Misteret dhe të vërtetat e vdekjes së Papa Gjon Palit I. Dëshmia: Thonjtë ishin pak të nxirë

Misteret dhe të vërtetat e vdekjes së Papa Gjon Palit I. Dëshmia: Thonjtë ishin pak të nxirë

12:14, 10/11/2017
A+ Aa A-

Duket se teoritë e konspiracionit në lidhje me vdekjen e Papa Gjon Palit I, Albino Luciani, do të marrin fund, të paktën sipas gazetares italiane, Stefania Falasca, në librin “Papa Luciani. Kronika e një vdekjeje”.

Libri ka dalë në shitje këtë javë në Itali dhe autorja ka pasur qasje në dokumentet e pabotuara të Vatikanit dhe në një intervistë me një nga motrat që kujdesej për Papën.

Gjon Pali I vdiq në moshën 65 vjeçare, më 28 shtator 1978, vetëm 33 ditë pasi u zgjodh Papë.

“Mund të themi, me gjithë dokumentacionin, se Luciani vdiq nga një atak në zemër, kjo është e vërteta e pastër”, tha Falasca në një intervistë me Radio Vatikanin.

Autorja e librit gjeti një dokument të pabotuar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, i cili zbulon se pasditen e ditës së vdekjes së Papës, ai kishte dhimbje të forta në gjoks, të cilave nuk u dha shumë rëndësi dhe as nuk donte të njoftonte mekët, pavarësisht se shqetësimi zgjati rreth pesë minuta. Pas kësaj Luciani vazhdoi me rutinën e tij.

-“Po hekurosja në dhomë me derën e hapur dhe e pashë të kalonte disa herë. Më kujtohet që kur më shihte që hekurosja më tha: Motër mos ju kam vënë të punoni shumë? Mos u lodh ta hekurosësh aq mirë këmishën se është nxehtë, djersij dhe më duhet ta ndërroj shpesh. Hekuros vetëm jakën dhe mëngët se pjesa tjetër nuk duket”, tregon Margherita Marin, një nga motrat që kujdesej për Papën.

Falasca gjithashtu gjeti shënime klinike që tregojnë se në vitin 1975, Luciani ishte trajtuar për shqetësime kardiovaskulare dhe mjekohej me antikoagulantë.

Sipas motër Margheritas, ajo dhe motër Vincenza Taffarel ishin të parat që hynë mëngjesin e 29 shtatorit, 1978, në apartamentin papal, pasi vërejtën që Gjon Pali nuk e kishte ngrënë mëngjesin që i kishin lënë në dhomën ngjitur dhe nuk u përgjigjej thirrjeve të tyre.

“Asnjë rrudhë. Ishte i shtrirë me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë, syzet e vëna, sytë gjysmë të mbyllur, sikur flinte. I preka duart. Ishin të ftohta. Më tërhoqën vëmendjen thonjtë: ishin pak të nxirë”, kujton Marin. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco