Shqipëria i dërgon urime Kosovës për 10-vjetorin e Pavarësisë: letra e Ilir Metës drejtuar Hashim Thaçit

Shqipëria i dërgon urime Kosovës për 10-vjetorin e Pavarësisë: letra e Ilir Metës drejtuar Hashim Thaçit

08:13, 17/02/2018

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i ka dërguar urimet më të përzemërta, Kosovës me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë. Në një letër drejtuar Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, Meta shkruan: 

"Me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju përcjell në emrin tim dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, urimet më të ngrohta e vëllazërore.

Në këtë dekadë të parë si shtet i pavarur dhe sovran, ndajmë me ju krenarinë e përparimit të jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë në të gjithë elementët shtetndërtues dhe të përfaqësimit të saj dinjitoz në botë.

Jam gjithashtu i entuziazmuar që marrëdhëniet tona vëllazërore dhe ndërshtetërore janë në nivelet më të larta të bashkëpunimit, dhe janë konsoliduar në shtratin e integrimeve europiane dhe euro-atlantike, përkrah partnerëve tanë strategjikë.

Kam bindjen e thellë se, vetëdija, pjekuria dhe përgjegjshmëria e lartë shtetërore që karakterizon institucionet dhe popullin e Kosovës do të mundësojnë një zhvillim edhe më të shpejtë e të shumëdëshiruar.

Ju siguroj se, unë si President i Republikës, por edhe të gjitha institucionet e Shqipërisë do të jemi gjithmonë mbështetës e përkrah në ndërmarrjet tuaja të guximshme që fuqizojnë institucionet, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë, që konsolidojnë harmoninë e bashkëjetesës gjithëpërfshirëse dhe që thellojnë bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës me miqtë dhe organizatat shumëpalëshe.

Së bashku me urimet më të mira e vëllazërore, për konsolidimin, zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të Kosovës, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Përzemërsisht, Ilir Meta."

     

     

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco