Lamtumirë Artur, Alesio dhe Valerio! Përcillen në banesën e fundit trinjakët e familjes Konçi

Lamtumirë Artur, Alesio dhe Valerio! Përcillen në banesën e fundit trinjakët e familjes Konçi

13:34, 21/09/2017
A+ Aa A-

Zbardhen të tjera detaje nga ngjarja tragjike në fshatin Rromanat të Durrësit një ditë më parë, ku trenjakë të mitur humbën jetën si pasojë e zjarrit që ra në banesën e tyre.

Artur, Alesio dhe Valerio Konçi ishin vetëm në banesë në momentin e ngjarjes, ndërsa tragjedia ndodhi vetëm pak çaste pas largimit të mamasë të tyre, Migena Konçi e cila mbylli derën me çelës. Por pse iku nga shtëpia nëna e 4­vjeçarëve?

Daja i fëmijëve, Hamdi Çela rrëfen për Report Tv se e ëma është larguar nga banesa bashkë me dy vajzat më të mëdha në moshë, të cilat i ka dërguar te shtëpia e vjehrrit që të mësonin të qeta. Banesat ishin vetëm 100 m larg njëra­tjetrën dhe sipas dajës, gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe pikërisht këto pak minuta sollën tragjedinë. "Ngjarja është shumë tragjike, janë raste të rralla, por ja që ndodhi. Perëndia na i dha, perëndia na i mori. E ëma e fëmijëve i mbylli për momentin sa solli vajzat për të mësuar se nuk i linin ata të mësonin. Sa erdhi këtu, ka plas zjarri atje. Do kenë pasur ndonjë shkrepse atje, sipas asaj që është djegur më para, është djegur perdja, perdja është shkëputur dhe ka rënë në divan. Kanë shkuar menjëherë këto, po kur ka marrë sfungjeri sado që ujin e kishin afër, nuk arritën të shuanin zjarrin. Fëmijët janë gjetur në pllaka, vetëm shkrepësja e ka bërë këtë punë", u shpreh për Report Tv, daja i fëmijëve.

Drejtori i shkollës: Sot do ishte dita e 4 e kopshtit për ta

Drejtori i shkollës, Syrja Rrodhja rrëfen për Report Tv se sot duhet të ishte dita e katërt e kopshtit për trenjakët 4-­vjeçarë që humbën jetën nga flakët në banesën e tyre. “E dhimbshme e vështirë, e paimagjinuar për zonën tonë njëherë. Unë jam drejtori i shkollës për 10 vjet. Një familje e mrekullueshme një familje e shkëlqyer. Këta nuk e kishin mbushur moshën, por unë i mora në kopsht dhe kjo më dhimbset shumë. I pashë vetë, të bukur, flori, të zgjuar. Kjo do ishte dita e katërt e kopshtit për ta”.

Fqinji: Shtëpia jashtë përdorimit, familja në qiell të hapur

Një fqinj i familjes Konçi në Rromanat ngre alarmin se banesa e tyre është jashtë përdorimit dhe ata kanë mbetur në qiell të hapur. "Kjo si shtëpi njëherë për njëherë ka dalë jashtë përdorimit, nga tymrat, nga ujrat, nga xhamat. Deri vonë mbrëmë kam qenë, po ç'a të pyetësh, s'ke ç'a pyetën. Tre çuna, tre fëmijë 4 vjeç", tha ai. Dhimbja ka pllakosur familjen Konçi ndërkohë heshtja ka izoluar të gjithë fshatin të cilët gjithashtu po e përjetojnë me dhimbje këtë tragjedi. Mesditën e kësaj të enjte do t'i jepet lamtumira e fundit trenjakëve Artur, Alesio dhe Valerio Konçi.

Ekspertiza mjeko­ligjore

Ekspertiza mjeko­ligjore ka zbardhur shkakun e vdekjes së trenjakëve të mitur të familjes Konçi në fshatin Romanat të Durrësit. Ata kanë pësuar asfiksi nga tymi ndërsa si pasojë e flakëve të mëdha që kanë përfshirë banesën, trupat e të miturve janë karbonizuar. Tre vjeçarët Artur, Valerio dhe Alesio Konçi teksa ishin vetëm në banesë, kanë qenë duke luajtur me shkrepëse dhe i kanë vënë flakën kolltukut. Nga këtu më pas flakët janë përhapur në të gjithë shtëpinë. Trupat e pajetë janë tërhequr nga morgu i Spitalit të Durrësit dhe sot pritet të përcillen për në banesën e fundit. Tre djemtë ndodheshin vetëm në banesë, pasi nëna e tyre, Migena Konçi dhe dy vajzat më të mëdha, kishin shkuar për vizitë te gjyshërit. Në banesë nuk ndodhej gjithashtu as babai i fëmijëve, Gëzim Konçi. Ata kanë qenë të mbyllur në banesë, ndërsa dritaret kanë pasur hekura, çka ka bërë që ndihma e parë për ta nga fqinjët të vonojë dhe për pasojë solli fatin tragjik për ta. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco