Italia dërgon dosjen për ekstradimin e 'Zotit të drogës'

Italia dërgon dosjen për ekstradimin e 'Zotit të drogës'

19:59, 22/09/2017
A+ Aa A-

Vendimi i Gjykatës së Milanos në Itali që e dënon Alket Hatinë me 20 vjet burg është përkthyer dhe u ka mbërritur autoriteteve në Tiranë, por burime të prokurorisë thonë se ende nuk është e qartë nëse akuzat janë të njëjtat me ato për të cilët Hatija është dënuar më parë në Shqipëri.

Hatija vijon të jetë në kërkim policorë. Ai u arratis pasi Gjykata e Faktit në Durrës vendosi ta linte të lirë më 11 korrik të këtij viti, duke përdorur si argument edhe pretendimin e mbrojtjes se ai ishte dënuar njëherë për këto vepra penale edhe pse gjykata nuk e kishte në atë moment vendimin e drejtësisë italiane, për të dalë në atë përfundim.

Vendimi i cili sipas prokurorisë së Durrësit kishte “bërë ineficent sistemin e kërkimit ndërkombëtar”, shkaktoi përplasje mes institucioneve të drejtësisë dhe u bë shkak për inicimin nga Ministria e Drejtësisë e një procedimi disiplinor ndaj gjykatësit Petraq Curri. Gjykata e Apelit e rrëzoi atë vendim, por pas caktimit të masës së sigurisë me burg policia nuk e gjeti në banesë të kërkuarin nga Interpol Roma.

Ndërkohë vendimi i Gjykatës së Milanos së bashku me kërkesën për ekstradim ka mbëritur në Tiranë pak ditë më parë dhe tashmë është përkthyer. Megjithatë ende sipas burimeve të prokurorisë nuk është e qartë nëse ky vendim gjyqësor është i njëjtë me atë që ka marrë gjykata e Krimeve të Rënda kundër Alket Hatisë apo jo, argument që u përdor nga mbrojtja e Hatisë që ky të fitonte lirinë në fillim të Korrikut.

Në vendimin e drejtësisë italiane të cilin BIRN e disponon evidentohen shumë episode të trafikimit të heroinës nga Shqipëria në drejtim të Italisë, por prokuroria tha se është në verifikim e sipër rast pas rasti të episodeve për të parë nëse ato janë shqyrtuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2010. Burimet pranë Prokurorisë së Përgjithshme i thanë BIRN se dosja do të dërgohej në gjykatën e Durrësit,  ku do shqyrtohej nëse Hatija do të esktradohej apo jo.

Alket Hatija i cili u arrestua me 8 korrik me urdhër të Prokurorisë së Durrësit, pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, kishte përfituar edhe më herët nga vendimet e drejtësisë shqiptare.

Hatija i cili u dënua me 10 vjet e 8 muaj burg në vitin 2010, përfitoi liri me kusht në vitin 2014, pasi gjykata e quajti të drejtë kërkesën e tij për ta shlyer pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi për shkak se “bashkëshortja vuante nga sëmundje kronike”. /BIRN/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco