykatës” dhe pas kësaj të tjerët duhet të heshtin, ose më saktë duhet ta pranojnë si e “vërteta absolute” pavarësisht se mund të kenë komentet e tyre. E thënë me shkurt e shkoqur” Politika, më saktë parlamenti, nuk ka asnjë tagër të gjykojë “dyshimet e arsyeshme” aq më pak ti hedhë poshtë siç nuk ka asnjë tagër të japë dënim mbi bazën e tyre. Këtë të drejtë e ka vetëm dhe vetëm gjykata.

Për individët me imunitet, deputetët, ministrat, e tjerë, ndaj të cilëve organi kompetent ka “dyshime të arsyeshme” janë bërë ndryshimet kushtetuese të tilla që e sjellin individin me imunitet, për çështje të korrupsionit dhe të implikuar në afera serioze(trafiqe, bashkëpunim në aktivitete kriminale, abuzim me detyrën që çon në korrupsion, e tjerë), në kushte trajtimi me individët te zakonshëm ndaj të cilit prokuroria që ka kryer hetime dhe ka arritur të formulojë “dyshime të arsyeshme”, vepron menjëherë, madje deri në arrest, dhe vendimin përfundimtar për masën e sigurisë(arrest, arrest në shtëpi, e tjerë) e merr gjykata brenda 48 orësh.

Ky ka qenë thelbi i ndryshimeve kushtetuese që në publik njihen thjeshtë si “heqje e imunitetit” të personave të rëndësishëm VIP. Madje kur është diskutuar kjo çështje qëndrimi i partnerëve perëndimorë, që asistojnë Ministrinë e Drejtësisë, ka qenë për heqjen e plotë të mbrojtjes/imunitetit ndaj personave të rëndësishëm VIP (deputetë, ministra, e tjerë) nëse ata akuzohen për “korrupsioni, terrorizëm, implikim në veprimtari të krimit të organizuar”, në kuptimin që edhe personat VIP mund të arrestoheshin nga prokuroria si personat e zakonshëm. Dhe kjo kërkesë lidhej pikërisht me “abuzimin” që mund të ndodhte, sic po ndodh aktualisht, me “gjykimin dhe vendimin” politik të parlamentit në favor apo kundër kërkesës së prokurorisë në varësi të interesave politike të maxhorancës.

E thënë më shkoqur: Parlamentit i është lënë vetëm e drejta ti “hapë rrugën drejtësisë” ndërkohë që “dyshimet e arsyeshme” të Prokurorisë do të ballafaqohen vetëm në Gjykatë, duke i lënë vendimin përfundimtar vetëm Gjykatës, në kuptimin që Kuvendi nuk ka dhe nuk duhet te ketë asnjë tagër për të penguar këtë proces mes Prokurorisë dhe Gjykatës.

Ky është standardi europian dhe perëndimor për një shtet ligjor, që është anëtar i NATO dhe kërkon të hapë negociatat për anëtarësim në BE. Respektimi i këtij standardi është kriteri minimal për fillimin e zbatimit të reformës në drejtësi. Çdo devijim nga ky standard do të ishte me pasoja apo më saktë një pengesë e re për të ardhmen e procesit të anëtarësimit në BE. Sigurisht në perspektivën afatshkurtër, për interesa të ngushta politike, anashkalimi i këtij standardi mund të dukej me përfitime, por në afatmesëm e afatgjatë, me siguri që kjo shkelje e standardit perëndimor do të kthehej në një bumerang edhe për këto interesa. Dhe që nga ky moment partnerët e rëndësishëm do të ngrinin shumë pikëpyetje për vullnetin e klasës politike për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, trafiqet, e tjerë dhe për të zbatuar një reformë drejtësie të standardeve perëndimore.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Andi dhe Xeni22/10/2017 12:19

Cila Gjykate Z.Islami? E plepave te Durresit? E Berishes apo e Metes? Njeriu duhet tu permbahet disa ligjeve per veten e tij dhe per te tjeret!

krasasi tp21/10/2017 13:47

z.Islami.dajua ne trditen shqiptare, te pakten ne Jug , ne dasmen e nipit , ve perpara dashin e kopese.Ca nga gezimi e ca per tu duk.z.Tahiri duhet te vihet para si kurban per ti hedhur hi syve, qytetareve dhe nderkombetareve se e filluat vete dhe nga vetja pastrimin e politikes.Ne planin njerezor me vjen keq per z.Tahiri, por nuk kam as njofje dhe as interesa ta mbroj.Mblidhni parlamentin dhe ne kuader te Reformes ne Drejtesi bejeni edhe nji ndryshim tjeter,ate qe as nje komision mandatesh mos te meret me dhenije vistosh apo mbrojtje deputetesh .Ose prisni vetingun ne sistemin e drejtesise, Mbi dosjet qe Kryeprokuroret flene per 20 e kusur vjete , ti hapin nderkombetaret , pas daljes se popullit ne rruge.Ose ju vini nje kapak te florinjte te gjithave dhe heshtni.2,5% e popullsise konsumon kokaine dhe mbakemi vendin e pare ne bote, nderkohe qe kusuri kane te ardhurat me te ulta ne Europe, pensione skandaloze,papunesi ,dhe largime masive nga vendi.

Shto koment

Denonco