Zgjedhjet në Austri, fitore historike e së djathtës…

Zgjedhjet në Austri, fitore historike e së djathtës…

Nga Kastriot Islami - 16/10/2017

Austria do të ketë kancelarin më të ri në historinë e saj. Madje ish-ministri i Jashtëm, Sebastian Kurz, në moshën 31 vjeç, do të jetë kryeministri më i ri në të gjithë Europën. Por ajo që ka tërhequr vëmendjen më shumë lidhet me faktin se Partia Konservatore e drejtuar nga Kurz se bashku me partinë e ekstremit të djathtë të drejtuar nga Strache kanë mundur të fitojnë rreth 57 për qind të votave në shkallë kombëtare. Pra e djathta, konservatore dhe populiste (siç e etiketojnë mediat austriake e europiane) ka mundur të shpallet fituese e qartë e zgjedhjeve 2017 në Austri. Dhe të dyja partitë kanë mundur të rriten së bashku me mbi 12 përqind krahasuar me 2013, duke vendosur në ballë të fushatës elektorale cështjen e emigracionit dhe të fesë. Ata, edhe konservatorët edhe populistët, kanë mundur të prekin fuqimisht ndjesitë e votuesve austriakë, të cilët, të gjithë, kanë reaguar ndaj pasigurisë ndaj së ardhmes. Ndoshta irracionalisht, por reagimi i tyre ka qënë vendimtar për rezulatin zgjedhor. 

Frika ndaj emigrantëve…
  
Austria është një vend stabël dhe me një ekonomi që rritet. Madje Austria është një vend që ka qënë i hapur ndaj emigrantëve, duke pranuar gjatë dy vjetëve të fundit rreth 90 mijë emigrantë, gati 1 përqind e popullsisë së saj, numër i konsiderueshëm po të kemi parasysh dimensionin e Austrisë. Por votuesit austriakë kanë përshtypjen se pranimi i emigrantëve nuk është një operacion uin-uin, por vetëm emigrantët përfitojnë. Ndonëse rritja ekonomike është e lartë, papunësia e ulët, austriakët kanë përshtypjen se “janë të trajtuar më keq se emigrantët…”. Shumë votues do të shpreheshin gjatë fushatës se “...ne austriakët punojmë shumë, paguajmë shumë taksa dhe kjo nuk shkon për fëmijtë tanë, por për emigrantët…” Votues të partisë së ekstremit të djathtë, shkojnë edhe më larg, ata mendojnë se rritja kaq e madhe e numrit të emigrantëve mund të çojë në shpërthimin e trazirave sociale. Të dy partitë fituese kanë mundur të fitojnë mbështetjen e votuesve austriakë duke prekur në ndjesinë e austriakëve se “Austria është në rrezik...” nëse vazhdon të rritet numri i emigrantëve…

Frika nga ulja e sigurisë…

Numri i madh i emigrantëve dhe sjellja e disa prej tyre ndryshe për shkak të diferencave kulturore ka bërë që austriakët të kenë përceptimin se siguria është ulur ndjeshëm. Shumë austriakë, veçanërisht femra, shprehen se nuk janë të sigurta të lëvizin vetëm gjatë orëve të natës. Sulmet nga femrave gjatë orëve të natës në disa qytete kryesore kanë qënë momente që kanë luajtur rol të konsiderueshëm në sjelljen e votuesve të lëkundur.  Konkretisht, edhe për këtë arsye të lidhur me sigurinë, të cilën dy partitë e djathta e kanë pasur po ashtu në qëndër të fushatës së tyre elektorale, ka ndodhur rritja elektorale e këtyrë partive së bashku me 12 përqind, duke çuar në daljen nga parlamenti të ekologistëve që në 2013 kishin fituar 12,7 përqind të votave.

Frika nga cënimi i identitetit kombëtar…

Edhe partia konservatore e kancelarit 31-vjeçar Kurz edhe ajo populiste, duke vënë në qendër të fushatës së tyre emigracionin kanë prekur mbi të gjitha edhe ndjenjën e frikës së cënimit të identitetit autriak. Natyrisht kjo është një lloj frike irracionale, por fuqimisht prezente tek të gjithë austriakët, jo vetëm ata konservatorë. Një analiste do të shpjegonte se ”… emigrantët  që vijnë në Austria janë përfaqësues të klasë së mesme në vendet e tyre. Ata mësojnë shumë shpejt gjermanishtet. Dhe me traditat e tyre tentojnë të ndryshojnë kulturën mijëvjeçare austriake, pra identitetin austriak…”. Dhe sapo trajtohet tema e integrimit të emigrantëve, del në pah edhe çështja e fesë, e cila ka qënë po ashtu në qendër të fushatës së dy drejtuesve të partive të djathta dhe për të cilën austriakët janë po ashtu të ndjeshëm. 

Partia e ekstremit të djathtë me shumë gjasa do të jetë në pushtet…
 

Analistët e shumtë parashikojnë që kancelar i Austrisë do të jetë Sebastian Kurz. Nga ana tjetër Kurz ka deklaruar se nuk do të qeverisë si deritani me një “koalicion të madh” mes konservatorëve dhe social-demokratëve. Gjasat janë që maxhoranca qeverisëse të jetë mes konservatorëve dhe populistëve. Sigurisht kjo është një dukuri që nuk çudit më në Europë po të kemi parasysh çfarë ka ndodhur edhe në vëndet e tjera europiane, ndonëse dimensioni i rritjes së partive të ekstremit të djathtë në vend të tjera europiane nuk është në nivelin që ato të kthehen në parti qeverisëse. Kjo dukuri mishëron gjithashtu edhe një komponente anti-establishment të sjelljes së votuesve. 

Shkruar për SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco