Misioni i FMN-së rikthehet në Tiranë

Misioni i FMN-së rikthehet në Tiranë

23:25, 19/09/2017
A+ Aa A-

Një mision i FMN-së ka mbërritur këto ditë në Tiranë, ndërsa mësohet se vizita është në kuadër të monitorimit përgjatë periudhës post-marrëveshje.

Misioni i FMN-së pritet të jetë pjesë e tryezave të diskutimit me autoritetet shqiptare për programin e ri qeverisës, buxhetin e 2018-ës dhe paketën fiskale që do të shoqërojë atë. Por do të diskutohet edhe mbi mundësinë e bashkëpunimit përmes një programi të ri.

Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, aprovoi në fund të muajit shkurt mbylljen me sukses të programit trevjeçar me Shqipërinë. Aprovimi me sukses i mbylljes së programit, por edhe rishikimi i nëntë dhe i dhjetë së bashku me mbylljen e programit, bëri të mundur disbursimin e transhit të fundit prej 73.2 milion euro po brenda kuadrit të marrëveshjes. Në total në kuadër të marrëveshjes, nga ana financiare janë disbursuar 377.3 milion euro në buxhetin e shtetit.

“Ne kalojmë në një marrëdhënie të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar që është monitorimi përgjatë periudhës post-marrëveshje, që do të thotë që ne vazhdojmë të punojmë shumë ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ashtu siç kemi punuar gjatë gjithë periudhës 3- vjeçare deri në fund të vitit 2017, për të marrë një vendim pastaj të ri që është tagër i qeverisë Rama 2 për të pasur një program të ri, çfarëdo lloj programi do të jetë ai”, deklaroi ministri i Financave, Arben Ahmetaj, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Shefen e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, AnitaTuladhar në fund të muajit shkurt të këtij viti, pas mbylljes së programit 3-vjeçar.

Ndërsa shefja e Misionit të FMN-së, Tuladhar deklaroi se kishte rënë dakrd me autoritetet shqiptare për prioritetet e politikave në kuadër të Monitorimit pas Programit. “Programi ekonomik vazhdon të ecë sipas planit dhe i ka arritur objektivat bazë të korrigjimit të çekuilibrave të mëdhenj makroekonomikë dhe të fuqizimit të rritjes ekonomike. Janë përmbushur shumica e objektivave të synuar sasiorë. Pavarësisht nga disa vonesa, është arritur një progres përgjithësisht i mirë në vënien në zbatim të reformave strukturore. Programi e ka vendosur ekonominë shqiptare në rrugën drejt financave publike solide, stabilitetit financar dhe rimëkëmbjes ekonomike. Me mbylljen e programit, do të jetë thelbësore që Shqipëria të angazhohet për vazhdimin e reformave ekonomike”, thuhej në fjalën e saj.

FMN rekomandonte edhe disa prioritete, ndër të cilat, të vijohet zgjerimi i të ardhurave për të fuqizuar financat publike dhe për të siguruar qëndrueshmërinë në kohë të borxhit, të ulet niveli i kredive nën standard për të fuqizuar stabilitetin financiar dhe për të mbështetur rimëkëmbjen e huadhënies dhe të çohen përpara reformat strukturore për të përmirësuar klimën e biznesit.

Programi 36-mujor në formë EFF-je për Shqipërinë është miratuar më 28 shkurt 2014 dhe përfundoi në shkurt të vitit 2017. 

/ATA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco