Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Urgjente, ndëshkim kupolës politike e goditje lidhjeve me klanet mafioze

Urgjente, ndëshkim kupolës politike e goditje lidhjeve me klanet mafioze

Nga Kastriot Islami - 13/10/2017

Nuk ka më asnjë dyshim që lidhjet e kupolës së lartë politike me krimin janë të ngushta dhe mesa duket të pazgjidhshme. Situata është aktualisht paradoksale, sepse drejtuesit e lartë të shtetit s’mund të ballafaqohen me klanet mafioze për shkak të lidhjeve të fuqishme që kanë me to. Ka vetëm një rrugë për të dalë nga ky rreth vicioz: të goditet urgjentisht e fuqimisht, për jetë a vdekje, ky mekanizëm politiko-kriminal; nesër do të jetë shumë vonë kur krimi do të zbatojë vendimet e marra vetëm nga kupola e tij kriminalo-politike.

Deklarata për klanet mafioze, e vonuar dhe e pamjaftueshme…

Deklarata e ambasadorit amerikan për “4 klanet dhe 20 familjet mafioze” ka pasur impakt të konsiderueshëm. Tri kanë qenë perceptimet kryesore : a) ajo ka qenë një mesazh i fortë dhe i qartë për qeverinë e publikun; b) ajo s’ka qenë e re për publikun madje ka qenë e vonuar nga përfaqësuesi i SHBA; dhe c) ajo duhet të pasohet nga deklarime të tjera për të goditur kupolën politike të lidhur me klanet mafioze. Ndonëse e dëgjuar edhe më parë, ajo është perceptuar e fortë sepse është artikuluar nga një përfaqësues i rëndësishëm i SHBA që me siguri prej shumë kohësh zotëron informacionet e duhura dhe për rrjedhojë e ka të qartë situatën e korrupsionit, të krimit, e të narkotrafiqeve si dhe të lidhjeve të tyre të fuqishme me kupolën politike e të ndikimeve të tyre në zgjedhje e qeverisjen e vendit. Deklarata s’ka qenë e re për shqiptarët madje ajo konsiderohet prej tyre e vonuar sepse kjo deklaratë së paku duhet të ishte bërë para zgjedhjeve për të frenuar pjesëmarrjen e klaneve mafioze në tjetërsimin e votës në favor të kupolës politike aq më tepër që kjo ishte edhe një nga arsyet kryesore përse opozita refuzonte të futej në zgjedhje. Kjo deklaratë do të rezultojë e pamjaftueshme e jo-efikase nëse s’do të pasohej nga deklarime të tjera për lidhjet e fuqishme të klaneve mafioze me kupolën politike si dhe për emrat konkretë të individëve të kupolës politike që drejtojnë vendin me pushtetin e fituar përmes lidhjeve të tyre me krimin, korrupsionin, narkotrafiqet, duke bashkëndarë me tatë gjithë fitimet e majme, pastruar e fshehur paratë e pista në llogari off shore në parajsat fiskale.

Klanet mafioze ishin aktive në blerjen e votave dhe kërcënimin e votuesve…

Shqetësimin që ka ngritur me të drejtë ambasadori amerikan e kam analizuar në shkurt të vitit 2017, pra disa muaj para zgjedhjeve, kur opozita artikulonte tezën se “me Ramën kryeministër s’mund të ketë dhe s’do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme…”.25 qershori 2017 ishte prova e qartë e drejtësisë së kësaj teze duke treguar njëkohësisht dështimin e marrëveshjes së imponuar të18 majit. Klanet mafioze për të cilat flet sot ambasadori Lu ekzistojnë që nga 2013 dhe do të jetë e pamundur të goditen e eliminohen nga ky shtet për shkak të lidhjeve të tyre të fuqishme me kupolën qeverisëse aktuale, me shtetin e korruptuar e oligarkik sepse për më tepër ata së bashku kontrollojnë bizneset, median, shoqërinë civile, “vrasin” çdo mendim opozitar duke dobësuar e goditur çdo mendim alternativ dhe po së bashku manipuluan zgjedhjet e fundit. Klanet mafioze të cilat stigmatizon me shumë të drejtë ambasadori Lu kanë qenë shumë aktive gjatë zgjedhjeve duke qenë aktorët kryesorë të shit-blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve, duke ndihmuar kupolën politike klienteliste të manipulojë zgjedhjet e të sigurojë e vetme maxhorancën dhe drejtimin e vendit. Klanet mafioze për të cilat me të drejtë ngre shqetësimin madhor ambasadori amerikan s’mund të eliminohen as nga policia e implikuar rëndshëm në narkotrafiqet dhe as nga kupola qeverisëse e cila i ka përdorur ato për të mbajtur pushtetin. Në nivelin që ka arritur lidhja mes krimit e shtetit, mes klaneve mafioze e kupolës qeverisëse, mes qeverisë dhe bandave mafioze, suksesi në evidentimin dhe goditjen e klaneve mafioze do të kalonte vetëm përmes bërjes transparente për publikun të lidhjeve shtet-mafia dhe të goditjes fillimisht të kupolës qeverisëse mafioze dhe të drejtuesve të saj kryesorë. Sepse shteti aktual i lidhur ngushtësisht me mafien e njëkohësisht i frikësuar prej saj është shumë i dobët përballë saj dhe e ka të pamundur të ndeshet me të.

Nga krimi i organizuar te klanet mafioze…

Para 2013 s’do të mund të flitej për ekzistencë të mafies së vërtetë në Shqipëri sepse në realitet mafia e vërtetë s’ka ekzistuar në kuptimin e një organizimi tipik që eventualisht mund të ishte në luftë me shtetin nëse ai do tentonte ta pengonte të ekzistonte apo ta godiste për ta eliminuar atë. Në Shqipëri gjatë 25 vjetëve të fundit, ka pasur përfaqësues të interesave të korrupsionit, të krimit të organizuar, të trafiqeve por ata gjithnjë kanë tentuar të mos e prishin me politikën, shtetin e qeverisjen duke qenë herë të sulmuara, herë të lëna të lira nga paaftësia e ndoshta herë në bashkëpunim segmentuar me individë të caktuar, por asnjëherë s’kanë qenë të organizuara institucionalisht në formën e klaneve tipike të një mafie të vërtetë, me rregullat, organizimin dhe kupolën e tyre. Ambasadori për herë të parë bëri të qartë se klanet mafioze në Shqipëri ekzistojnë, për rrjedhojë pritet reagimi i qeverisë për të parë nëse janë jashtë kontrollit të qeverisë apo janë të gatshme të përballen me qeverinë që duhet ti shpallë luftë apo janë në bashkëpunim apo pengmarrje reciproke.

Lidhja e krimit me kupolën politike …

Në Shqipëri, pas 2013, kur individët me rekorde kriminale e trafikantët veshën kostum politik dhe qeverisja rezervoi poste kyçe për përfaqësuesit e tyre në parlament dhe në administratën publike, u krijuan kushtet për lindjen e mafias së vërtetë, jo thjesht e vetëm në lidhje varësie nga kupola politike por edhe për tu ballafaquar me të nëse qeveria nuk do ti plotësonte kërkesat e saj. Ndonëse tentuan në fazën e parë, 2013-2015, shumë individë me rekorde kriminale s’arritën të organizohen në formën e një mafie të vërtetë, të pavarur nga politika dhe të drejtuar nga kupola e vet. Lidhja e tyre me kupolën politike është e fuqishme, fillimisht një lidhje e dobët që më vonë do të shndërrohej në një pengmarrjeje reciproke, bashkëpunimi por edhe konfliktesh. Ata pritën momentin e përshtatshëm, për shkak të nevojës që kupola do të kishte për të fituar me çdo kusht e mjet zgjedhjet e 2017, të organizoheshin e të ngrinin sistemin e klaneve mafioze të fuqishme e të forconin lidhjet politike me kupolën politike vendore, që më vonë do ta detyronin edhe kupolën politike qendrore ti plotësonte kërkesat e saj përndryshe do ti shpallnin luftë. Drejtësia e reformuar duket për momentin e pamundur për të penguar veprimin e këtyre klaneve mafioze sepse deri tani kupola politike jo vetëm i mbron klanet mafioze por edhe ka paralizuar drejtësinë dhe po tenton ta vendosë nën kontroll atë për të mbrojtur vetveten dhe klanet mafioze.

Kanabisi e narkotrafiqet me mbështetjen e kupolës politike forcuan territorialisht klanet mafioze

Kultivimi i kanabisit i dha të gjithë klaneve mafioze mundësinë e kapjes së “juridiksionit territorial” (zonat e kultivimit të kanabisit) përveç “juridiksionit lëndor” (individët dhe paratë e pista nga korrupsioni e krimi i organizuar) të cilin e zotëronin në bashkëveprim me kupolën qeverisëse prej kohësh. E thënë më thjesht, me zotërimin e “juridiksionit territorial” ata do të organizoheshin si mafie e vërtetë në territoret e tyre, duke patur “minirepublikat” e tyre ku mund të kontrollonin edhe kultivimin e kanabisit, edhe trafiqet, edhe krimin e organizuar dhe paratë e korrupsionit; dhe prej ku do të forconin edhe marrëdhëniet e pengmarrjes reciproke me kupolën politike vendore. Kjo është arsyeja përse ambasadori flet për 4 klane mafioze (ndryshe për 4 rajone) rreth të cilave veprojnë 20 familje( ndryshe për 20 rrethe), natyrisht nga emrat e përmendur nga ambasadori kuptohen edhe rajonet/rrethet apo më saktë përkatësitë e tyre territoriale.

Pjesëmarrja e klaneve mafioze në zgjedhjet 2017 forcoi pozitat e tyre…

Klanet mafioze prisnin zgjedhjet e 2017 dhe vepruan sipas porosisë së kupolës politike për tjetërsimin e votës duke bërë të mundur jetësimin e projektit të tyre. Një pjesë e tyre iu futën politikës duke u futur vetë në listat e deputetëve, kurse një pjesë tjetër forcoi lidhjet me politikën duke ja lënë vendin fëmijëve apo të afërmve të tyre Në këtë mënyrë, edhe për shkak të mungesës së një reagimi të fuqishëm e masiv qytetar a veprim të qartë ndërkombëtar, klaneve mafioze iu hap rruga drejt formësimit të mafias së vërtetë. Veprimet e tyre kupola politike u përpoq ti maskonte maksimalisht duke mos i mbajtur shumë pranë vetes për t’ju paraqitur e“pastër” ndërkombëtarëve.

Urgjente, goditja e mekanizmit politiko-mafioz…

Kupola politike që drejton vendin është e lidhur fuqimisht me klanet mafioze prandaj ajo s’mund ti luftojë dhe eliminojë ato. Për rrjedhojë është e domosdoshme të goditet kupola politike që mbron këto klane mafioze, përndryshe situata do të përkeqësohet e rëndohet. Njëkohësisht duhet të shpërbëhen lidhjet e fuqishme të kësaj mafie me kupolën e drejtimit të vendit, në të kundërt klanet mafioze do të fuqizoheshin ekstremisht duke sfiduar edhe vetë shtetin i cili do të ishte çdo ditë e më i dobët dhe gjithnjë e më i inkriminuar. Nëse i gjithë mekanizmi mafioz i lidhur me kupolën qeverisë se s’do të goditet për vdekje tani, veprimet e ardhshme të kësaj mafieje do të përcaktoheshin nga vendimet e kupolës së saj edhe s’do të ishte e largët dita kur kjo mafie do të luftonte kundër shtetit nëse ajo do të ndjente se shteti i vënë nën presion ndërkombëtar do të vepronte kundër tyre. Ata më konkretisht, siç ka ndodhur në vende të tjera të cilat para shumë vjetësh kanë pasur të njëjtën situatë mafioze, do të fillonin të vepronin kundër policëve, prokurorëve, gjykatësve deri edhe kundër politikanëve të ndershëm, biznesmenëve apo gazetarëve që do të cenonin eventualisht veprimtarinë dhe ekzistencën e tyre. Madje drejtuesit e klaneve apo “mini-republikave mafioze të krimit, të korrupsionit dhe kanabisit”, s’do të ishte aspak çudi që pasi të kenë siguruar pozicionet e tyre politike në parlament të bashkoheshin me njëri tjetrin për të siguruar “masën kritike” kontrolluese për të diktuar/influencuar formimin e qeverisë si dhe emrat e ministrave deri edhe vetë emrin e kryeministrit.

Ata gjithashtu do të kishin si objektiv edhe vendosjen nën kontroll të sistemit gjyqësor. Situata është aktualisht paradoksale, sepse shteti s’mund të ballafaqohet me klanet mafioze për shkak të lidhjeve të fuqishme që ka me to. Dalja nga ky rreth vicioz do të mundësohej vetëm i) duke shpërbërë lidhjen krim-shtet, dhe ii) duke i dhënë fillimisht një goditje për jetë a vdekje kupolës drejtuese të vendit. Në këtë betejë roli i ndërkombëtarëve është i rëndësishëm, për të bërë publike lidhjet e klaneve mafioze me kupolën politike dhe stigmatizmin me emra konkretë të kupolës politike mafioze. Prandaj pas deklaratës së fortë shqiptarët presin qëndrimin realist e të “fortë” që bën publike lidhjet e klaneve mafioze me kupolën politike dhe emrat konkretë të personave të kupolës politike të implikuar. Kjo do ta bënte të plotë mesazhin e ambasadorit amerikan.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco