Misteri i fshehur nën Katedralen e Prishtinës

Misteri i fshehur nën Katedralen e Prishtinës

15:16, 15/10/2016
A+ Aa A-

Nën themelet e Katedrales “Nënë Tereza” në qendër të Prishtinës fshihet një mister. Në afro 200 metra thellësi buron “uji i bekuar”, siç e ka marrë emrin burimi që befasoi priftërinjët.

Pesë vite më parë, makinat shpuese po kërkonin ujë në thellësi të tokës për nevoja të punimeve në katedrale. Punëkryesit, gati kishin humbur shpresat se do të gjenin, kur kishin kaluar mbi 100 metra thellësi dhe gjithcka ishte gurë e baltë që dilte nga toka.

Por, befasia ndodhi tetëdhjetë metra më tej.

“Doli uji mineral”, tregon Don Jeton Thaçi, prift i Kishës katolike në Prishtinë për Gazetën Fjala. Në Prishtinë nuk ka ndodhur ndonjë rast të haset në ujë të ngjashëm. Edhe Thaçi thotë se është rast i rrallë, madje edhe për vendet fetare.

Prandaj edhe është menduar të bekohet pasi i janë bërë të gjitha analizat dhe ka dalë të jetë i pijshëm.

Sekreti i ujit të bekuar.

Por, ende mbahet sekret për besimtarët e tjerë deri në një vendim të kishës.

“E vetmja gjë që kemi menduar të bëjmë, pasi që ka dal uji mineral dhe është ujë i veçantë, kemi menduar që ta bekojmë dhe në të ardhmen ta dhurojmë si ujë të bekuar, sikur në të gjitha shenjtorët që jepet uji i bekuem”, thotë Thaçi.

Kështu, në të ardhmen, sipas tij kushdo që dëshiron që ta ketë me vete apo në shtëpi, “qoftë një shishe a po më shumë, do të mund të vijë dhe ta marr në të ardhmen, kushdo që beson”.

Tek besimi katolik kjo lidhet ngushtë me besimin, që në lindje kur bëhet pagëzimi i besimtarëve duke i lagur me ujë. Don Jeton Thaçi shpjegon se domethënia e ujit të bekuar sipas fesë katolike është vetë uji, i cili përfaqson jetën, pastërtinë, dhe shpëtimin.

E uji i cili është bekuar apo shenjtëruar nga një prift, ipeshkv me anë të një lutjeje bekuese për qëllim pagëzimin apo për bekimin e besimtarëve, gjendet në hyrjen e çdo kishe për arsye që besimtarët sapo hyjnë në kishë të lagin gishtat e dorës se djathtë para formulës së pagëzimit.

E besimtarët e Kosovës gishtin e dorës së djathtë nuk do ta lagin me çfardo uji por me ujë “mineral” e të bekuar.

Tërnava e provoi ujin “e bekuar”

Ndër të parët besimtar të komunitetit musliman, që e ka provuar këtë ujë, besohet të ketë qenë myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.

Don Jeton Thaçit nuk i kujtohet me saktësi, por thotë se ka mundur dikush nga priftërinjët t’ia ofrojë një gotë. Në një rast Tërnava e ka pohuar këtë duke treguar se është befasuar që në Prishtinë është gjetur burim i këtij uji.

Por, sic shpjegojnë në Ipeshkëvin e Kosovës, shumë shpejtë të gjithë qytetarët do të mund ta provojnë. “Me ujin nuk mendojm që të bëjmë biznes dhe nuk e kemi në plan që ta shesim, por ta dhurojmë për besimtarët si dicka të shenjtë”, thotë ai.

Por, pusi që ishte hapur si alternativë për ujitje të kopshtit dhe nevoja tjera vështirë se do të mund të përdoret për qëllimin fillestar./Gazeta Fjala/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco