TABELA/ Biznesi në krizë. INSTAT: Bie konsumi i energjisë

TABELA/ Biznesi në krizë. INSTAT: Bie konsumi i energjisë

15:42, 24/03/2017
A+ Aa A-

Bizneset konsumuan më pak energji vitin e kaluar në aktivitetet e tyre prodhuese. Instituti i Statistikave raportoi se edhe pse në tërësi konsumi I energjisë u rrit me 0.7 për qind krahasuar me 2015-ën, energjia e konsumuar nga biznesi ra me 1 për qind.

Sipas INSTAT, gjatë vitit të kaluar ndërmarrjet në Shqipëri konsumuan në total 2 milionë e 520 mijë mega vat orë energji, nga 2 milionë e 546 mijë që konsumuan në 2015-ën.

Image

Kjo është hera e tretë brenda pak vitesh, që konsumi i energjisë nga biznesi shënon rënie. Hera e parë ishte në vitin 2009, atëherë kur ekonomia mori goditjen e parë nga kriza. Por në atë vit, konsumi i energjisë nga ndërmarrjet ra me 6.5 për qind. Në vitin 2012, kur ekonomia kaloi një tjetër vit po të vështirë tkurrja e konsumit të energjisë u thellua edhe më shumë në rend dyshifror.  

Rënia e konsumit të energjisë sinjalizon se bizneset kanë ulur aktivitetin gjatë vitit të kaluar duke prodhuar më pak mallra apo shërbime. Shkaku mendohet të jetë rënia e aktivitetit veçanërisht në sektorin e industrisë që është dhe konsumatori më i madh i energjisë elektrike.   

Shumë studime ndërkombëtare kanë gjetur se ecuria e konsumit të energjisë ndikon drejtpërdrejtë rritjen ekonomike dhe punësimin. Sipas tyre, kur konsumi i energjisë ulet aktiviteti ekonomik rrudhet, ndërsa kur ai rritet ekonomia dhe punësimi zgjerohet.

Rritja e çmimit

Veçanërisht në tre vitet e fundit çmimi i energjisë për bizneset është rritur ndjeshëm. Në vitin 2015, energjia për biznesin u shtrenjtua me 20 për qind. Po kështu edhe gjatë vitit të kaluar, Enti Rregullator miratoi një tjetër rritje të çmimit të energjisë për konsumatorët biznes duke e çuar atë deri në 16 lekë për kilovat orë.

Rritja e vazhdueshme e çmimit të energjisë, por edhe rënia e konsumit të mallrave në treg duket se e ka detyruar biznesin që të fik makineritë e prodhimit ose t’i vërë ato më pak në punë.

Pak ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve konfirmoi se për 9 muaj kanë kaluar në status pasiv rreth 16 mijë biznese, të cilat kanë mbyllur qepenat duke ndalur prodhimin ose aktivitetin e tyre.  

SYRI.net 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco