Pas demarkacionit, edhe të drejtat e romëve dhe ashkalive, ndihmojnë rrugen drejt BE

Pas demarkacionit, edhe të drejtat e romëve dhe ashkalive, ndihmojnë rrugen drejt BE

10:47, 21/02/2018

Të drejtat e romëve dhe ashkalinjve janë prioritet kyç i Kosovës në rrugën drejt BE-së. Kështu u tha në seminarin mbi zotimin e Politikave dhe Përfshirjen e Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Shoqërinë e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se në Kosovë secili është i vlefshëm. E këtë tha se më së miri e ka mësuar kur është dashur të formojë Qeverinë, pasi që secili ka pasur peshën e tij në formimin e saj.

 Kështu e nisi ai fjalën e tij në mbështetje të Komunitetit rom dhe ashkali për integrim në shoqëri dhe institucione.

"Të gjitha mësimet e nxjerra nga e kaluara, duhet të na shërbejnë për të qenë më vizionar. E vizioni ynë më i mirë është nëse në mund t'i bëjmë romët dhe ashkalinjtë të barabartë me gjithë të tjerët në Kosovë. Pra me iu dhënë përkrahje atyre. Për këtë arsye edhe Qeveria dhe pjesëmarrja politike, janë njëfarë shenje se në Kosovë është vendosur e drejta. Një pjesë e madhe e romëve në Kosovë kanë probleme me banimin. E di se kjo është një çështje e ndjeshme. Shkollimi i fëmijëve nuk është ai që duhet me qenë. Është edhe problemi i trajtimit shëndetësor, i punësimit, ku në duhet ta përmirësojmë pjesëmarrjen në sektorin publik edhe pse kjo është në rregull me ligj, porse disa nga komunitetet si romët dhe ashkalinjtë janë më keq", tha ai.

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova tha se të drejtat e komunitetit rom dhe ashkali  në Kosovë janë prioritet kyç i Kosovës në rrugën drejt BE-së.

"Kosova ka kornizën legjislative në vend, porse nëse nuk i kthejmë fjalët në veprime, atëherë është koha që të shohim se çfarë duhet të bërë. Unë iu inkurajojë që të vendosim fokusin mbi komunitetin rom dhe ashkali. Vajzat dhe gratë rome dhe ashkali  diskriminohen dyfish. BE mbështet rininë e këtij komuniteti. Shumë prej projekteve jo domosdoshmërisht kërkojnë fonde, vullneti politik shpesh është ai që bënë diferencën”, tha Apostolova.

Ndërsa përfaqësuesi i OJQ-së Zëri i Komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, Isak Skenderi, tha se romët në Kosovë nuk janë më mirë se në vendet tjera, niveli i papunësisë për ta vazhdon të rritet, përderisa shumë rom dhe ashkali,  sipas tij, vazhdojnë te jetojnë në vende tjera që nga lufta e fundit, pasi që nuk u janë krijuar kushte të mira për kthim.

“Ne dëshirojmë që Qeveria jonë të trajtojë me kujdes këto çështje në mënyrë që të përmirësojë situatën tonë”, tha ai.

Koordinatorja e Politikave për romë, DG NEAR, Marta Garcia, mbështeti Qeverinë e Kosovës në drejtim të ofrimit të mundësive më të mëdha për romët dhe ashkalinjët.

 “Jam e sigurt që edhe komuniteti ynë ka ketë synim. Ky seminar ka filluar sepse që nga viti 2011 është bërë thirrje për integrimin e romëve dhe ashkalinjve në BE. Çfarëdo hapi i bërë përpara drejt integrimit të romëve dhe ashalive është një hap drejt integrimit në BE”, tha ajo. Bota Sot.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco