TABELA/ Bankat braktisin biznesin. Japin kredi vetëm për qeverinë dhe ndërmarrjet e huaja

TABELA/ Bankat braktisin biznesin. Japin kredi vetëm për qeverinë dhe ndërmarrjet e huaja

17:05, 23/03/2017
A+ Aa A-

Bankat kanë ngrirë thuajse plotësisht financimin e bizneseve vendase duke dhënë kredi vetëm për qeverinë ose për ndërmarrjet jashtë kufijve të vendit. Shqetësimi konfirmohet nga të dhënat statistikore të Bankës së Shqipërisë.

Sipas shifrave, në dy vitet e fundit kredia për biznesin privat ka rënë me 28 miliardë lekë ose mbi 207 milionë euro. Kjo do të thotë se bankat jo vetëm nuk kanë disbursuar kredi të reja për biznesin, por nuk kanë rinovuar as kreditë ekzistuese.

Image

Rënia e kredisë për biznesin nuk është çështje e mungesës së kërkesës, por lidhet me ngurrimin e bankave për të marrë përsipër risk. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim vlerëson se biznesi në Shqipëri ka nevojë mesatarisht për 1.4 miliardë euro kredi të reja në vit për të mundësuar financimin normal dhe zgjerimin e aktivitetit.

Por këto para nuk mund t’i sigurojë dot përmes bankave, të cilat vazhdojnë të ulin ekspozimin duke i orientuar fondet e tyre drejt investimeve që ato i konsiderojnë më të sigurta.

Kredi për qeverinë

Klienti i preferuar i bankave në ekonominë shqiptare është qeveria. Në ankandet e bonove të thesarit që janë zhvilluar gjatë këtij viti, oferta e bankave për t’i dhënë borxh qeverisë ka qenë dy herë më e lartë se sa kërkesa e kësaj të fundit.

Kjo ka bërë që interesi i bonove të bjerë sërish drejt minimumeve historike, rreth 2 për qind për maturimin 1-vjeçar. Bankat janë të gatshme t’i japin borxh qeverisë qoftë edhe me interesa minimale, pasi investimet në letra me vlerë i konsiderojnë si të sigurta, ndryshe nga kreditë për biznesin, të cilat mund të mos shlyhen më.

Por veç qeverisë, një tjetër front ku bankat janë duke investuar është ai përtej kufijve. Vitet e fundit, bankat shqiptare kanë nisur të japin kredi të shumta për bizneset e vendeve fqinje.

Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht totali i kredive që bankat shqiptare kanë dhënë për bizneset jashtë Shqipërisë llogaritet në rreth 750 milionë euro.

Të dhënat tregojnë se vetëm në dy vitet e fundit, kredia që bankat kanë dhënë për bizneset jashtë është rritur me mbi 400 milionë euro, duke konfirmuar një krizë të re për ekonominë; mungesën e aksesit në financim për biznesin vendas, pasi bankat japin kredi për këdo, përveçse për bizneset shqiptare.    

SYRI.net 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco