Deklarata e Edi Ramës, thikë pas shpine ndaj pavarësisë së Kosovës

Deklarata e Edi Ramës, thikë pas shpine ndaj pavarësisë së Kosovës

Nga SYRI.net - 20/02/2018

Deklarata e Ramës nuk është thjesht provokim, por mesazh nxitës për të gjithë armiqtë e pavarësisë së Kosovës. Në momentin kur Kosova hodhi një hap pozitiv në drejtim të pavarësisë me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi dhe qytetarëve të Kosovës iu hap rruga e lëvizjes së lirë drejt BE, armiqtë e pavarësisë së Kosovës morën mesazhin nxitës nga Rama për të vazhduar betejën e tyre kundër pavarësisë.

Deklarata e Ramës nuk mund të jetë thjesht provokim se të gjithë politikanët e Shqipërisë e të Kosovës e kuptojnë shumë mirë se është anti-produktive të flasësh për Shqipërinë e Madhe apo ndarjen e Kosovës sepse pavarësia e Kosovës me mbështetjen e perëndimit, veçanërisht të SHBA, është realizuar pikërisht bazuar në parimin “as ndarje e Kosovës as bashkim i saj me shtete fqinj”.

Deklarata e Ramës nuk është thjesht provokim sepse të gjithë politikanët e Shqipërisë e të Kosovës e kanë kuptuar shumë mirë se ajo është njëkohësisht edhe një shashkë për të hequr vëmendjen nga hallet e shqetësimet e qytetarëve të dy vendeve nga varfëria e papunësia por mbi të gjitha nga keqqeverisja e Ramës, korrupsioni, lidhja e e shtetit me krimin, trafiqet e narkotikëve e tjerë. Prandaj as kanë reaguar dhe as duhet të reagojnë.

Deklarata e Ramës nuk është thjesht provokim por një tymuese për të hequr vëmendjen nga pazaret e paqarta me Greqinë për kufirin e detit dhe çështjen çame të cilat Rama i ka mbyllur pa bërë asgjë transparente për publikun. Dhe politika nuk duhet ti bashkojë këto dy cështje ndonëse qëllimi i Ramës është kundër interesave të Kosovës dhe qytetarëve të Shqipërisë, thjesht për të mbajtur pushtetin e tij duke trullosur mendjen e qytetarëve.

Deklarata e Ramës nuk është thjesht provokim por eventualisht një mesazh komprometimi për politikanët e Kosovës të cilët duhet urgjentisht dhe fuqimisht të distancohen sepse ajo është një thikë pas shpine për pavarësinë e Kosovës. Pikërisht në 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës kur ajo po tregonte se shteti i ri i Kosovës funksionon dhe ka të gjithë mundësitë të funksionojë si shtet i pavarur më vete. Pikërisht atë ditë kur kishte një hap të rëndësishëm për të zgjedhur mosmarrëveshjet me fqinjin e saj Malin e Zi dhe i treguar miqve ndërkombëtarë se respekton me seriozitet këshillat e tyre. Pikërisht atë ditë kur armiqtë e pavarësisë morën një goditje të rëndë për tezat e tyre negative ndaj Kosovës.

Pikërisht në këtë moment Rama deklaroi atë që s’duhej të deklaronte. Thjesht për egocentrizëm. Por jo vetëm kaq. Për pushtetin e tij personal duke trullosur mendjet e qytetarëve të thjeshtë. Dhe duke tërhequr vëmendjen e politikanëve naivë. Ai nuk duhet marrë seriozisht për ato që thotë por për ligësinë pas së cilës fshihet i babëzisë për pushtet personal.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco