TABELA/ Konsumi në krizë. INSTAT: Shitjet e biznesit në stanjacion

TABELA/ Konsumi në krizë. INSTAT: Shitjet e biznesit në stanjacion

15:41, 20/09/2017
A+ Aa A-

Rritja e shpenzimeve publike gjatë fushatës elektorale duket se ka qenë e pamjaftueshme për të balancuar krizën e konsumit në ekonominë shqiptare. Instituti i Statistikave raportoi se në tremujorin e dytë të vitit shitjet e biznesit mbetën thuajse në stanjacion duke u rritur me shifrën e papërfillshme prej 1.6 për qind, krahasuar me një vit më parë. 

Sipas INSTAT, kjo është norma më e ulët e rritjes së indeksit të tregtisë me pakicë në gati dy vjet. Në tremujorin e dytë të vitit të kaluar, rritja ishte 6.7 për qind.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se familjet shqiptare kanë filluar sërish të kufizojnë konsumin, një tendencë kjo e nisur që në tremujorin e parë të vitit. Sipas INSTAT, për periudhën janar-mars 2017 rritja e indeksit të tregtisë me pakicë ra në 2.5 për qind me bazë vjetore, nga 8.2 për qind që ishte në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

Image

Në gjysmën e parë të vitit, qeveria rriti ndjeshëm shpenzimet publike, për të përfituar politikisht në zgjedhjet e qershorit. Por edhe pse buxheti ka shpenzuar qindra milionë euro më shumë se një vit më parë, sërish kjo nuk ka mjaftuar për të zbutur uljen e konsumit nga familjet.

Bie konsumi i karburanteve

Rënia më e madhe e shitjeve është regjistruar në produktin e karburanteve. “Në grupin “Tregti hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara“, indeksi i volumit të shitjeve është ulur 2,0 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016,” raporton INSTAT.

Karburantet përdoren si lëndë e parë në shumë aktivitete të ekonomisë. Ndaj konsumi është një indikator i rëndësishëm. Rënia e konsumit të naftës dhe benzinës dëshmon se biznesi mund të ketë ulur prodhimin, ndërsa familjet kanë ulur shpenzimet pët karburante.

Ndërsa në grupet e tjera të produkteve është vënë re një ngadalësim i dukshëm i rritjes.  Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, indeksi i volumit të shitjeve ka pësuar një rritje prej 3,0 %, kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm.

Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve, është rritur 2,7 %, ndërsa për grupin “Produkte jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara, pa ai ka shënuar një rritje me 3.1 për qind. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Klea20/09/2017 20:12

Kjo eshte e pamundru te ndodhi me nje llogjike te thjesht qe ne momenti kur taksa e biznesit te vogel u hoq dhe kontrolli mbi informalitetin rriti ndjeshem sigurine e bizneseve ne treg.

Shto koment

Denonco