Konçesioni i laboratorëve. Buxheti do të paguajë 4 herë më shumë për analizat

Konçesioni i laboratorëve. Buxheti do të paguajë 4 herë më shumë për analizat

18:58, 17/05/2017
A+ Aa A-

Konçesioni i laboratorëve shtetëror do të rrisë ndjeshëm koston e këtij shërbimi për buxhetin e shtetit, që në finale paguhet nga qytetarët. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se vitin e kaluar qeveria shqiptare shpenzoi në total 320 milionë lekë ose 2.4 milionë euro për të financuar shërbimin shtetëror të laboratorëve. Por me kalimin tek konçesionari privat, kostoja vjetore që do të paguajë buxheti për këtë shërbim do të katërfishohet.

Sipas marrëveshjes konçesionare,  konçesionari privat do të përfitojë 1.3 miliardë lekë në vit për 10 vitet e ardhshme për të ofruar shërbimin e analizave në laboratorët publikë, në një kohë që shteti e financon këtë shërbim sot me vetëm 320 milionë lekë.

Ekspertët që kanë njohuri për sistemin shëndetësor thonë se rritja kaq e madhe e kostos është e pajustifikuar. Privati që u përzgjodh për konçesionin nuk ka nevojë të kryejë investime të mëdha. Ai do të përdorë ambientet publike, një pjesë e mirë e të cilave janë të pajisur me pajisjet më moderne, pasi gjatë viteve të fundit buxheti i shtetit ka investuar miliona euro në laboratorët publikë. 

Me një infrastukturë thuajse tërësisht të ngritur nga paratë publike, privatizimi i shërbimit laboratorik do të rezultojë vetëm një transferim fitimesh të majme tek privati në kurriz të buxhetit dhe qytetarëve.

Si u rrit kostoja me 20 mln dollarë

Në fund të vitit të kaluar, Ministria e Financave informoi Parlamentin se fatura totale që qeveria do t’i paguante konçesionarit privat për administrimin e laboratorëve shtetërorë ishte 10.7 miliardë e shtrirë në harkun kohor të 10 vjetëve. 

Por kostoja reale që qytetarët do të paguajnë për këtë konçesion u fry me 21.5 për qind mbi këtë vlerë në vetëm 3 muaj. Në prill të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë njoftoi nënshkrimin e kontratës me kompaninë fituese Labopharma. Por vlera e kontratës nuk ishte 10.7 miliardë lekë, por 13 miliardë lekë ose 21.5 për qind më shumë.

Qeveria nuk dha ndonjë shpjegim për rritjen me 21.5 për qind të faturës së konçesionit, por firmosi me kompaninë Labopharma kontratën që i jep kësaj të fundit monopolin 10 vjeçar të shfrytëzimit të laboratorëve shtetërorë përkundrejt pagesës së garantuar nga buxheti të shifrës 13 miliardë lekë.

Proçedurat për konçesionin e laboratorëve shtetërorë nisën që vitin e kaluar. Ministria e Shëndetësisë pati lajmëruar fillimisht se fituesi i konçesionit do të shpallej në shkurt. Por tenderi u zhvillua gati dy muaj e gjysmë me vonesë dhe fituesi u shpall në fund të muajit prill.

Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve, në tenderin për dhënien me koncesion të laboratorëve morën pjesë 9 shoqëri ose bashkime shoqërish. Por 5 prej tyre nuk paraqitën asnjë ofertë financiare dhe rrjedhimisht janë shpallur të pavlefshme.

Si rezultat në garë kanë ishin vetëm katër oferta të vlefshme. Oferta më e favorshme financiare u dha nga një kompani shqiptare e quajtur Genius sh.p.k. Kjo kompani ka ofruar t'i kryejë analizat për pacientët me një kosto 15 % më të ulët nga çmimi i listës së testeve.

Por kjo ofertë u skualifikuar nga Ministria e Shëndetësisë, pasi sipas saj kompania kishte mangësi në dokumentacion. Si rezultat, fituese u përzgjedhur oferta e dytë më e ulët, ajo e konsorciumit të përbërë nga tre shoqëri; shqiptarja Labopharma, kompania franceze Exalab dhe ajo hollandeze AB Laboratory Solutions, të cilat ofruan kryerjen e analizave me një çmim 10.7 për qind më të ulët se çmimi i listës së testeve.

SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

ERTV17/05/2017 22:19

Ku merr vesh ky popull ky presh do mengjes drek darke, dhe fasada te lyera dhe palma ,

Shto koment

Denonco