Ashpërsohen masat/ Pas super-gjobave, u hiqet patenta shoferëve që nuk vendosin rripin

Ashpërsohen masat/ Pas super-gjobave, u hiqet patenta shoferëve që nuk vendosin rripin

15:11, 15/10/2016
A+ Aa A-

Shumë shpejt Kodi Rrugor pritet të pësojë ndryshime të tjera. Nëse për mos vendosjen e rripit të sigurimit një drejtues automjeti aktualisht gjobitet me 5 mijë lekë deri në 15 mijë lekë të rinj, super-gjoba në një vlerë edhe më të madhe pritet të vendosen për shoferët që përdorin telefonin ndërsa janë në timon.

Në një intervistë për Gazetën Express, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, Ardi Veliu, thotë se kjo masë vjen për të parandaluar aksidentet me pasoja fatale në rrugë, në kushtet kur vetëm gjatë 9 muajve, në 10.4 % të aksidenteve me pasojë vdekjen shoferët kanë qenë duke përdorur telefonin.  E nëse një drejtues automjeti do të kapet përsëritës në këtë shkelje, atëherë ai rrezikon t’i pezullohet leja e drejtimit (patenta).

“Telefoni nuk është pasojë ashtu siç është rripi i sigurimit por është burim aksidenti. Në bazë të statistikave për periudhën 9-mujore, 15 % e të gjithë aksidenteve të evidentuara vijnë si rezultat i përdorimit të telefonit. Dhe 10.4 % e aksidenteve fatale janë përdorues të telefonit. Këto janë shifra që duhet të na shqetësojnë të gjithëve. Nisur nga kjo grupet e punës janë duke punuar për disafishuar vlerën e masës administrative për drejtuesit e mjeteve që përdorin telefonin dhe duke e kaluar me pezullim të lejes së drejtimit kur kemi raste të përsëritura. Aktualisht jemi duke zbatuar normat e Kodit Rrugor, neni 171 pika 2 përcakton sanksionin për përdorimin e telefonit, si masë është nga 500 deri 1500 lekë, që për pasojat që sjell është një masë jo efikase, nuk i përgjigjet dëmit që sjell”, shprehet drejtori i Policisë Rrugore.

Në rastin më të fundit, në aksidentin fatal me 4 jetë të humbura në autostradën Tiranë-Durrës pranë Sukthit, drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët ishin të gjithë pa rrip sigurimi. Një përplasje e fortë ballore mes makinave që vështirë se mund të flitej për të shpëtuar, edhe nëse ata do të kishin respektuar këtë normë. Por në disa aksidente të tjera gjatë muajit shtator, nëntë jetë janë shpëtuar vetëm se kanë qenë të pajisur me rripin e sigurimit.

“Nëse i referohemi muajit të parë të aplikimit të gjobave të reja për rripin e sigurimit, në të gjithë Shqipërinë pati një ulje drastike të numrit të aksidenteve me pasoja fatale. Në rast se bëjmë një krahasim të shifrave të shtatorit 2015 me shtatorin 2016, janë 9 raste më pak me pasoja fatale në këtë periudhë. Kjo është një shifër që na bën optimist, se të shpëtosh 9 jetë njerëzish nuk është pak”, shprehet Veliu.

Gjobat për rripin e sigurimit erdhën pas një fushate sensibilizuese në të gjithë vendin organizuar nga Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe ajo Rrugore, për të ndërgjegjësuar shoferët. Por nësë për shumë drejtues ndëshkimi nga 5 mijë dhe në 15 mijë lekë mund të duket i papërballueshëm, është edhe një masë plotësuese në nenin 170 të Kodit Rrugor: Edhe për rripin e Sigurimit të pezullohet patenta. Drejtori Veliu shpjegon rastet kur ndodh:

“Çdo rast që konstatohet në rrugë, drejtuesi i automjetit dërgohet në organin administrativ shtetëror ku merr vendimin në lidhje me konstatimin e bërë nga punonjësi i policisë. Kjo për faktin se punonjësi i policisë ka të drejtën të vendosë masë administrative deri në 5 mijë lekë të reja në rrugë. Të gjitha masat mbi 5 mijë lekë nuk është më atribut i punonjësit të policisë, por i organit administrativ shtetëror. Në momentin që paraqitet drejtuesi i mjetit që është konstatuar me këtë shkelje, ka gjithë historikun e masave administrative të tij dhe në rast se është përsëritës gjoba fillon edhe rritet në mënyrë progresive. Në rast se është konstatuar se veç drejtuesit të automjetit edhe pjesa e tjetër e bordit në makinë nuk ka përdorur rripin, apo ka lëvizje të mjetit me fëmijë nën moshën 12 vjeç atëherë kalohet në masën plotësuese që është pezullimi i patentës nga 6 muaj deri në një vit”.

Megjithatë, për drejtorin e Policisë Rrugore, masa e re administrative për shkelësit e rripit të sigurimit, i ka dhënë frytet e para.

“Ditët e para numri i masave administrative ishte shumë i lartë, nga 900 gjoba ditët e para duke ardhur duke zbritur dhe tani ka ardhur në 250-300 masa në ditë. Kjo vjen jo sepse është ulur tempi i punës së punonjësve të policisë por drejtuesit e mjeteve janë ndërgjegjësuar”, thekson Veliu.

Në ndryshimet e Kodit është parashikuar edhe vendosjen e gjobës këshilluese, e cila do të aplikohet për shoferët të cilët nuk kanë kryer me parë asnjë shkelje. “Punonjësit e policisë e aplikojnë këshillimin por nuk lenë gjurmë në database-in e policisë, siç do të jetë në të ardhmen”, shpjegon drejtori i Policisë Rrugore.

Referuar akseve të cilat konsiderohen me riks të lartë për aksidente, Policia Rrugore është duke punuar mbi bazën e një plan-vendosje: Në segmentet e rrezikshme janë vendosur punonjës të policisë të cilëve sipas drejtorit Ardi Veliu, i është kërkuar të rrisin rendimentin dhe rastet e ndëshkimit të shkeljeve.

“Duke i goditur këto shkelje, rritet edhe siguria rrugore duke parandaluar aksidentet me pasoja fatale”, - përfundon ai.

Pas hartimit të draftit nga specialistët, ndryshimet e parashikuara në Kodin Rrugor pritet të kalojnë në komisionet parlamentare për të marrë më tej “bekimin” në Kuvendin e Shqipërisë. /Gazeta Express/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco