Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Grabitja e pronave në Spille, flet dëshmitari: Si e privatizuan tokën që e kisha me qera 10 vjet

Grabitja e pronave në Spille, flet dëshmitari: Si e privatizuan tokën që e kisha me qera 10 vjet

08:37, 17/11/2017
A+ Aa A-

Lulzim M., një nga banorët e fshatit Synej i cili ka ndërtuar hotel në zonën e plazhit të Spillesë, ka treguar në prokurori skemën e plotë se si i kanë marrë sipërfaqen e pyllit përpara hotelit, për të cilin ai paguante para tek Fondi Pyjor Kombëtar.

”Shqiptarja.com” zbardh të plotë dëshminë e tij, ku tregon me detaje se çfarë ka ndodhur me pasurinë që ai administronte dhe për të cilën paguante. Lulzim.M, është një nga dëshmitarët e akuzës, ndërkohë që veç tij në dosjen hetimore prokuroria ka administruar dhe dëshmi të tjera që vërtetojnë veprimet abuzive të 12 personave tashmë të proceduar penalisht nga prokuroria e Kavajës.

“Nga ana e Bashkisë Rrogozhinë më është dhënë një hapësirë publike me sipërfaqe 1.700 m2 për vendosjen e 32 çadrave, por jo para hotelit, pasi këtë hapësirë ia ka dhënë shtetasit me mbiemrin Biba, i cili ka zënë edhe hapësirën e pyllit të cilën unë e kam në përdorim deri në vitin 2023” - thotë në dëshminë e tij Lulzim.M.

Dëshmia e plotë

Nga viti 1992 e në vazhdim jetoj dhe punoj familjarisht në Torino, Itali. Në vitin 2000, në pronën tonë të cilën e kemi blerë, të ndodhur në fshatin Spille, Kavajë, unë së bashku me vëllezërit e mi kemi ndërtuar një objekt 5 Kate, Bar-Restorant, Hotel “T…”, që shërben për turizëm. Duke qenë taksapagues i rregullt, në vitin 2010 kam bërë një kërkesë pranë Drejtorisë Pyjore Kavajë për të marrë me qira pjesën e pyllit para hotelit, në mirëmbajtje dhe në shërbim të pushuesve.

Më kontratën me nr,453 rep.,nr, 200 kol., dt. 18 korrik 2013 të noterit Frederik Tengu, është lidhur një kontratë qiraje për dhënie në përdorim të fondit pyjor kombëtar, ku unë kam marrë me qira sipërfaqen prej 3.000 m2, me afat 10-vjeçar, me të drejtë rinovimi. Kjo kontratë gjendet e regjistruar edhe në regjistrat e APP Tiranë. Bashkëlidhur kësaj kontrate gjendet edhe plan-rilevimi për pasurinë me nr.35 së bashku me kufizimet e saj. Pas lidhjes së kësaj kontrate kam aplikuar dhe e kam dorëzuar pranë ZVRPP Kavajë. Qiranë e kësaj sipërfaqeje pylli, e kam paguar deri në vitin 2016.

Në vitin 2016 e gjithë sipërfaqja e pyllit të Spillesë, në bazë të ligjit nr. 48/2016, për transferimin në pronësi të bashkive të pyjeve dhe kullotave publike, ka kaluar në varësi të Bashkisë Rrogozhinë.

Dalja në skenë e pronarit tjetër

Në muajin qershor 2016 para objektit tim dhe në tokën që unë kam marrë me qira nga Drejtoria Pyjore Kavajë, ka ardhur një person që më është prezantuar si pronari i ligjshëm i tokës arë, me mbiemrin Biba. Toka që ai pretendonte se është tokë e tij - është fond pyjor, ose më saktë është parku kombëtar i Spillesë, i cili është mbjellë me pisha afërsisht prej 30 vitesh dhe kjo sipërfaqe është e regjistruar në emrin e familjes sime (vëllait tim Petrit Muça) në Ministrinë e Mjedisit.

Në këto kushte jam paraqitur pranë ZVRPP Kavajë duke kërkuar informacion sesi është pajisur ky shtetas me tokë arë kur në terren është pyll dhe në vitin 2013 kam depozituar kontratën e qirasë në këtë zyrë kur regjistrues ka qenë shtetasi Adrian Malaj. “Biba mori tokën që unë paguaj qiranë deri në vitin 2023”

Nuk e kuptoj se si janë bërë pronarë në sipërfaqen e pyllit dhe të ranishtes duke e kthyer në tokë arë, kur aktualisht është pyll dhe ranishte. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe unë kam pasur në përdorim hapësirën publike për vendosjen e shezllonëve nga viti 2003- 2016, për të cilat kam qenë pagues i rregullt i taksave dhe i tatimeve.

Para hotelit tim, nga ana e Bashkisë Rrogozhinë hapësira e rërës i është dhënë një shtetasi me mbiemrin Biba, i cili ka ndërtuar një objekt dykatësh me dru si dhe ka zënë hapësirën publike para hotelit tim.

Nga ana e Bashkisë Rrogozhinë më është dhënë një hapësirë publike me sipërfaqe 1.700 m2 për vendosjen e 32 çadrave, por jo para hotelit, pasi këtë hapësirë ia ka dhënë shtetasit me mbiemrin Biba, i cili ka zënë edhe hapësirën e pyllit të cilën unë e kam në përdorim deri në vitin 2023. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco