Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Narcos-Xibraka, Olsi Rama në krye të bandës?

Qendra e botës, Çorumi i Turqisë, pritet të vizitohet nga 500 mijë turistë

Qendra e botës, Çorumi i Turqisë, pritet të vizitohet nga 500 mijë turistë

14:56, 20/06/2017
A+ Aa A-

Provinca e Çorumit në Turqi, në të cilën gjendet kryeqyteti i perandorisë antike të hititëve, Hattusha, dhe shumë shtëpi historike, mijëra monumente dhe objekte fetare, përfshirë edhe vendin arkeologjik Alacahoyuk, synon që me përfundimin e punimeve mbi infrastrukturën dhe promovimin e vendit, të arrijë të presë rreth 500 mijë turistë në vit.

Çorumi, një nga qendrat e rëndësishme turistike të Turqisë e cila dallohet për nga bukuritë historike dhe kulturore, është vendi i trashëgimisë kulturore të civilizimeve të para të Anadollit, Hatti dhe Hitit.

Motori më i madh i kërkimit në botë, Google, ka përcaktuar qytetin Çorum si qendrën gjeografike të botës. Çorum, i cili ka qenë deri më tani nga matjet teorike si qendra e botës, tashmë është përcaktuar edhe nga Google Maps si i tillë.

Andrew J. Woods në disa matje në vitin 1973 kishte përcaktuar si qendrën gjeografike të tokës, një zonë rreth 150 kilometra në juglindje të kryeqytetit të Turqisë, Ankara. Ndërsa në vitin 2003 Holger Isenberg duke bërë matje me modelin dixhital global, kishte pohuar se qendra gjeografike e botës është Çorumi. 

Ndërkohë më herët kanë ekzistuar teori se qendra gjeografike e tokës është zona ku janë edhe piramidat e Egjiptit.

Kryeqyteti i hititëve Hattusha që gjendet në rajonin Bogazkale të Çorumit është në mesin e vendeve të vlefshme që ia vlen të vizitohen, me muret prej gjashtë kilometrash që rrethojnë qytetin antik, portat monumentale, nënkalimet e gjata 71 metra, pallati në Buyukkale, 31 tempuj të zbuluar deri më tani, siloset shumë të mëdha të drithit dhe Tempulli i Hapur Yazilikaya.

Më 28 nëntor të vitit 1986, Hattusha është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, për arsye se vendi përfaqëson një sukses të pashoq historik me Portën e Luanit, Portën e Mbretit dhe tempullin e hapur Yazilikaya; ishte vend i rëndësishëm për civilizimet në mileniumin e parë dhe të dytë para erës sonë; formon një pamje gjithëpërfshirëse të kryeqytetit me pallatin, tempullin dhe tregjet; paraqet dëshminë e vetme të civilizimit të shkatërruar Hitit; dhe për arsye të ruajtjes së shkëlqyeshme të infrastrukturës dhe arkitekturës.

Po ashtu, edhe arkivat tabletave me mbishkrime që përfaqësojnë gjuhën më të vjetër indo-evropiane, në vitin 2001 i janë shtuar Listës së Memories Botërore nga UNESCO. Në këtë mënyrë, Hattusha mban epitetin si "qyteti i vetëm antik që ndodhet në të dy listat e UNESCO-s.

Hattusha njihet edhe si kryeqyteti ku është nënshkruar marrëveshja e parë e shkruar në histori mes hititëve dhe egjiptianëve në vitin 1280 para erës sonë, që njihet si Marrëveshje e Kadeshit.

Qendër tjetër e rëndësishme e hititëve në qytet është edhe vendgërmimi që njihet me emrin Alacahoyuk, që është një nga vendgërmimet e para kombëtare të Turqisë. Vendgërmimi Alacahoyuk, në të cilin gjendet Barazhi i Hititëve, një nga barazhet e para të Anadollit, varret e mbretërve dhe princave dhe sfinksi pranë Portës së Luanit, është një nga vendet që tërheq më së shumti turistë në qytet.

Po ashtu, pranë qytezës Ortakoy në provincën e Çorumit gjendet edhe vendi arkeologjik Sapinuva, silosi i drithit që gjendet aty dhe Kanjoni Incesu në të cilin mund të vërehen gravura apo forma të ndryshme relievike.

Prefekti Neccmetin Kilic, për Anadolu Agency(AA) tha se Anadolli është djep i historisë njerëzore civilizimeve dhe se Çorumi ka qenë strehues i civilizimeve botërore që nga vitet 3000 para erës sonë.

"Çorumi është kryeqyteti i shtetit të parë me rregull në botë që e themeluan hititët dhe hatianët, shtet ku të shkruarit ishte i popullarizuar dhe ku funksiononte ligji", tha Kilic.

Ai tha se e gjithë bota lexon për Hattushan dhe e njeh atë, ndërsa më pas shtoi se synojnë që vendin ta vizitojnë 500 mijë turistë.

"Ne duam të sigurojmë që Çorumin ta vizitojnë 500 mijë turistë. Lidhur me këtë, ne po vazhdojmë punimet lidhur me infrastrukturën, kurse në anën tjetër po japim përpjekje edhe për promovimin e vendit. Lus Zotin që vitin e ardhshëm ta arrijmë këtë synim", u shpreh Kilic.

Ai rikujtoi se viti 2017 është shpallur reciprokisht Viti Kulturor i Turqisë dhe Koresë me rastin e 60 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Turqisë dhe Republikës së Koresë , me ç'rast janë duke zhvilluar punimet e nevojshme që në Çorum të vijnë turistë nga Koreja në muajin korrik.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco