DETAJE/ Nëna e re që u dogj në ashensor, do i çonte bukën djalit

DETAJE/ Nëna e re që u dogj në ashensor, do i çonte bukën djalit

11:11, 21/01/2017
A+ Aa A-

Zbardhen detaje nga zjarri i djeshëm në pallatin te Fresku, që i mori jetën një nënë e re, vetëm 30 vjeçe. Ajo po zbriste nga kati i katërt i një pallati në rrugën pranë Thesarit, te zona e “Freskut”, kur zjarri përfshiu ashensorin.

Flakët u përhapën me shpejtësi dhe, pavarësisht thirrjeve të saj për ndihmë nga brenda ashensorit ku ndodhej, asnjë nga banorët nuk mundi ta shpëtonte, pasi nuk arritën të hapnin dot derën.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:00, në një pallat tetë katesh që ndodhet pranë një shkolle 9- vjeçare. Tri makina zjarrfikëse shkuan në vendngjarje, por shumë vonë për të shpëtuar nënën e një djali 5- vjeçar.

Viktima është Drilona Duriçi (Tifekçiu), 30 vjeçe, e cila jetonte aty vetëm me të birin e mitur, pasi i shoqi ndodhet në Gjermani. Burime nga Policia thanë se ndërhyrja ka qenë mjaft e vështirë dhe në momentin që është arritur të hapet dera e ashensorit është gjetur kufoma e karbonizuar e nënës së re.

Për disa orë zjarrfikësit kanë ndërhyrë për të shuar flakët dhe për të evakuuar banorët që ndodheshin të bllokuar brenda apartamenteve të tyre. Një person i asfiksuar nga tymi rrezikoi të binte nga tarraca e pallatit, ku kishte dalë për të marrë ajër, por u arrit të shpëtohej.

Për disa minuta në zonë u krijua një situatë paniku, pasi disa prindër kërkonin me ngulm që të futeshin brenda, duke qenë se kishin fëmijët në shtëpi. Ndërsa mësuesit e shkollës pranë pallatit ku ndodhi ngjarja, nuk i lejuar nxënësit që të dilnin në pushimin e gjatë, për të shmangur çdo incident.

Dëshmitarët thanë se kishin dëgjuar thirrjet për ndihmë të 30-vjeçares dhe kanë nxituar ta ndihmojnë, para dhe pasi kanë shkuar zjarrfikësit në vendngjarje, por hapja e derës së ashensorit ka qenë e pamundur.

Mësohet se viktima, Drilona Duriçi, kishte dalë në mëngjes për të çuar djalin në shkollë dhe ishte kthyer më pas në shtëpi, bashkë me ushqimet që kishte blerë.

Ndërsa në momentin që ndodhi ngjarja, ajo po zbriste që t’i dërgonte djalit diçka për të ngrënë, pasi do të dilte në pushimin e gjatë. Por ky ka qenë edhe momenti tragjik, pasi ajo është bllokuar në ashensorin që ka marrë flakë.

Banorët flasin për luhatje tensioni mëngjesin e djeshëm në pallat. Ndërsa burimet thanë se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e ndonjë shkëndije elektrike në paketën që furnizon me energji ashensorin. Zjarri është përhapur me shpejtësi, i ndihmuar nga vajrat lubrifikantë të depozitës së ashensorit.

/Panorama/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco