Trishtimi i zonjës Wolfl me Edi Ramën

Trishtimi i zonjës Wolfl me Edi Ramën

Nga Edi Lesi - 11/10/2017

Duke qenë një intervistë me shkrim, pra pa video, ajo e “Der Standard” me Edi Ramën, na mbetet veçse ta përfytyrojmë se si gazetarja Adelheid Wolfl, një njohëse e mirë e Ballkanit, hepohet nga karrigia, përtypet, bën një hap pas, mbledh veten, hidhet sërish, dhe pyet. Ajo ngjan se insiston në një pikë; nëse kishte debat brenda Partisë Socialiste për emërimin e Rucit në krye të Kuvendit.

Në vend të përgjigjes merr nga Rama një habi përzier me përcmim për këtë lloj ngacmimi.

Ajo insiston nëse PS bëri një hetim të sajin, a kishte dikush një kontestim, a bëri dikush një llogari, një analizë, brenda kësaj force politike, për faktin se dikush me bagazhe të rënda nga e kaluara komuniste e me barrë të madhe në ngjarjet e 2 prillit në Shkodër, po vendosej pas 27 vitesh demokraci në majën e institucionit më të rëndësishëm kushtetues të vendit.

Në vend të përgjigjes, Rama shtëmënget pak, dhe përsëdyt habinë përzier me përcmim.

Intervista mund të kishte vazhduar kësisoj;

Ajo: A mendon kush ndryshe në Partinë Socialiste?

Ai: Jo!

Ajo: A ka debat në Partinë Socialiste?

Ai: Jo!

Ajo: A ka ndonjë shkëndijë, ndonjë qëndrim pakëz të pangjashëm me tuajin në parti?

Ai: Jo!

Ajo: A mendon njeri në partinë tuaj?

Ai: Ska nevojë!

Nuk ka pra. Në atë parti mendojnë të gjithë njësoj, produkt i një matrice të rreptë, që nuk lejon debat, hetim, analizë, asgjë prej gjëje, që shkon përkundër linjës së alone-timonierit.

Ajo është një trupë amorfe, pa asnjë pore nga mund të hyjnë erëra diversiteti.

Nëse dikush po bën sot rolin e një farë qortonjësi, që predikon moral e flet për popullin, duhet ti kërkojmë motivet e tij gjetkë, vetëm në faktin se është karrige-rrëzuar.

Ecën karvani përpara. Tani që janë përcjellë edhe aleatët, nuk ka më asnjë ngjyrë laramane, sado e përhime.

Do zhgënjehet edhe dikush që kishte shpresë se do shpërthente një grimcë disidencë në gjykatë, ku është banda e partisë, dhe banda e partisë gjendet atje për shkak të ambasadorit amerikan.

Edhe në gjykatë pra, megjithëse në kushte jo të favorshme, ndoshta me pakënaqësi legjitime, sërish banda shfaqet me të njëtin mendim me partinë.

Njësoj mendon dhe udhëheqësi historik në ekzil, të cilit i njihet merita se solli një pranverë lirie në atë parti dikur, që vazhdonte mbante deri vonë ndezur një turbinë kriticizmi, por tashmë ai gjen vend për parkim sa herë shfaqet dhe nuk konteston më.

Blushi divers u lëçit si diversant.

Kjo është gjendja.

Ndaj Rama habitet me të drejtë me trishtimin e zonjës Wolfl.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

d11/10/2017 15:49

Meqe kryeministrin e kemi edhe piktor qe duhet te merakoset edhe per "estetiken" e parlamentit tmeresisht demokratik shqiptar, si nuk i ka vajtur ne mendje qe vec te moshuarve, kroniken e punimeve te ketij parlamenti e ndjekin dashur pa dashur edhe femijte bashke me prinderit e tyre . Te me ndjeje i nderuari ish minister i sigurimit te diktatures, shoku Ruci, po me ate portretin e tij do ti lere pa gjume femijte shqiptare.
A nuk do te ishte me mire qe t'ju a ndronte rolet Rucit me Xhafen ? Se paku ky i dyti, ndonese ka bere edhe ai ca prapesira si hetues i sigurimit, ashtu kokbardhe do te dukej ku e ku me pak i frikshem per femijte se Gramozi.

Shto koment

Denonco