Dezertimi i 4 Komandove, ish-shefi i shtabit të FA-ve: Tradhti e burracakëri!

Dezertimi i 4 Komandove, ish-shefi i shtabit të FA-ve: Tradhti e burracakëri!

18:33, 18/11/2017
A+ Aa A-

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura e ka quajtur dezertimin e katër ushtarakëve të trupave Komando, një akt burracakërie dhe tradhtie. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 ai tha se largimi në këtë formë është i pajustifikueshëm, edhe nëse është bërë për shkak të kushteve ekonomie.

Ka patur një dezertim të 4 ushtarakëve. Për këtë do të flasim me ish-shefin e FA-ve Jeronim Bazo. Si e keni parë këtë dezertim të 4 ushtarakëve?

Patjetër që e kam ndjekur rastin e fundit në fjalë sepse për hir të së vërtetës dua të ndaj me ju ndjesinë që sado të largohesh në kohë nga FA-të pas një shërbimi aq të gjatë, nuk të hiqet kurrë meraku, vëmendja, shqetësimi.

Ndjesia që unë përcolla ngjarjen e fundit ishte një ndjesi e tillë komplekse ku përzihej meraku në radhë të parë, për njerëzit trishtimi madje dhe pak inatosja do të thosha.

Inat pse?
Sepse kemi arritur në një stad ku nuk është më e nevojshme për të gjetur të tilla mënyra hileqare, tinëzare për të bërë emigracionin në kurriz të taksapaguesve dhe për më tepër në kurriz të besimit që të është dhënë nën uniformën e nderuar të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Përsa i përket termit që ju thatë, termi qëndron dhe është i përdorur gjerësisht, sidomos kur vjen fjala për braktisje të detyrës në FA, duhet sqaruar sepse është një spektër i tërë që përfshin indisiplinimet nga më të voglat deri tek më të rëndat por në këtë rast është një pikë kulmore, aq më tepër që ka marrë një profil kaq të lartë mediatik dhe ndërkombëtar sepse këta e kryen këtë akt jashtë kufijve të vendit aq më tepër duke qenë në një trajnim të posaçëm për t’i nderuar Forcat e Armatosura dhe jo për t’i turpëruar. FA-të braktisjen e detyrës e shikojnë si një akt tradhtie dhe si një akt burracakërie. Kështu shikohet gjerësisht në komunitetin e  FA-ve në Shqipëri dhe jo vetëm.

A nuk mund të shihet si një akt i detyruar për të ndërmarrë atë që ndërmorën? Sepse në bisedat e zhvilluara me të afërmit e tyre, baballarët e dy prej ushtarakëve janë shprehur se rroga apo kushtet ekonomike i kanë detyruar të bëjnë këtë gjë.
Akt i detyrueshëm është i pajustifikueshëm, i papranueshëm, i patolerueshëm. Nuk ka asnjë justifikim në botë që ti të braktisësh ekipin dhe skuadrën tënde. Supozojmë që kushtet janë të tilla që të detyrojnë të ndërmarrësh veprime të dëshpëruara në jetën e përditshme por jo kur ti je futur për të shërbyer dhe kur je betuar për të shërbyer bashkë me shokët e tu. Këtë nuk të falin shokët e tu në unformë. Ti shkon së bashku në një mision dhe kthehesh së bashku dhe pastaj nëse të ka ardhur litari në fyt ka mënyra të tjera për të dhënë dorëheqjen dhe për t’u larguar me nder nga FA-të dhe të ndjekësh rrugët e mundësitë më të mira për të rregulluar gjendjen ekonomike.

Kjo nuk ka asnjë justifikim për të braktisur detyrën. Nuk ka justifikim për këtë. Shkohet me ekipin, kthehesh me ekipin.

Përse kërkohet gjithnjë e më tepër të lihet ushtria?
Nuk do të thosha që është një fenomen masiv i lënies së ushtrisë.

Ama shprehje të madhe të dëshirës ka…
Duhet ta shikojmë nga të dyja anët, në hyrjet e reja dhe daljet. Pra, duhet parë i tërë procesi. Jam i sigurt që Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm tani që flasim ne janë duke e analizuar me qetësi, me hollësi për t’i shkuar deri në fund fenomenit, për të rianalizuar dhe për të riparë të gjithë procedurën, që nga hyrja deri në dalje. Çfarë problemesh ka, ku çedohet, ku janë vrimat, si mund të rregullohen çështjet ekonomike. Motivimi, incetivat që do t’i afrohen pjesëtarëve të FA-ve për të na shërbyer dhe për të na përfaqësuar me nder si deri sot.

Çfarë motivimi kanë sot komandot?
Duhet sqaruar edhe një gjë tjetër që përbërja e këtij ekipi dhe më lejoni që unë ta rikuadratoj dhe fokusoj, mbase publiku i gjerë mbase nuk e di mirë. Mendon se mbase është një nga vajtjet në mision ose çfarë do qoftë. Këtu bëhet fjalë për një stërvitje që ka dhe formën e kompeticionit që zhvillohet në Uellsin Qendror në Mbretërinë e Bashkuar dhe stërvitja quhet “Patrullimi në lartësitë e Kambrias”. Është një ushtrim dhe stërvitje e mirënjohur në të gjithë botën tashmë, që zhvillohet në Uellsin Qendror prej më se 50 vjetësh. Me kalimin e viteve ka filluar të jetë e hapur edhe për pjesëmarrës ndërkombëtarë. Pra është një test, është një provë për të parë se sa mirë i zbaton në terren aftësitë e fituara gjatë stërvitjes në vendin tënd. Aty shkojnë mbi 20 vende që dërgojnë ekipet e patrullimit dhe më lejoni t’ju them që në rastin e Shqipërisë ne këtu e kishim për herë të dytë, mbasi për herë të parë kur shkuam, ishte viti 2013 në mos gaboj nuk humbi rrugës si këta tanët por humbi rrugën gjatë stërvitjes, çfarë na dëshpëronte vërtetë. E morëm seriozisht gjithë këto vite për t’u përgatitur dhe për të marrë pjesë denjësisht dhe për të dalë faqebardhë nga 48 orëshi i kësaj stërvitje kaq dinjitoze që zhvillohet tradicionalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Për hir të së vërtetës ky ekip prej 11 vetash në mos gaboj, bashkë me komandantin e tyre doli këtë radhë faqebardhë, e mbylli patrullimin në lartësitë cambrian, ndërkohë katërshja dështoi ose nuk u paraqit në pikën e grumbullimit për t’u kthyer në atdhe. Pra, mbasi kryen me sukses detyrën, vendosën të zhvishen nga uniforma dhe përgjegjësia që mban ajo dhe të kthehen në emigrantë të rëndomtë. Ky është problemi që unë nuk do tua falja.

A mbetet një vend joshës Britania e Madhe për këta ushtarakë, ndoshta edhe SHBA-të?
Do të thosha që ka qenë një periudhë kur vërtetë SHBA-të ishin një shënjestër joshëse dhe kemi pasur probleme nga fundi i viteve ’90, fillim i viteve 2000 sidomos kur dërgonim ekipe të mëdha për t’u stërvitur së bashku me partnerët. Ka pasur cedime ose ndonjë dezertim ose mbetje. Kurse në Mbretërinë e Bashkuar ne kemi rritur vitet e fundit jashtëzakonisht bashkëpunimin por nuk është shoqëruar me të tillë fenomen.

Pra ju gjatë detyrës suaj nuk keni hasur në një situatë të tillë?
Nuk e kam pasur për fat të mirë, por që nuk do të thosha sërish që është momenti për të baltosur punën, përgatitjen e FA-ve, pavarësisht nga kjo shuplakë e fortë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco