FOTO/ Dy dashuritë e Eno Popit për Shën Valentin

FOTO/ Dy dashuritë e Eno Popit për Shën Valentin

13:22, 14/02/2018

Ata nuk e kanë bërtitur ndjenjën e tyre në sytë e të gjithë botës! Pikërisht, kjo i diferencon ndër shumë syresh të tjerë të ngjashëm me ta. Kanë preferuar që fillimisht ta jetojnë maksimalisht në çdo dimension të ndjenjës atë që lindi krejt rastësisht nga një njohje e rastit. Sot janë prej shtatë vitesh në krahë të njëri-tjetrit dhe ndihen më të lumtur se kurrë!

Por, duket se ajo që e i jep një tjetër dimension lumturisë së tyre është fryti i dashurisë që pritet të vijë në jetë në muajin Maj. Kurorëzimi i një historie të bukur nuk është vetëm finalizimi i pritshëm i një raporti, përkundrazi. Kapitulli i jetës që vjen më pas, ai i pazbuluari deri më tash është gjithçka që i kuriozon më shumë se kurrë sot Eno Popin dhe Atena Palin.

Një histori në dukje e zakonshme, por me plot të panjohura mes të dyve. Për të parën herë ata e bëjnë publike gjithçka personale që ka të bëj me ta, nga surprizat, sakrificat për dashurinë, familjen e vogël që pritet të shtohet më pjesëtarin më të ri pas pak kohësh, frikërat dhe pasiguritë e momentit, etj. Një rrëfim për të mos u humbur për herë të parë në revistën Class. Shijojeni bashkë me ne!

E nisim fillimisht bisedën me historinë tuaj të dashurisë, nuk është folur shumë për ju, andaj jemi kuriozë të njohim më shumë detaje rreth saj. Si nisi gjithçka, deri tek kurorëzimi i dashurisë me një bebushe që do të vijë në jetë pas pak muajsh...

-Bashkë me Atenën u bë plot shtatë vite që qendrojmë krahë njëri-tjetrit. Nuk jemi nga ata që i fshihemi botës, por edhe se kemi bërtitur asnjëherë marrëdhënien tonë publikisht, sepse e kemi ruajtur për vete. Ne jemi njohur nga kolegë të përbashkët. Atena ka profil pune në media e punon në Digitalb. Shoqja jonë Elona Duro më fliste vazhdimisht për kolegen e saj artiste, me sy kreativ dhe që i mbaronte punët për të cilat e lavdëronte vazhdimisht. Pastaj u desh të dilnim me një grup miqsh, e të afroheshim me njëri-tjetrin. Me Atenën është dashuri e ndërtuar çdo vit e më shumë. Nuk është romancë me shikimin e parë, e jona. Zoti na ka bekuar dhe jeta na merr një rrjedhë tjetër nga vera e ardhshme. Jemi të lumtur për këtë, të frikësuar po aq. Por, mezi po e presim.

Sa romantike ishte njohja juaj?

-Më shumë se romantike ka qenë e zhurmshme. Ka qenë një mbrëmje në club mes miqsh, si ndodh gjithnjë kur del për muzikë të mirë dhe alkool. Ndodh një shikim më shumë, një batutë më tepër, një shans për t'u takuar prapë më vonë. Dhe ka qenë tamam kështu. U takuam e ritakuam  aq sa takimet bisedat dhe qendrimi u bë krejt i zakonshm dhe ditë pas dite kërkonim njëri-tjetrin. Për gjërat romantike menduam më vonë, ku edhe arratisjet nga Tirana drejt vendeve që na pëlqenin të dyve nga Parisi tek Barcelona, Firence a Praga, Berlini apo Lisbona, New Yorku, Los Angeles apo San Francisco aty ky gjenim momentet tona romantike kohë pas kohe.

Sot është Shën Valentin. Festoni sa herë ka ditë të shënuara në kalendar, apo edhe pa arsye?

-Nuk e lemë për data. Unë të paktën që jam edhe harraq datash. Psh: këtë vit, ky Valentin është për një tjetër zemër. Shtëpia ime e përditshme Top Albania Radio bën plot 20 vite dhe në 14 shkurt do jetë ajo që do i jap vëmendjen. Ndërsa, momentet tona nga dhuratat e vogla rastësore deri tek gjërat e organizuara vetëm në shtëpi, nuk i lemë për data. 

Si e shpreh dashurinë ndaj partneres, në ç’forma?

-Unë jam natyrë direkte. Do të kisha dashur shumë të isha natyrë më e kamufluar, nga këta tipat e palexueshëm që surprizojnë gjithmonë. Organizues i beftë surprizash. Por s’jam ajo natyrë. Edhe disa herë që jam përpjekur, ka mbetur vetëm dëshira sepse ose surpriza prishej ose nuk më funksiononte. Kështu që kam vendosur ngahera të jem unë, direkt dhe i hapur. Po, i tregoj gjithnjë kam një plan dhe po e bëj që të kënaqemi bashkë. Ja kaq.

Dhurata e fundit që i ke bërë partneres cila është?

-Nëse do i klasifikonit si dhurata udhëtimet, biletat e koncerteve. Bashkë i kemi me qejf shume dhe sapo krijohet ndonjë xhep i mundshëm nga puna për t'u shkëputur e bëjmë. Atena këto i vlerëson shumë. E kuptojmë në sy njëri-tjetrin tashmë. Dhe "dhurata” të tilla duket se funksionojnë.

Nëse do të duhej t’i vendosje një titull filmi historisë tënde të dashurisë me Atenën, cili do të ishte ai?

-Hmm sa e vështirë, aq më tepër ta ndash këtë me tre a katër fjalë të një titulli. Natyrisht, nuk do ishte "LaLaLand",  por edhe PS. I Love You, mund të ishte një titull(qesh).

Sakrifica më e madhe që keni bërë në emër të dashurisë?

-Të qendrosh larg. Besoj se kjo është sakrifica më e madhe për dikë që do, në emër të një dashurie të fortë dhe sakrifice po aq. Gjithnjë e vështirë është, edhe kur dëgjoj të tjerë që e bëjnë për një rrethanë apo për një tjetër përpiqem t'i kuptoj si ja dalin. Por, largësia është sakrifica më e madhe. Nuk ka receta personale në këtë rast. 

Ishte shumë e bukur gjetja juaj për të publikuar pritjen e ëmbël të bebushes me një foto tek bredhi i Vitit të Ri. E kujt ishte ideja?

-Realisht në atë periudhë festash, kur edhe atmosfera ishte më e ëmbël, dhe ne kishim vendosur ta ndanim me të gjithë gëzimin tonë, po kërkonim një pemë. Një pemë dinjitoze madje. Në shtëpi nuk kemi bërë një pemë Krishtlindjesh me vite e vite. Në ndryshim nga Atena që në shtëpinë e saj  ishte mësuar ta bënte pemën. Dhe duke e diskutuar me miqtë tanë Ledionin dhe Sarën se si do ishte mënyra më e mirë, në një darkë me ta vendosëm të bënim aty në pemën e tyre një kompozim plot ngjyra dhe dritë. Doli bukur.

Si ka ndryshuar jeta juaj prej ditës së parë kur morët vesh që do të bëheshit prindër? Frikëra, pasiguri, emocione

-Ndodhi komplet ndryshe nga 1001 mënyra që kisha në kokë, që nëse një ditë do më vinte ky lajm, sesi do e përjetonim. Në kokë kisha tjetër ide komplet. Ka qenë ditë me shi, në ato muajt e parë të rikthimit në punë pas sezonit veror. Atena më merr dhe më thotë vetëm shih pak telefonin, ku më kishte nisur fotot e një testi paraprak. Pasi i pashë, befas pata një hutim, por edhe gëzim dhe një trembje po aq nga pasiguria asaj që po shihja. Analizat e mëvonshme na vërtetuan gjithçka dhe aty filluan mijëra mendime në kokë. Që nga sa gati jemi deri se si do ndryshojë rrjedha jonë e jetës tashmë. Por, dhe ne si të gjithë. Më shumë dashuri dhe sakrificë. 

Kishit ndonjë pritshmëri për gjininë djalë apo vajzë?

-Po, mendonim për një djalë. Në bisedat tona madje i kishim ndarë edhe emrin. Por, fati desh të bekoheshim me një vajzë dhe mezi po presim. Pas dëshirës besoj për këdo që vjen dhe mirënjohja që përjetojmë këtë ndjesi tani. Kjo kapriço e gjinisë pastaj kalon. 

Kur parashikohet të lind vajza?

-Nëse nuk nxiton të vijë shumë më shpejt, në fund të majit duhet. 

I keni bërë përgatitjet, dhomën e bebushes, blerjet e veshjeve, apo këto gjëra janë ekskluzivitet i partneres?

-Ky është një proces i gjatë. Deri tek ndërtimi i dhomës kemi javë të tëra përpara. Por, gjërat kryesore ato që na duhen për të na lehtësuar momentet e para falë edhe miqëve tanë po i rregullojmë. Por, do jenë padiskutim muaj blerjesh të ëmbla. Tek veshjet ndjej që kam pak mungesë gustoje për gjëra vajzash, por do ja marrë dorën. Rroftë instagrami!

Flasim pak për mamanë e vajzës suaj, Atenën. Përgjithësisht jeni etiketuar si çift i tërhequr nga jeta publike. Është zgjedhje personale apo rastësi?

-Po në këtë pikë, jemi shumë social jashtë virtualitetit dhe vëmendjes së të tjerëve. Më shumë se zgjedhje, është çështje karakteriale. Qëlloi të ishim të dy të ngjashëm për të mbajtur jetën tonë për vete dhe ata pak njerëz që i kemi rreth vetes. Krejt e zakonshme kjo për shumë e shumë të tjerë. Më kritikojnë mua, me të drejtë ndoshta, hey nuk je fare social Eno (nënkuptojnë Instagram, Facebook, apo tip cool Snapesh). Në profesionin tim ndihmon shumë ky aspekt. Që nga promovimi i punës, nxjerrjes në pah të personalitetit apo ekspozimit tek ato audienca që nuk ndjekin më TV ose Radio. Por, unë këtë fushë më shumë e studioj, edhe për shkak të profilit akademik që kam zgjedhur, se sa ta praktikoj. Atena ka qëlluar e njëjtë. 

Të përbashkëtat tuaja si çift?

-Filmat na pëlqejnë shumë. Atena po aq serialet. Udhëtimet na entuziasmojnë gjithnjë. Por, jo gjumi. Ai s'na bashkon dot(qesh).

Kush është më tolerues mes ju të dyve?

-Atena është shumë tolerante. Me tipin tim, binjak sanguin me shumë keqkuptime që krijon marrëdhënia, puna, toleranca na shpëton. Por, jo e shpërdoruar. Dhe vazhdimisht them në këtë pikë, Atena është njeriu që më plotëson edhe me mungesën e tolerancës që ndonjëherë më karakterizon.

Dita për ju nis herët në mëngjes me emisionin në Top Channel, në bashkëprezantim me Oriela Nebijaj dhe Isli Islami. Çfarë ka ndryshuar në dyshen e ju meshkujve me ardhjen e Orielës?

-Po këtë vit, programi është bërë më argëtues për të gjithë. Qeshim më shumë dhe aq më tepër argëtohemi. Ka ndryshuar edhe mënyra sesi zgjedhim të zgjojmë shqiptarët dhe kjo të treve na shijon dhe po na pëlqen. Nga Isli dhe Ori shoh që kënaqen me programin dhe për mua kjo është shumë e rëndësishme.

Momenti më i sikletshëm që mund të të ketë ndodhur ndër vite gjatë transmetimit?

-Oooo ka plot. Aq sa edhe kanë humbur në kujtesë e ndër vite. Këtë 14 Shkurt, Top Albania Radio bën plot 20 vite. Dhe si pjesë e radios më të dashur të shqiptarëve ka pasur edhe momente të sikletshme. Ajo që nuk do ta harroj kurrë ka qenë telefonata LIVE e të mbyturve në tragjedinë detare në kanalin e Otrantos, një mbrëmje janari. Direkt në trasmetim teksa komunikoja me ta ndjeja edhe sikletin dhe pështjellimin që flisja me njerëz që luftonin me jetën dhe shumë e patën frymën e fundit. Ndjesi e fortë shumë.

Ndërkohë, ju drejtoni edhe formatin e lojës “100 milionë”. Krahas ritmit dhe lojës, ju përpiqeni të futeni në lëkurën e konkurrentëve me pyetje të ndryshme. Ka ndonjë prej tyre që që ka lënë gjurmë tek ju...

-"100 Milionë" është programi që kam bërë dhe bëj me shumë dashuri. Të pakushtëzuar madje. Është game shoë më popullor në ekran dhe më vjen pafund mirë që edhe si produksion shqiptar e mbajmë në kuota të larta të audiencës. Është një listë aq e gjatë që presin të luajnë çdo javë dhe lojtarët janë nga më të ndryshmit, të cilët hynë me këmbët e tyre për të marrë lekë por aty qeshin, argëtohen, tremben, kërkojne specin, bëhen skeptik apo kemi parë raste që kanë shkuar në fund të lojës me vetsiguri absolute.  Episode që më kanë lënë mbresa janë shumë.

Keni menduar për emrin e vajzës?

-Në proces jemi...

Po dasmë do të bëni?

-Ende jo./Revista Class

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment