Vrasja e biznesmenit me dy emra, ja pistat që po hetohen...

Vrasja e biznesmenit me dy emra, ja pistat që po hetohen...

23:20, 14/02/2018
A+ Aa A-

Policia e Tiranës në bashkëpunim me grupin hetimor po hetojnë në disa pista në lidhje me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë, ku viktimë mbeti biznesmeni 64-vjeçar Memli Begalla. Burime nga policia bënë të ditur se dyshohet se viktima ka dyshuar se po ndiqej nga autorët, të cilët duket se e kanë arritur në parkingun nëntokësor, ku viktima kishte lënë makinën.

Burime nga policia bëjnë të ditur se viktima ishte pronar i dy gomisterive, ndërkohë që me emrin e mëparshëm Afrim Begalla ka pasur disa biznese të tjera në fushën e turizmit, energjisë, ndërtimit.  

Nga të dhënat e para, mësohet se autorët kanë lëvizur me një automjet të zi me xhama të errët, ndërsa kanë përdorur një armë tip pistoletë me silenciator.

Burimet bëjnë të ditur se viktima ka pasur një të shkuar në Zvicër dhe Itali, të cilat po verifikohen nga policia dhe që mund të çojnë në shkaqet e krimit.

Gjithsesi po hetohet edhe periudha që 64-vjeçari ka jetuar në Shqipëri, ku rezulton se ka pasur disa biznese.

Burimet bëjnë të ditur se autorët mund të kenë pasur informacione mbi lëvizjet e viktimës, ndërsa kanë zgjedhur një orar dhe ditë ku vëmendja më e madhe ishte e përqendruar në ndeshjet e “Champions League”.

Sipas burimeve, një tjetër pistë është ajo e një borxhi të pakthyer, megjithëse vëmendja kryesore është përqendruar në të shkuarën e viktimës. Po kështu, mësohet se po hetohet në lidhje me bizneset që zotëronte 64-vjeçari, problemet që mund të ketë pasur porsa i takon konkurrencës apo lidhjeve të tij në fushën e biznesit.

Burimet pohojnë se fillimisht janë shoqëruar 5 persona, mes të cilëve edhe dy djemtë e viktimës, ndërkohë që janë të paktën 15 persona që do të pyeten në lidhje me ngjarjen. Burimet shprehen se ata do të merren në pyetje me cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për problemet e viktimës, apo për problemet që ata vetë mund të kenë pasur me 64-vjeçarin.

Mësohet se rruga në të cilën ka ndodhur krimi monitorohet me kamera, të cilat mund të hedhin dritë mbi autorët e krimit.

*Vrasja në Tiranë/ DETAJE: Kush është biznesmeni i ekzekutuar, si u krye krimi...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco