Makinat luksoze/ Artan Hoxha: Elbasani është pushtuar nga bandat, policia nuk ...

Makinat luksoze/ Artan Hoxha: Elbasani është pushtuar nga bandat, policia nuk ...

17:59, 20/09/2017
A+ Aa A-

Gazetari i kronikës, Artan Hoxha ka sqaruar sot në studion e lajmeve në News 24 ngjarjen e ndodhur mesnatën e 18 shtatorit në qytetin e Elbasanit, kur një automjet i blinduar tip “Audi” A8, goditi makinën e patrullës së policisë që po shoqëronte për verifikim në komisariat një “Range Rover” me vlerë 100 mijë euro, ngjarje që sipas tij, është tentuar të fshihet.

Gazetari shkon më tej dhe thotë se ky qytet kontrollohet nga grupet kriminale.

“Tentativa fillestare ishte që ngjarja të mbulohej, të mos kishte mediatizim të saj. Ditën e parë arritën t’jua mbyllin gojën medias, mungoi informacioni zyrtar. Gazetarët jo vetëm e kanë pasur të pamundur të afrohen në vendin e ngjarjes, por kanë pasur edhe frikë. Atje kanë ndodhur një seri ngjarjesh të rënda. Policia është vënë në një situatë kritike, ka qenë jashtë kontrollit të grupeve kriminale që kanë marrë nën kontroll qytetin. Gazetarët atje janë nën presion, situata nuk është aspak normale, se nuk përmbushnin dot detyrën, ndjeheshin të kërcënuar ata dhe familjet e tyre. Para zgjedhjeve pata paralajmëruar se atje do ketë një situatë jo normale”,- tha Hoxha.

Sa për pronësinë e mjetit Audi që goditi atë të policisë, Hoxha tha se është në pronësi të biznesmenit nga Elbasani Petrit Çela, që ka në pronësi tregun ushqimor në këtë qytet. Ndonëse ai është i njohur si tregtar korrekt, i biri, thotë Hoxha, njihet të ketë pasur probleme me drejtësinë.

Artan Hoxha tregon ngjarjen

“Mesnatën e 18 shtatorit gjatë një postblloku për kontrollin e mjeteve luksoze nën dijeninë edhe të drejtorit të policisë është ndaluar një “Range Rover”, një mjet që i kalon vlerën 100 mijë euro. Me këtë mjet udhëtonte Kelmend Xhaferri 35 vjeç, i njohur si Kel Çami dhe Ledi

Zabeli. Policia konstatoi se ata nuk ishin pronarë të mjetit dhe vendosi t’i shoqërojë në komisariat. Mjeti rezultoi të ishte pronë e një biznesmeni. Gjatë lëvizjes nga postblloku në drejtim të rajonit këta persona kanë njoftuar miqtë e tyre. Gjatë kohës që autokolona e policisë shoqëronte “Range Rover”-in, automjeti i tyre është goditur nga një

“Audi” i blinduar, një tjetër mjet luksoz. Goditja e papritur ka shkaktuar panik por më pas është dhënë alarmi. Policia ka çuar edhe trupa të tjera. Mjeti Audi rezultoi të ishte në pronësi të biznesmenit Petrit Çela, i njohur si tregtar korrekt dhe pronar i tregut ushqimor. Ky person s’ka të kaluar problematike, por djali i tij Suel Çela më herët ka pasur probleme me drejtësinë. Pasi ka përplasur makinën e patrullës, mjeti Audi ka hyrë në ambientet e tregut. Ndërsa policët i janë vënë nga pas roja i tregut nuk i ka lejuar policët të hynin brenda pa pasur autorizim. Në këto kushte është kërkuar ndërhyrja e forcave speciale”,- sqaroi Hoxha.

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco