Kërcënonte Rudina Magjistarin, ja vendimi i gjykatës për Vjolën

Kërcënonte Rudina Magjistarin, ja vendimi i gjykatës për Vjolën

19:43, 23/03/2017
A+ Aa A-

Gjykata e Tiranës ka përfunduar gjykimin ndaj një 37-vjeçareje të akuzuar për “përndjekjen” e moderatores së njohur televizive, Rudina Magjistari.

E pandehura Vjola S. ishte bërë shqetësim për prezantuesen gjatë 2014-2015, pasi për 10 muaj me radhë i ka dërguar mesazhe fyese, denigruese dhe kërcënuese në “Facebook”.

Qindra SMS-të e mbërritura në adresën e prezantueses fyenin atë vetë, programin e saj, temat e trajtuara aty, si dhe të ftuarit. Nga gjykimi ka rezultuar se dërguesja e mesazheve në kohën e dërgimit të tyre ka qenë e papërgjegjshme mendërisht.

Prej disa vitesh ajo mjekohej për probleme mendore. Bazuar në një aktekspertim të gjendjes mendore të së pandehurës, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e një mase mjekësore “mjekim i detyruar ambulator” në një qendër të shëndetit mendor.

KALLËZIMI

Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, një kopje e të cilit u sigurua nga gazeta “Panorama”, procedimi penal ndaj së pandehurës ka nisur në mars të vitit 2016. Ditën e dhjetë të këtij muaji, moderatorja Rudina Magjistari ka paraqitur një kallëzim penal në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Para oficerëve të Policisë Gjyqësore, ajo ka rrëfyer se ka qenë e regjistruar në rrjetin social “Facebook” me emrin “Rudina Magjistari”. Prej muajit tetor 2014 e deri më 21 korrik 2015, ajo ka pohuar se ka marrë mesazhe në faqen e saj “fan page” në “Facebook”, nga një person i cili përdorte profilin me emrin “Vjola S…”, raporton "Panorama".

Këto mesazhe kanë qenë me ofendime dhe fyerje për të dhe për persona të tjerë publikë. Gjithashtu, në to fyhej programi dhe tema të cilat trajtoheshin aty. Me këtë profil kallëzuesja ka pasur lidhur dhe “fan page” po me emrin e saj. Kallëzuesja Magjistari ka sqaruar se nuk u ka kthyer kurrë përgjigje këtyre mesazheve.

Në një komunikim tjetër me këtë person gjatë muajit janar 2015, moderatorja ka marrë mesazhe ku i kërkohej ndjesë për fyerjet dhe sharjet. Njëkohësisht, dërguesja i sqaronte se po kalonte një periudhë delikate të jetës së saj dhe se në momentin kur i kishte shkruar kishte humbur vetëkontrollin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco