Zbulim i ri për numrin e galaktikave

Zbulim i ri për numrin e galaktikave

18:51, 14/10/2016
A+ Aa A-

Një zbulim i fundit, tregon edhe një herë, se shkencëtarët kanë patur një perceptim të ndryshëm për madhësinë e universit.

Një ekip astronomësh njoftoi të enjten se universi mund të jetë 10, madje edhe 20 herë më i madh nga sa mendohej më parë dhe se ai përmban 1 trilion, apo 2 trilionë galaktika.

Një profesor i astrofizikës në Universitetin e Notingamit në Angli, udhëhoqi ekipin që solli idenë marramendëse se në universin tonë ka rreth 2 trilionë galaktika.

Profesor Christopher Conselice thotë se kjo shifër është sa dhjetëfishi i asaj që mendonin më parë shkencëtarët.

Shkencëtarët e bazojnë përfundimin e tyre te vëzhgimet e Teleskopit Hubble të Hapësirës dhe të observatorëve të tjerë që ndodhen në Tokë, të cilat ata i shndërruan në imazhe tre-dimensionale dhe i studiuan, duke përdorur modele të reja matematike.

"Është me të vërtetë magjepsëse ideja se më tepër se 90 për qind e galaktikave të universit ende janë të panjohura."- tha prof. Conselice. "Kush e di se çfarë vetish interesante do të gjejmë kur t'i zbulojmë këto galaktika me teleskopët e së ardhmes!"

Shkencëtarët kanë patur dyshime lidhur me numrin e galaktikave që ndodhen në kozmos, të paktën që nga koha kur astronomi amerikan Edwin Hubble zbuloi në vitin 1924 se Andromeda, një galaktikë fqinjë nuk ishte pjesë e galaktikës sonë, të njohur si "Rruga e qumështit"./voa

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco