Të gjitha blerjet e sezonit, vijnë nga ky ekran… Si u shndërrua 'InTv' në televizionin e yjeve të rinj

Të gjitha blerjet e sezonit, vijnë nga ky ekran… Si u shndërrua 'InTv' në televizionin e yjeve të rinj

11:44, 02/09/2017
A+ Aa A-

“InTv” (dikur “Mad”), hyri në tregun mediatik shqiptar me një vizion dhe target të qartë. Do të ishte (dhe është) televizioni i të rinjve, ndaj dhe e gjithë gama e programacionit i është dedikuar atyre. Si rrallë herë ndodh, ky televizion zgjodhi që të kishte në bordin e tij, fytyra krejtësisht të reja për ekranin, të cilat me kalimin e kohës u kthyen në shumë të pëlqyer për shikuesit. Dhe ja ku vjen dita, që ata e braktisin televizionin që i rriti për të ndjekur karrierën në ekrane më të mëdha, me më shumë autoritet dhe audiencë… Në fakt shfrytëzimi i figurave të krijuara nga “InTv” ka nisur më herët sesa këtë fundsezoni, ku lajmet për largimet nga ky ekran ishin të shumta.

E para që zgjodhi të bëjë pjesë të show-t të saj imazhet e “InTv”, ishte producentja e “Dancing With The Stars”, Holta Dulaku, e cila i propozoi dyshes Mateo-Rudi të “3jat” të drejtonin bashkë me Amin, spektaklin më të ndjekur të vallëzimit, pa u shkëputur nga ekrani ku shfaqeshin çdo natë. Pas tyre, ishte sërish “Vizion Plus” që rrëmbeu nga “Geek Room” në “InTv”, bukuroshen që mban titullin “Miss Shqipëria”, Nevina Shtyllën, për të drejtuar programin “Next”. Aktualisht Nevina pas sezonit veror si drejtuese e “Maratonës” është konfirmuar si moderatore në programin “Jo Vetëm Modë” në “Tv Klan”. Bashkë me të, televizionit “Klan” i është bashkuar dhe Arjola Shehu, drejtuese e disa rubrikave dhe formateve në “InTv”, së fundmi e “Tek Unë”, ku spikati veçanërisht për të ftuarit. Shehu do të drejtojë në sezonin e ri programin e mesditës në këtë kanal. Por “InTv” ishte gjithashtu trampolina për të mbërritur në “Top Channel” e Kelvi Kadillit.

Drejtuesi i “Gossip Tv” do të shfaqet në këtë sezon të ri si moderator i programit “Select”. “InTv”-së do t’i mungojë në këtë sezon edhe Rudi Hizmo, i cili nuk do të jetë më bashkëdrejtues i “3jat”, ndonëse pak dihet mbi angazhimin e në ekran, mësohet se ai do të vijojë të jetë zëri zyrtar i “Vizion Plus”. Kështu pritet që sezoni i ri të nisë në “InTv” me Fatmën e “FunDay”, një nga imazhet më identifikuese të këtij televizioni, me Mateon, Sarën, Nikon, Indritin e Alfion dhe kushedi se me çfarë surprizash. Do të na duhet të presim edhe pak për t’i mësuar dhe jemi të bindur që do të surprizohemi, sepse “InTv” është kthyer tashmë në ekranin zbulues të talenteve të reja të televizionit. / revistawho.com

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco