Magjia e festës së spërkatjes me ujë në Kinë

Magjia e festës së spërkatjes me ujë në Kinë

13:37, 10/05/2017
A+ Aa A-
Mjaft veta, sidomos të huaj, atë e kanë quajtur si festa më interesante në Kinë. Dhe është pikërisht Festa e Spërkatjes me Ujë. E meqë pata rastin të jem pjesëmarrës në këtë festë sivjet, mund ta pohoj me plot gojën një gjë të tillë, shkruan Radio e Jashtme e Kinës.  

Po çfarë është kjo festë dhe çfarë e bën atë kaq interesante? Në të vërtetë, Festa e Spërkatjes me Ujë e kombësisë dai të Kinës nuk është tjetër veçse viti i ri i kësaj kombësie, që jeton kryesisht në Xishuangbanna të provincës Yunnan në jugperëndim të Kinës.

    Yunnan-i është provinca më e larmishme në Kinë për sa u përket kombësive. Nga 56 kombësitë e Kinës, rreth gjysma e tyre jetojnë në këtë provincë. Një prej tyre është edhe kombësia dai, pjesëtarët e së cilës banojnë kryesisht në Xishuangbanna, në jug të provincës Yunnan, pranë kufirit me Laosin dhe Mianmarin, por edhe pranë Vietnamit e Tajlandës. Kështu Xishuangbanna mund të quhet edhe si një urë kulturore mes Kinës dhe vendeve të Azisë Juglindore dhe kur ndodhesh aty të duket edhe sikur ndodhesh në ndonjë prej këtyre vendeve.

    Festa e Spërkatjes me Ujë e kombësisë dai thirret edhe si "karnavalet e Lindjes". Ajo ka një histori shtatëqindvjeçare.

    Festa kremtohet në kryeqendrën e prefekturës Xishuangbanna, qytetin Jinghong, dhe fshatrat përreth. Kjo është festa më e rëndësishme e kësaj kombësie. Për pjesëtarët e kombësisë dai, uji është një simbol i shenjtërisë, mirësisë dhe pastërtisë. Vetëm uji mund të ndihmojë çdo gjë në tokë të rritet, kështu që uji është zot i jetës.

    Festa e Spërkatjes me Ujë bie në mes të prillit sipas kalendarit ndërkombëtar dhe zgjat tre ditë. Këtë vit ajo u kremtua nga 13-15 prill dhe ne, një grup nga Radio e Jashtme e Kinës, ishim të ftuar të merrnin pjesë në të.

    Veprimtaritë gjatë dy ditëve të para janë të përqendruara pranë lumit Mekong.

    Në ditën e parë njerëzit duke kënduar, duke vallëzuar dhe duke u rënë daulleve, drejtohen në brigjet e Mekongut për ceremoninë madhështore të nisjes së festës. Një grup murgjish budistë udhëheqin turmën me lutje dhe bekime, para se të hidhen fishekzjarre artizanale të bëra me bambu, që krijojnë një det ngjyrash, dhe që simbolizojnë largimin e së keqes. Më tej pasoi gara me varkat e dragoit, provë e forcës dhe e qëndrueshmërisë.

    Në ditën e dytë morëm pjesë në një paradë e madhe, ku kombësitë e ndryshme paraqitën kostumet e tyre shumëngjyrëshe, nën tingujt e këngëve e të valleve të tyre të jashtëzakonshme. Ishte me plot gojën diçka që mund të quhet një gosti për syrin dhe për veshin.

    Pasdite shkuam në parkun "Manting" të qytetit, ku kishte shfaqje të ndryshme muzikore dhe ku shijuam edhe gatimet e shijshme vendore. Në mbrëmje iu bashkuam lumit njerëzor në brigjet e lumit natyror Mekong. Që atje ngrihen ata që quhen fenerë fluturues e që simbolizojnë urimet për fat të mirë. Pamja e tyre është diçka që të mbetet e pashlyeshme në mendje për një kohë të gjatë. Po ashtu, shumë barka të vogla me qirinj lëshohen në lumë. Nuk mungojnë edhe këtu fishekzjarret. Është një festival dritash e ngjyrash.

    Dita e tretë është kulmi i festës. Ndonëse quhet Festa e Spërkatjes me Ujë, fare mirë mund të quhet edhe Festa e Bërjes Qull me Ujë.

    Por në të vërtetë dita nis me ritualin e spërkatjes së shtatores së Budës. Pjesëtarët e kombësisë dai, të veshur me rrobat e tyre më të mira, drejtohen nëpër tempujt, ku organizohen ceremoni nderimi ndaj Budës. Njerëzit luten për mot të mirë dhe begati. Pastaj merret shtatorja e Budës dhe spërkatet me ujë, në një rit që quhet "Larja e Budës".

    Përfundimi i ritit të "Larjes së Budës" shërben si sinjal që edhe njerëzit e zakonshëm mund të nisin spërkatjen e njëri-tjetrit me ujë. Dhe kështu nis ajo që mund të quhet lufta më e madhe me ujë në Tokë.

    Sa më shumë të lagesh, aq më shumë fat, lumturi dhe mbarësi do të kesh në vitin e ri.

    Pjesëtarët e kombësisë dai ftojnë edhe njerëz nga pakicat e tjera dhe turistë vendës e të huaj që vijnë nga larg për të festuar. Skena e spërkatjes dhe e lagies me ujë është me të vërtetë e hareshme.

    Kudo, në rrugë, sheshe e parqe, sheh njerëz "të armatosur" me kova me ujë ose me "armë" plastike që hedhin ujë, për të lagur njëri-tjetrin dhe për të uruar fat dhe një vit të lumtur të ri.

    Gjithkush është në shënjestër dhe askush nuk mund t'i shpëtojë lagies, madje as punonjësit e rendit. Por sigurisht, "viktimat" më të parapëlqyera janë vajzat e bukura dhe pa dyshim, edhe të huajt.

    Kështu që unë pata atë që mund të quhet, lagien më të mirë në jetën time. Për fat temperatura në kohën e Festës së Spërkatjes është diku në kufirin mes së ngrohtës e nxehtësisë dhe uji në trup është shumë i dëshiruar dhe freskues. Për më tepër që besohet se, sa më shumë të lagesh, aq më shumë i bekuar do të jesh në vitin e ri, prandaj pres një vit të ri të mbarë e të begatë, deri në prillin e ardhshëm, ku nuk do të mungoj në këtë festë të jashtëzakonshme, për t'u lagur përsëri e për të marrë kështu bekime të reja./CRI

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco