Zbulimi /Ja kur i ka nisur kontaktet Kina me Perëndimin

Zbulimi /Ja kur i ka nisur kontaktet Kina me Perëndimin

17:40, 12/10/2016
A+ Aa A-

Kina dhe Perëndimi ishin në kontakt më shumë se 1.500 vite para se eksploruesi europian Marko Polo të mbërrinte në Kinë.

Studimet e reja sugjerojnë se frymëzimi për luftëtarët prej balte, që gjenden në varrin e perandorit të parë në qytetin Xian, mund të ketë ardhur nga Greqia e Lashtë. Sipas arkeologëve, ka mundësi që artizanët grekë të kenë stërvitur ata kinezë në shekullin e III-të para erës sonë.

Deri së fundmi besohej se, udhëtimi i Marko Polos në Kinë ishte i pari nga një europian. Por ekspertët tashmë mendojnë se kontakti mes këtyre dy botëve ishte shumë më i hershëm, që para hapjes zyrtare të “rrugës së mëndafshit”.

Një studim tjetër tregon se është gjetur ADN europiane në provicën Xinjiangm, diçka që tregon se perëndimorët mund të kenë jetuar dhe vdekur në Kinë para dhe gjatë kohës së perandorit të parë.

Qin Shi Huang jetoi mes viteve 259 dhe 210 para erës sonë dhe u bë perandori i parë i Kinës së bashkuar. Rreth 8.000 skulpturat e ushtarëve prej balte, që mbrojnë perandorin, u zbuluan në Xian në vitin 1974. Por në Kinë nuk kishte traditë skulpturash në përmasa reale para varrit të perandorit, ku statujat e mëhershme ishin rreth 20 cm.

Ky ndryshim i beftë në stil dhe aftësi mendohet se ndodhi me ndikim nga jashtë. Ekspertë të huaj dhe kinezë mbështesin këtë teori dhe thonë se perandori i parë u ndikua nga mbërritja e statujave greke në Azinë Qendrore në shekullin pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, i cili ndërroi jetë në vitin 323 para erës sonë.

Arkeologët thonë se nuk është çudi që bashkë me statujat të kenë mbërritur në Kinë edhe skulptorë grekë, që më pas trajnuan vendasit në stilin e ri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco