Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Rruga e Kombit me pagesë, 3.6 mln € për konsulencën

Rruga e Kombit me pagesë, 3.6 mln € për konsulencën

08:30, 13/06/2017
A+ Aa A-

Ministria e Transportit ka shpallur fituesin e garës për shërbimin e konsulencës lidhur me projektin e koncesionit të autostradës Milot-Morinë, kompaninë “DOLSAR Engineering Inc. Co”.

Ky dikaster ka publikuar dje njoftimin se fondi limit për këtë shërbim do të jetë 485 milionë lekë (3.6 milionë euro), pa përfshirë vlerën e TVSH-së, financuar nga Buxheti i Shtetit dhe Kompania Koncesionare, nga 50% secili, për një periudhë 5-vjeçare. Gjatë kësaj kohe, kompania, që do të operojë si një “inxhinier i pavarur”, do të mbikëqyrë dhe monitorojë zbatimin e Marrëveshjes së Koncesionit dhe të marrëveshjeve ose kontratave të tjera të lidhura.

Tenderi

Kanë qenë pjesëmarrës në procedurë këta ofertues 10 kompani apo konsorciume, si më poshtë: “3TI Progetti Italia – Ingegneria Intergrata” sh.p.k; “Ali Hyko”; “JV/Ambiente-Lombardi-SINA S.p.a”; “Egis International”; “Egnatia Odos”; “Getinsa-Payma S.L.”; "IPSA INSTITUT" d.o.o, Sarajevo & "GJEOKONSULT&CO"sh.p.k; "PLANET S.A.” & “SALFO & ASSOCIATES SA”; “SPEA ENGINEERING S.P.A” dhe “DOLSAR Engineering Inc.Co”. Oferta e kësaj të fundit është vlerësuar me 93.43 pikë dhe është identifikuar si oferta e suksesshme. Kompani të tjera janë skualifikuar për probleme me dokumentacionin.

Koncesioni

Me këtë përzgjedhje, është hapur rruga përfundimisht për të nisur nga puna e zbatimit të marrëveshjes koncesionare, e cila, për herë të parë në Shqipëri, do të ngrejë një sistem pagesash për automjetet në rrugë kombëtare, në favor të mirambajtjes së saj.

Agjencia e Prokurimit Publik ka njoftuar ndërkohë se, sipas termave të marrëveshjes, qeveria shqiptare do të subvencionojë me 64.9 milionë euro konsorciumin “Catalyst”-Salillari-Kastrati, etj, që tashmë është shpallur fitues për të administruar me koncesion Rrugën e Kombit.

Kështu, veç taksës që do të marrë nga automjetet, koncesionarit do t’i paguhet kjo vlerë në 13 vitet e para të kontratës, si pagesë direkte nga buxhetit i shtetit, në formë kompensimi për trafikun e munguar në autostradë.

Tarifa, për të cilën tashmë është rënë dakord midis palëve, do të jetë në masën e 5 eurove për makinat e vogla dhe do të rritet në mënyrë progresive për automjetet e mëdha. 

Ideja për të dhënë me koncesion “Rrugën e Kombit” u hodh për herë të parë në kohën e qeverisë Berisha.

 

Kjo erdhi si pasojë e pamundësisë së shtetit shqiptar, pas shpenzimeve shumë të kushtueshme për ndërtimin e segmenteve të rrugës në fjalë, për të vijuar ato që mungonin. Kështu, nga Miloti në Rrëshen rruga është me dy korsi dhe jo me katër, ndërkohë që pas Kukësit drejt Kosovës traseja është herë me dy e herë me katër korsi, në mungesë të urave, duke e bërë të rrezikshme, sidomos natën, ecjen në të.

Po, nga ana tjetër, boshatisja e buxhetit me ndërtime voluminoze publike në periudhën 2005-2013 solli edhe pamundësinë për të përballuar një kosto prej rreth 20 milionë eurosh në vit për mirëmbajtjen e tunelit të Kalimashit dhe të vetë rrugës, sidomos në dimër.

Shpenzimet

Koncesioni aktual i jep zgjidhje vetëm mirëmbajtjes, madje edhe aty do të ndahen shpenzimet me shtetin, pasi kalimi i automjeteve nuk është i tillë që të kompensojë vetëm me pesë euro për autoveturë shpenzimet që do të bëhen. Ndërkohë, shpenzimet për plotësimin e autostradës ende nuk është vendosur se në ç’mënyrë do të kryhen /Shqiptarja.com/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco