Kuçi: Shqipëria nuk mund të mbrojë sovranitetin e Kosovës

Kuçi: Shqipëria nuk mund të mbrojë sovranitetin e Kosovës

22:41, 07/02/2017

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, mori pjesë sot në një forum diskutimi në Tiranë.

“Kosova shtet vetëm sa e ka fuqizuar kombin shqiptar”, tha numri dy i qeverisë së Kosovës, duke theksuar se për të ruajtur sovranitetin e saj Kosova mund të kërkojë ndihmë nga SHBA-ja, NATO, apo BE, por jo nga Shqipëria.

Kuçi sqaroi se nuk ka asnjë interes në Kosovë që të shqiptarët të bëhen nxitës të ndonjë konflikti në rajon, përkundrazi, ata do të tentojnë që të ruajnë dhe zhvillojnë paqen me fqinjët.

Ai foli dhe për skenarët që u përfolën në media për këmbim territoresh me Serbinë dhe i cilësoi si deklarata e opinione që vijnë nga bota akademike apo intelektuale dhe që s’kanë asnjë lidhje me qëndrimin zyrtar, i cili sipas Kuçit, duhet të jetë i kujdesshëm dhe në pajtim me kufijtë me të cilët Kosova është njohur si shtet prej partnerëve ndërkombëtarë.

“Shpesh herë flitet deri ku shteti shqiptar mund të ndihmojë shtetin e Kosovës? Unë mendoj që mund ta ndihmojë ashtu siç e ka ndihmuar deri më tani. Por janë 3-4 çështje që ne duhet ti bëjmë vetë", ka thënë Kuçi, përcjell Mapo.

"E para sovranitetin duhet ta ushtrojmë vetë, mos të kërkojmë nga Shqipëria, mbase duhet të kërkojmë nga SHBA-ja, NATO, apo BE-ja. E dyta në tërësinë territoriale duhet të kërkojmë garanci ndërkombëtare. Besoj që kjo është më e udhës, ne e kuptojmë këtë lloj mbështetje që marrim nga Shqipëria, por duhet të jemi korrekt që të themi se Shqipqria dhe Kosova duhet t’i prijnë asaj që të hyjnë sërish në luftë. Ka patur luftëra mjaftueshëm. E treta duhet që autoriteti i ligjvënies dhe vendimarrjes në Kosovë ti ketë duart më të lira. Por të gjitha këto raporte duhet të jenë të kujdesshme edhe në raport me unionin evropian. Të gjithë ne Kosova, Serbia edhe Shqipëria duam të hyjnë në unionin evropian", është shprehur Kuçi.

"Të gjithë ne kemi një pjesë të mbetur etnike diku tjetër. Shqipëria ka shqiptarë jashtë saj, po ashtu Kosova, po ashtu dhe Serbia. Hyrja në unionin evropian është rruga e parë në bashkimin e këtyre pjesëve të mbetura etnike në një organizatë. Zbutja e ekstremizmave fetare, fenomen ky më pak i theksuar në Shqipëri, por më shumë në Kosovë”, u shpreh Kuçi ndër të tjera.

I pyetur nga studentët për qëndrimet e qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama që këtu cilësohen si nacionaliste, Kuçi iu përgjigj se marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare nuk kanë nevojë të kalojnë në retorikë nacionaliste.

“Ne duhet ta luajmë rolin e partneritetit. Ne kemi thënë që është shteti nënë dhe ne e kemi patur pikë reference, pikë drite, duhet të dalim me logjikën si ne që kemi shqiptar në Maqedoni kudo tjetër, duhet të japim premtime për aq sa mund t’i mbajmë. Por edhe nuk duhet të kërkojmë nga Shqipëria një veprim që e dëmton Shqipërinë", ka thënë Kuçi.

"Ne duhet të bëjmë veprime të kujdesshme. Ne duhet t’i ikim politikave të inatit. politikave nacionaliste dhe të kemi politika që kërkojnë anëtarësimin në unionin evropian. Askush më shumë në rajon nuk ka nevojë për vlera evropiane se sa kombi shqiptar. Edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Kurrë nuk do të kërkojmë prej Shqipërisë diçka që e dëmton shtetin shqiptar, por atë që ka kapacitet për të bërë. Edhe ne do të kërkojmë të njëjtën. Ne do bëjmë për Shqipërinë atë që nuk e dëmton kurrë, por të kundërtën do ta forcojmë Shqipërinë dhe kombin shqiptar”, është shprehur zëvendëskryeministri i Kosovës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Arber08/02/2017 04:10

Po kur te fitoje Marine Le Pen dhe Franca te dale nga Unioni Europian, si do ja beni? Do te shkrihet Unioni si kripa ne uje. Nje institucion qe pretendon te fuse ne zgjedhe te re pas Bashkimit Sovietik popujt e Europes eshte nje Diktature qe maskohet si demokratike. Synimi i tyre eshte kthimi i Europes ne nje bug, ku te shkaterrohen identitetet nacionale te popujve te Europes duke ju marre sovranitetin e duke e lene ne duart e burokrateve te korruptuar e te pazgjedhur te Brukselit. Kur popuj te tille si Anglia e Franca ndihen te rrezikuar ne ekzistencen e yre nga kjo perandori atehere ne jemi te mbaruar. Nje sugjerim i thjeshte. Le te krijojme shtetin tone te bashkuar panshqiptar me te gjitha trojet etnke, e pastaj te shohim per te tjerat.

Shto koment

Denonco