Kur do të ndërtohet Spitali Psikiatrik Ligjor? Manjani: Dua ta diskutoj me Beqajn

Kur do të ndërtohet Spitali Psikiatrik Ligjor? Manjani: Dua ta diskutoj me Beqajn

20:59, 15/11/2016
A+ Aa A-

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, deklaroi nga studio e emisionit "Fiks Fare" se do të bashkëpunojë me kolegun e tij, atë të shëndetësisë, Ilir Beqaj, për ndërtimin e Spitalit Psikiatrik Ligjor.

Manjani deklaroi se duhet të ndahet burgu nga spitali, duke ia kaluar përgjegjësinë kolegut të tij socialist. Për Zaharinë, tha se është një burg për të ardhur keq.

"Nuk e konsiderojmë brenda standarteve që duhet të jetë. Shumë shpejt do të gjejmë zgjidhje. Po pyetja që ngre është: Kur sëmureni ku shkoni?", tha ministri, ndërsa përgjigja e Devit dhe Dorit ishte e natyrshme: në spital. "E pra, kur sëmurëm do shkoj në spital. Kemi marrë bashkë me kolegun e Shëndetësisë që të konsiderojmë spitalin spital dhe burgun burg", tha Manjani, ndërsa shtoi se, këta që janë në Zahari, bashkë me sëmundjen e kanë bërë edhe ndonjë krim, duke iu referuar të dënuarit që u intervistua nga “Fiks Fare” në Zahari, se kishte shkuar në bankë për të marrë 20 mijë euro. 

Ministri tha se, edhe të sëmurët që janë rrugëve kanë të njëjtat kushte si ata në burg. "Sipas ligjit shqiptar, por edhe atij ndërkombëtar, kushdo që është i sëmurë psikik duhet të mos futet në burg, por duhet të dënohet me mjekim të detyrueshëm. Duhet t’i çojnë në spital, por në kushtet që shteti nuk ka spital, ne i kemi mbyllur në një “kuazi spital”, por që i ka të dyja funksionet. Kjo do të thotë se autoriteti i burgut është roja, kurse autoriteti i shëndetit është spitali dhe kjo është që duhet t’i ndajmë". vijoi Manjani. 

Pyetjes së Fiksit,: Kur do të ndërtohet Spitali Psikiatrik Ligjor, Manjani iu përgjigj:

"Do të doja që bashkë me mua të vijë edhe ministri i Shëndetësisë dhe ta diskutojmë të dy së bashku në “Fiks Fare”, bashkë me ju".

Moderatorët e pyetën se "do vini prapë këtu?".

"Patjetër, herës tjetër do vij me ministrin e Shëndetësisë për ku, kur si dhe sa shpejt do të bëhet Spitali Psikiatrik Ligjor", përfundoi Manjani. 

Fiks Fare i dorëzon Manjanit "Rrotën e Fiksit"

Më 18 tetor, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani do të shokonte mbarë opinionin, por edhe duke trazuar ujërat në kabinetin "Rama" për korrjen e hashashit në vend: “Njerëzit janë të bindur që kjo gjë ndodh në Shqipëri dhe mendoj se na takon neve të reagojmë në mënyrë proporcionale: nëse është e nevojshme për të dhënë një efekt reagues proporcional edhe ushtria duhet të dalë. Nga ky fenomen, o ndahemi tani, o nuk ndahemi më". 

Pas deklaratës në studio për burgun-spital të Zaharisë, Foni i dhuroi ministrit simbolin e “Fiksit”, rrotën. "Kam kënaqësinë që në emër të Forcave të Armatosura, edhe në emrin tim personal si një oficer në rezervë, t'ju jap simbolin e “Fiks Fare”, për gjetjen që keni bërë ju që të angazhoni forcat e ushtrisë në mbledhjen dhe korrjen e hashashit pa firo për vitin 2016. Ku të vajti mendja?" ishte motivacioni. 

Më pas, Manjani tha se është një shprehje e vjetër: i gjithë populli ushtar. 

Në fund, ministri kishte edhe një mesazh për të gjithë zyrtarët e drejtësisë: “Bëjnë mirë të vijnë në Fiks Fare dhe të bëjnë vetingun se ky është vetingu më i saktë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco