Lajmi i fundit

LIVE/ 15 vjet, Shqipëria në NATO - Flet Kryetari i PD, Sali Berisha

Si lindi figura e djallit nga një perëndi egjiptiane

Si lindi figura e djallit nga një perëndi egjiptiane

17:57, 18/01/2017
A+ Aa A-

Besimit të krishterë iu desh të konkurrojë me shumë fe dhe kulte të dashura, ndaj ai i demonizoi ata. Njihuni me perëndinë miqësore që Kisha e ktheu në simbolin e djallit.

Në fillim të këtij viti vizitova tempullin e perëndeshës Hathor në Dendera, në perëndim të Nilit, Egjipt. Datuar që prej shekullit të parë të erës sonë, tempulli ishte i dekoruar me një përshkrim që e tregonte Kleopatrën si dashnoren e Jul Cezarit, Mark Antonit dhe faraonit të fundit të Egjiptit.

Pak imazhe të Kleopatrës kanë mbijetuar, një profil jo i saktë i stampuar në një monedhë që nuk i ngjante aspak Elizabet Tejlorit në filmin epik të vitit 1963. Pranë saj ishte pikturuar një tjetër figurë e shëmtuar. Ai imazh shfaqej në pjesë të ndryshme të qytetit arkeologjik, por veçanërisht konturohej në një shtyllë guri gëlqerore, që dikur kishte qenë “shtëpia e lindjes” pranë tempullit.

Me trupin e ngjeshur të një xhuxhi këmbështrembër, ai shfaqej me duart mbështetur në ijë. Koka e tij groteske kishte një shprehje të shtrembëruar dhe të fëlliqur, teksa mjekra e tij përfundonte me spirale. Një bisht i varej përmes këmbëve. Ky ishte perëndia egjiptiane Bes i dashur për shekuj jo vetëm prej egjiptianëve, por edhe prej mesdhetarëve dhe së fundmi kishte ndihmuar në formësimin e pamjes së djallit të krishterë.

Pavarësisht se ai nuk ka një kult të mirëfilltë, Bes ishte shumë i përhapur në Egjiptin e lashtë. Ai adhurohej dhe mbahej në shtëpi si shenjë e të mirave të jetës si: seksi, pija, muzika dhe argëtimi. Perëndia Bes kishte gjithashtu një funksion mbrojtës dhe mbahej afër gjatë lindjeve të fëmijëve. Me pak fjalë, ndonëse në kohën moderne mund të duket i frikshëm, në kohën e tij ai ishte tepër i mirë.

Verë, femra dhe këngë

Image

Sipas arkeologut iranian, Kamyar Abdi, imazhi i perëndisë Bes përdorej në Egjiptin e lashtë për të dekoruar shumë sende personale dhe mobilie. Ai ishte i gdhendur në shtretër, pasqyra, sete enësh dhe në kutitë e bizhuve.

Si rezultat, muzetë në të gjithë botën përmbajnë qindra artefakte, thika dhe shkopinj magjikë, të stolisur me fytyrën hipnotizuese të perëndisë Bes. Origjina e tij mbetet e paqartë. Mbase ai është një kompozim i më shumë se dhjetë perëndive të ndara. Sipas një këndvështrimi të historisë së artit, ai është sigurisht një kuriozitet, në të kundërt të shumë perëndive egjiptiane që shfaqen në profil, perëndia Bes shfaqet përballë.

Disa studiues këshillojnë se ai u shfaq në Afrikën Nënsahariane. Ka mundësi që ai ta ketë filluar jetën si një luan ose mace. Mendohet se figura e këtij perëndie i bënte fëmijët të qeshnin, pra ai ishte më tepër një perëndi për njerëzit e zakonshëm, sesa për mbretërit. Performuesit e bënin tatuazh imazhin e Besit për shkak të lidhjes së tij me muzikën dhe kërcimin, ndërkohë që prostitutat mund t’i kenë vënë tatuazhet pranë gjenitaleve të tyre, në mënyrë që të largonin sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Në fund të mijëvjeçarit të dytë përpara Krishtit, Bes ishte bërë i njohur në botën Mesdhetare. Edhe vendasit jo egjiptianë prodhonin objekte që kishin të gdhendur figurën e tij. Në fillim të mijëvjeçarit të parë, phoenikanët u bënë adhurues të mëdhenj të Besit, ashtu si edhe romakët më pas. Perëndia Bes shfaqej me raste i veshur si një legjionar romak. Popullariteti i tij i shfrenuar madje i mbijetoi edhe ardhjes së kristianizmit.

Perëndi dhe përbindësha

Image

Edhe pse ndikimi i tij u zbeh përgjatë kohës së Kostandinit, perëndia Bes akoma e shfaqte veten në kulturën perëndimore. Egjipti i lashtë ishte një burim i rëndësishëm i artistëve kristianë. Kështu figura e perëndeshës Isis me djalin e saj Horus ofroi një prototip për prezantimin e imazhit të virgjëreshës dhe fëmijës.

Në të njëjtën mënyrë perëndia Bes u bë shëmbëlltyrë për djallin. Shpesh ai shfaqej me bisht si sfurk ose me gjarpërinj që i dilnin prej trupit, të gjitha këto u bënë më pas cilësi të Satanait. Në mozaikun e ferrit që daton në vitin 1280 dhe i atribuohet Coppo di Marcavaldo në Përgëzimoren e Firences, gjarpërinjtë dilnin nga veshët e djallit në imazhin më të madh të Satanait në Europë.

Mbi të gjitha, shprehja groteske në fytyrën e perëndisë Bes ishte një model për fytyrën rrëqethëse të djallit. Për shembull, në një mozaik të mrekullueshëm bizantin mbi gjykimin e fundit shfaqej një vigan me sy blu e mjekër të bardhë në një liqen të zjarrtë të ferrit.

Ashtu si elemente të tjera, si pesha e shpirtrave, derivojnë prej artit të Egjiptit të lashtë, edhe pjesë të këtij përbindëshi janë huazuar nga tradita ikonografike që përfaqësonte perëndinë Bes. Ndryshe nga ky i fundit, vigani nuk është një xhuxh, por një figurë e vogël, identiteti i të cilit mbetet i pasigurt. Përveç kësaj, lëkura blu e viganit mund të vijë për shkak të ngjyrave të gjalla të hajmalive që përfaqësonin perëndinë Bes, të cilat bëheshin me enë argjile me xham.

Shpërfytyrimi

Image

Ka shumë mundësi që imazhi i perëndisë egjiptiane të ketë ndikuar në përfytyrimin për demonët, grekët. Kjo më pas ndikoi te perceptimi i djallit në përgjithësi. Ka disa ngjashmëri midis Satanait dhe stërgjyshit të tij, perëndisë-dhi greke të quajtur Pan.

Ashtu si Bes, edhe Pan mendohej të ishte i lidhur me seksin e paanshëm.

“Kisha bëri me Pan-in atë që Stalini i bëri Trotckit”, shprehet kritiku i artit Robert Hughes. Cilësitë e perëndisë-dhi greke iu dhanë në art Satanait kristian. Besimit të krishterë iu desh të konkurrojë me shumë fe dhe kulte të dashura, ndaj ai i demonizoi ata.

Për egjiptianët e lashtë Bes ishte një zot mbrojtës dhe miqësor.

Nga ana e tyre kristianët e konsideronin atë si të huaj dhe shqetësues, në mënyrë që të tregonin triumfin e besimit të ri që sundoi mbi zakonet e vjetra. Nga Alastair Sooke, BBC

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco