Prona e familjes Balili fut në sherr PS-LSI, ndërhyjnë edhe blindat e policisë

Prona e familjes Balili fut në sherr PS-LSI, ndërhyjnë edhe blindat e policisë

17:18, 21/03/2017
A+ Aa A-

Jo Kelmend Balili, por një pronë e familjes së tij është kthyer këtë herë në mollë sherri mes PS dhe LSI. Një godinë dhe një sipërfaqe toke në lagunën e Vivarit në Butrint, që administrohet prej 5 vitesh nga kompania “Balili Security Shpk”, ka çuar në përplasje institucionale mes dy ministrive të PS dhe LSI këtë fillim-jave.

Me një vendim të Ministrisë së Mjedisit në 2012 dhe autorizim të Ministrisë së Ekonomisë, kjo sipërfaqe i ka kaluar me kontratë qiraje 10-vjeçare kompanisë së Hektor Balilit, vëllait të Kelment Balilit, me qëllim ushtrimin e aktivitetit të peshkimit dhe akuakulturës.

Një përfaqësues i Ministrisë aktuale të Ekonomisë ka mbërritur në këtë objekt i shoqëruar nga policia dhe ka kërkuar lirimin e objektit, pasi sipas tij ka një vendim gjykate që kjo pronë t’i kalojë në administrim një tjetër qiramarrësi.

Disa autoblinda policie janë parë të mbërrijnë së bashku me drejtorin e Shërbimeve Juridike të Ministrisë së Ekonomisë, Fatmir Hoxha. Në objekt ata kanë gjetur përfaqësuesin e Ministrisë së Bujqësisë, si institucioni që ka lidhur kontratën me kompaninë e Balilajve.

Mes të dyja palëve ka pasur një debat mbi vendimin e marrë nga dy ministritë e linjës në vitin 2012. Të dyja palët kanë deklaruar se kishin mbërritur në lagunë me urdhër të titullarëve të dy ministrive Ndërsa njëra palë, ajo e Ministrisë së Ekonomisë kërkon dorëzimin e objektit, pala tjetër, ajo e Ministrisë së Bujqësisë pretendon se po shkelet në mënyrë të paligjshme kontrata 10-vjeçare e qirasë që është nënshkruar në vitin 2012 me “Balili Security shpk”.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë ka këmbëngulur që prishja e kontratës bëhet vetëm me vendim gjykate dhe ekzekutimi kryhet përmes përmbarimit.

Debati ka vijuar për rreth dy orë, ndërsa forcat e policisë kanë qëndruar në objekt në gatishmëri për të ndërhyrë, pa praninë e Zyrës së Përmbarimit. Të dy përfaqësuesit e ministrive nënshkruan një procesverbal ku pasqyronin zhvillimin e situatës. Pas kësaj, dhjetëra forca të rendit u larguan pa qenë nevoja të ndërhyjnë. /Balkanweb/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco