Kufiri me Malin e Zi, sot votimi në Kuvendin e Kosovës

Kufiri me Malin e Zi, sot votimi në Kuvendin e Kosovës

08:56, 23/02/2018

Kuvendi i Kosovës sot mban seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite është ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Seanca është paraparë të fillojë në ora 10:00. Një ditë më parë ka dështuar seanca, pasi nuk është arrit që të sigurohen votat e mjaftueshme për ta ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Deri te shtyrja e seancës erdhi pasi që nuk u sigurua numri prej 80 votave të nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes. Liderët politikë dhe deputetët fituan edhe një ditë shtesë për negociata mes vete.

Pas një pritjeje prej më gjatë se 2 orë e gjysmë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli doli në foltoren e Kuvendit dhe ftoi deputetët të shpërndahen. Ai tha se seanca pritet të fillojë të premten, nga ora 10:00.

Pas shtyrjes së seancës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha para medieve se Kuvendi duhet të marrë vendim, të ratifikojë demarkacionin, për t’iu mundësuar qytetarëve të Kosovës të lëvizin lirshëm, pa viza, brenda këtij viti.

Qeveria e Kosovës ia ka bashkangjitur këtij Projektligji edhe një raport të Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, i cili nuk e mbështetë Marrëveshjen e arritur me Malin e Zi më 2015, si dhe Deklaratën e nënshkruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, përmes së cilës shprehet gatishmëria dypalëshe për korrigjimin e gabimeve eventuale gjatë procesit të Demarkacionit të kufirit.

Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, nevojiten 80 vota të deputetëve apo dy të tretat e numrit të tërësishëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht, votën kundër e ka paralajmëruar vetëm Lëvizja Vetëvendosje, përderisa subjekti tjetër opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, pritet që të kërkojë shmangien e votimit për raportin e Komisionit shtetëror, të cilin e konsideron vetëm si një draft të papërfunduar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco