Lajmi i fundit

Dosja ‘Xibraka’/ Gjykata: Olsi Rama (personi i paidentifikuar) solli trafikantët kolumbianë

Shet qenin e tezes për blerë drogë, ja çfarë i ndodhi më pas të riut nga Kamza

Shet qenin e tezes për blerë drogë, ja çfarë i ndodhi më pas të riut nga Kamza

12:48, 21/01/2017
A+ Aa A-

Kafsha shtëpiake i përkiste tezes së tij, e cila kishte bujtur si mikeshë te nipi i saj. Pasi i ka marrë qenin e racës “bulldog” për t’i bërë një shëtitje, i pandehuri Albion S., përdorues i narkotikeve prej gati 15 vitesh, nuk e ka kthyer më në shtëpi. Ai ia ka shitur atë një shokut të tij për shumën 20 mijë lekë. Me paratë e marra, ai ka blerë lëndë narkotike, si edhe është larguar drejt fshatrave të Vlorës, ku ka punuar si çoban dhe është kthyer në Tiranë gati nëntë muaj më vonë. Në vendimin e shpallur pak ditë më parë, Gjykata dënon të pandehurin Albion S. me 100 mijë lekë gjobë. Ai përfitoi uljen e një të tretës së gjobës, për shkak se dosja u gjykua me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Gjykata e Tiranës sqaron në vendim se i pandehuri është banor në lagjen Kodër- Kamzë dhe njihet si përdorues i lëndëve narkotike. Sipas vendimin, më 4 shkurt 2016, i pandehuri ka nxjerrë për të shëtitur qenin e tezes së tij L. D., e cila kishte shkuar për vizitë te familja e të pandehurit. Pasi ka dalë nga banesa, i pandehuri e ka shitur qenin në shumën 20 mijë lekë te shtetasi E. Y., me qëllim sigurimin e të ardhurave për të blerë lëndë narkotike, pasi ai është përdorues prej 15 vitesh i kësaj lënde. Pasi ka shitur qenin, i pandehuri është larguar në drejtim të paditur, derisa është ndaluar nga policia gjyqësore më 30 nëntor të vitit të kaluar. Gjatë hetimit të çështjes, tezja e të pandehurit ka deklaruar se qenin e saj të racës “bulldog” e kishte blerë në Greqi në shumën 600 euro.

E dëmtuara ka vënë në dispozicion të Prokurorisë edhe dokumentacionin që vërteton pronësinë e saj mbi qenin. Sipas vendimit, nëna e të pandehurit ka deklaruar se e ka gjetur qenin e së motrës te shtetasi E. Y. Ky i fundit i ka treguar se një person me karakteristikat e djalit të saj ia kishte shitur qenin në shumën 20 000 lekë. “Pasi i ka kthyer shumën e mësipërme blerësit, e dëmtuara ka bërë të mundur marrjen e qenit”, thuhej në vendimin e gjykatës. Ndërsa bashkëshortja e tij, gjatë deklarimeve në prokurori si person që kishte dijeni për rrethanat e ngjarjes, ka pohuar se i shoqi e ka kryer një veprim të tillë i shtyrë nga varësia nga lënda narkotike. 

Urdhri i ndalimit i nxjerrë nga Prokuroria për të pandehurin Albion S. është ekzekutuar në nëntor të vitit të kaluar. “I pyetur në cilësinë e të pandehurit, Albion S., në prani të mbrojtësit, ka shpjeguar se qenin ia kishte marrë tezes, kur kjo e fundit kishte shkuar për vizitë te shtëpia e tij në Kodër-Kamzë. I pandehuri ka shpjeguar se qenin ia kishte dhënë një shokut të tij, të quajtur E. Y., duke i marrë një shumë prej 20 mijë lekësh, jo me qëllimin për ta vjedhur. Pasi ka marrë këtë shumë, ai e ka përdorur për të blerë lëndë narkotike e më pas është larguar për në fshatrat e Vlorës, ku ka punuar si çoban, deri ditën që është kthyer sërish në Tiranë, kur edhe është ndaluar nga policia”, citohej dëshmia e tij në vendimin e gjykatës.

/Panorama 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco