FOTO/ Albpetrol: Ja e vërteta e vendburimit të Amonicës dhe se kujt i përket

FOTO/ Albpetrol: Ja e vërteta e vendburimit të Amonicës dhe se kujt i përket

14:14, 27/04/2017
A+ Aa A-

"Ditët e fundit në disa media është publikuar një informacion i pa vërtetë dhe dashakeq në lidhje me situatën e krijuar në vendburimin e Amonicës, i cili më parë administrohej nga kompania Phoenix Petroleum."

Kështu thuhet në reagimin që ka bërë kompania "Albpetrol sot" ndaj disa kronikave të ditëve të fundit në media. 

"Sipas këtij informacioni dashakeq, - thuhet më poshtë nga kjo kompani, - Albpetrol sh.a pretendohet se i ka marrë pa të drejtë vendburimin kompanisë Phoenix Petroleum. Me keqardhje duhet të përgënjeshtrojmë mediat që kanë rënë pre e këtij mashtrimi i bërë nga individë të caktuar që kanë lidhje ekonomike me kompaninë Phoenix Petroleum.

E vërteta e kësaj situate është si më poshtë:

Vendburimi i Amonicës nuk është territor i koncesionit të shoqërisë Phoenix Petroleum sh.a, pasi Marrëveshja Hidrokarbure “Për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në Vendburimin e Amonicës”, mbi bazën e të cilit kjo shoqëri kryente operacione hidrokarbure në këtë vendburim, është zgjidhur përpara afatit te parashikuar, si rezultat i mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale nga Phoenix Petroleum sh.a.

Në bazë të ligjit nr.7746, datë 28.07.1993 “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi) i ndryshuar, që prej datës 9 Mars 2017 shoqëria Albpetrol sh.a ka marrë autorizimin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë për të kryer operacione për zhvillimin dhe shfrytëzimin e hidrokarbureve në Vendburimin e Amonicës. Në këtë pikë duhet të theksojmë që vendburimi i Amonicës ka qenë gjithmonë pasuri e shtetit Shqiptar nën administrimin e shoqërisë Albpetrol sh.a sic mund ta shihni edhe në certifikatën e pasurisë bashkëngjitur.

    Prishja e marrëveshjes dhe marrja e vendburimit është për arsye se kompania nuk ka shlyer detyrimet financiare dhe ato në naftë bruto në përputhje me kontratën dypalëshe; nuk ka kryer investimet e kërkuara; ka keqmenaxhuar vendburimin etj.

    Albpetrol duhet ta merrte këtë vendburim që në muajin Qershor 2016, por me kërkesë të AKBN dhe MEI, kompanisë iu dha edhe një shans i dytë të shlyejë detyrimet që kishte ndaj shoqërisë Albpetrol sh.a. Për këtë arsye është mbajtur edhe një takim më datë 28.06.2016 në ambientet e MEI mes AKBN, Albpetrol sh.a, MEI dhe kompanisë Phoenix Petroleum ku kompania ka marrë përsipër shlyerjen e detyrimeve. Duke qenë se deri në muajin Shkurt 2017 kompania Phoenix Petroleum nuk i mbajti premtimet për shlyerjen e detyrimeve, Albpetrol sh.a procedoi me marrjen e vendburimit të Amonicës. (Bashkëngjitur procesverbali i takimit)

    Theksojmë se situata e gjetur në momentin e marrjes së vendburimit që ishte në përdorim nga kompania Phoenix Petroleum ishte katastrofike. Jo vetëm që nuk ishin kryer investimet e premtuara, por edhe gjendja e aseteve të trashëguara nga Albpetrol sh.a kishte degjeneruar rëndshëm. Për këtë mund t’i referoheni pamjeve filmike që janë realizuar në momentin e marrjes në dorëzim të vendburimit.

    Ne materialet e publikuara në media përdoret një shkresë e firmosur nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, ku pretendohet se Albpetrol nuk ka të drejtë të ndërhyjë në vendburimin e Amonicës pasi është në administrim të Phoenix Petroleum. Për këtë ju sqarojmë si më poshtë:

    Veprimtaria e AKBN zhvillohet në bazë të VKM nr. 547 datë 09.08.2016. Pretendimet se AKBN është institucioni i vetëm i autorizuar për operacionet hidrokarbure në Republikën e Shqipërisë nuk gjen mbeshtetje në këtë VKM. AKBN ka vetem rol monitorues.
    Ministria e Energjisë dhe Industrisë, si përfaqësuese e pronarit shtet, me shkresën Nr. 936/20 i ka bërë të qartë AKBN se “AKBN nuk ka asnjë rol dhe kompetencë për të vlerësuar apo disponuar mbi vendimin e Albpetrol për zgjidhjen e Marrëveshjes si dhe marrjen në dorëzim të Vendburimit.”
    Po në të njëjtën shkresë, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Organi Epror i AKBN ka konstatuar se AKBN në mënyrë të përsëritur ka adresuar qendrime të njëanëshme dhe të pabazuara në Legjislacionin në fuqi.

    Nga ana tjetër, shoqërisë Albpetrol i është dhënë me Ligjin me Nr. 7746 datë 28.07.1993, Neni 12, pika 2, Autorizimin për kryerjen e Operacioneve Hidrokarbure në përputhje me Listën A ku perfshihet edhe Vendburimi i Amonicës. Ju lutem gjeni bashkëngjitur Ligjin dhe Marrëveshjen Albpetrol plus Listën A. Marrëveshja Albpetrol dhe Lista A konsiderohen pjesë e Ligjit.

    Bazuar në aktet ligjore dhe nënligjore, Albpetrol e ka të regjistruar edhe në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Objektin e Amonicës. Në Certifikatat e Pronësisë shprehet qartë se Objektet e Naftës dhe trualli në këtë vendburim janë Pronë e Republikës së Shqipërisë nën administrim të Albpetrol sh.a. Ju lutem gjeni bashkëngjitur një nga rreth 100 certifikatat e pronësisë që Albpetrol posedon për Vendburimin e Amonicës.

    Shprehim keqardhjen që disa institucione shtetërore bëhen palë me një kontraktor që në shumë raste ka dorëzuar dokumenta false, ka kryer kontrabandë, ka mashtruar me garancitë bankare duke përfituar në mënyrë të padrejtë nga AKBN mbi 1,300,000 USD dhe shumë vepra të tjera, për të cilat Albpetrol, në mungesë të reagimit nga ana e AKBN, i është drejtuar Prokurorisë duke kallëzuar shtetasit Isuf Berberi dhe Neim Kasa, përfaqësues të shoqërise Phoenix Petroleum.

    Për më tepër, Albpetrol ka konstatuar se titullarë të AKBN janë të përfshirë në konflikt interesi me këtë shoqëri pasi, ndonëse e kanë të ndaluar me ligj, përfitojnë kontrata dhe naftë bruto nga shoqëria Phoenix Petroleum në mënyrë direkte përmes disa shoqërive ku janë aksionerë. Për këtë cështje Albpetrol sh.a i është drejtuar MEI duke kërkuar verifikimin e situatës pasi duke abuzuar me detyrën dhe me veprimet e tyre të paligjshme, këta shtetarë po dëmtojnë rëndë interesat e shtetit shqiptar.

     

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco