Apeli i familjes së pedagogut të burgosur shqiptar në Turqi Pedagogu Marjus Hoxha, gjatë periudhës së studimeve në Turqi

Apeli i familjes së pedagogut të burgosur shqiptar në Turqi

11:00, 13/10/2016
A+ Aa A-

 

Një pedagog i ri shqiptar nga qyteti i Elbasanit vazhdon të mbahet në burg në qytetin Gaziantep në Turqi prej gati 3 muajsh, i dyshuar si mbështetës i grushtit të shtetit të 15 korrikut.

Në përgjigje të grushtit të shtetit që tronditi Ankaranë dhe Stambollin tre  muaj më parë, i orkestruar nga një pjesë e vogël e ushtrisë, qeveria turke ka arrestuar dhjetra mijëra të dyshuar si anëtarë të lëvizjes Guleniste, të cilën e akuzon si organizatore të puçit të dështuar ushtarak.

Arrestimet dhe spastrimet janë shtrirë në ushtri, gjyqësor dhe në rrethet akademike- ku edhe një pedagog i ri shqiptar nga Elbasani është ndaluar si pjesë e kundërpërgjigjes së gjerë të Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan – të cilën disa media ndërkombëtare e kanë anatemuar si “një puç të dytë”.

Marjus Hoxha sapo ka mbushur 25 vjeç dhe ndodhet në qelinë  e paraburgimit të qytetit të Gaziantepit në Turqi, i arrestuar me 24 korrik si mbështetës i grushtit të shtetit.

“Ne kontaktet i kemi pasur deri ditën e arrestimit. Një ditë më pas i binim telefonit e nuk kishim asnjë lloj kontakti,” tregon Bashkim Hoxha, babai i Marjusit.

“U interesuam në konsullatën tonë në Stamboll dhe na lajmëruan që e kanë arrestuar. Na thanë se e akuzojnë se ka lidhje me grushtin e shtetit,” kujton ai.

Me 15 korrik, një fraksion i forcave të armatosura në Turqi, i organizuar nën emrin Këshilli i Paqes në Atdhe tentoi të merrte pushtetin me dhunë, por u mund nga forcat besnike të qeverisë së Presidentit Erdogan.

Gjatë përleshjeve midis puçistëve dhe forcave besnike të qeverisë, më shumë se 300 persona u vranë dhe mbi 2,100 të tjerë u plagosën, ndërkohë që u shkaktuan dëme materiale në shumë ndërtesa, përfshirë parlamentin turk dhe pallatin presidencial.

Qeveria ka akuzuar si organizator të puçit klerikun që jeton në ekzil në SHBA, Fet’hullah Gulen si dhe lëvizjen e udhëhequr prej tij, të cilën autoritetet turke e kanë përcaktuar si organizatë terroriste. Gulen i ka mohuar akuzat duke e dënuar publikisht grushtin e shtetit.

Nga vitit 2007 deri ne vitin 2013, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP e Presidentit Erdogan dhe Lëvizja Gulen ishin aletë në Turqi, të bashkuara kundër influencës së forcave shekullare dhe Kemaliste në ushtri dhe administratë. Por kjo aleancë mori fund në vitin 2013, kur Gulenistët vunë në shenjestër anëtarë të AKP-së dhe familjarë të zyrtarëve të lartë të saj me akuzat për korrupsion.

Pas dështimit të grushtit të shtetit, të paktën 40,000 vetë janë arrestuar në Turqi si simpatizantë të lëvizjes Guleniste, përfshirë 10,000 ushtarakë dhe 2,475 gjyqtarë, ndërsa mbi 15,000 mësues u pezulluan nga puna.

I rritur në qytetin e Elbasanit, Marjus Hoxha është shkolluar në Medresenë e Cërrikut – e cila është një nga shkollat e mbështetura financiarisht nga fondacioni SEMA, pjesë e rrjetit të Lëvizjes Gulen në Shqipëri. Përveç disa medreseve, ky fondacion ka hapur në Shqipëri edhe Universitetin Hëna e Plotë Beder.

Pas shkollës së mesme, Hoxha fitoi një bursë për të studiuar në Universitetin Shtetëror të Gaziantepit, ku ka mbaruar studimet bachelor dhe master për Inxhinieri Ndërtimi.

Më pas ai është pranuar në programin e doktoraturës së universitetit privat ZIRVE në Gaziantep, ku i është dhënë e drejta për të dhënë mësim si asistent pedagog. Sipas prindërve të tij, Marjusi kishte mbyllur provimet e doktoraturës në qershor dhe gjithçka po shkonte mbarë, deri në arrestimin e tij të papritur të 24 korrikut.

Babai i Marjusit- Bashkim Hoxha shprehet se i biri është arrestuar padrejtësisht dhe se ai gjithmonë ka pasur një sjellje shembullore në Turqi, ku edhe është vlerësuar nga autoritetet vendore.

“Marjusi mbahet në qeli padrejtësisht. Ai është një djalë shembullor dhe asgjë nga çfarë është ngritur nuk qëndron,” tha Bashkim Hoxha për BIRN.

“Ai ka disa certifikata vlerësimi nga shteti turk gjatë studimeve të tij që tregojnë se kush është Marjus Hoxha në të vërtetë,” shtoi ai.

Bashkim Hoxha tregon se pas arrestimit të djalit në Gaziantep ka kontaktuar menjëherë me Ministrinë e Jashtme që të interesohej për fatin e tij, por përgjigjja e autoriteteve shqiptare ka qenë e ngadaltë. Vetëm pas më shumë se dy muajsh, një përfaqësues i ambasadës shqiptare në Ankara ka shkuar ta vizitojë në qeli.

Sipas Bashkim Hoxhës, në momentin që është arrestuar, Marjusi ka pasur në xhep vetëm 1 dollar dhe 5 euro. Familja ka arritur të sigurojë një avokat, por procedurat mes mijëra të arrestuarve duken të vështira dhe liria për të riun nga Elbasani, e largët.

Bashkim Hoxha shprehet se i biri ka sakrifikuar shumë për karrierën e tij akademike dhe ky arrestim erdhi si rrufe në qiell të hapur për familjen e tij. Marjusi, thotë babai i tij, ka jetuar i vetëm larg familjes me ëndrrën për t’u shkolluar dhe për të pasur një profesion dhe një jetë më të mirë dhe jo të qëndrojë në qelinë e burgut.

“Ne kërkojmë përshpejtim të procedurave të hetimit për akuzën e ngritur dhe djali të lihet i lirë. Ndërhyrjen mund ta bëjë vetëm shteti shqiptar,” tha Bashkimi.

“Marjus Hoxha është i vetmi shtetas shqiptar që është arrestuar në Turqi me akuzën e përfshirjes në grushtin e shtetit të 15 korrikut. Shteti duhet të ndërhyjë për nënshtetasin e vet. Ai është i pafajshëm dhe nuk mund të trajtohet si një njeri që ka bërë krime,” shtoi ai.

Në apelin e tij, Bashkimi i drejtohet Ministrisë së Jashtme, Presidentit dhe organizatave të të drejtave të njeriut që të bëjnë diçka për të mbrojtur të birin, për të cilin thotë se jo vetëm është i një djalë i pafajshëm, por dhe shembull për të tjerët.

“Ne kemi mall dhe kemi gati 3 muaj që vuajmë burgosjen e padrejtë të djalit tonë dhe presim me shpresë që shteti shqiptar do të bëjë përpjekjet e duhura që ai të lihet i lirë,” përfundoi ai./BIRN

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco