Kompanitë e energjisë fitojnë miliarda/ Çmimi për qytetarët nuk ulet, paratë ikin në tendera

Kompanitë e energjisë fitojnë miliarda/ Çmimi për qytetarët nuk ulet, paratë ikin në tendera

20:43, 19/03/2017
A+ Aa A-

Tre kompanitë publike të energjisë janë aktualisht bizneset më fitimprurëse në Shqipëri duke realizuar norma marramendëse fitimi, të cilat variojnë nga 20 deri në 40 për qind. Të dhënat e publikuara në bilancet zyrtare tregojnë se KESH, OSHE dhe OST fituan të treja bashkë mbi 13 miliardë lekë ose rreth 100 milionë euro vitin e kaluar.

Pjesën e luanit e ka Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, i cili në vitin 2016 fitoi plit 10.4 miliardë lekë. OST, vetëm në nëntë muajt e parë të vitit, rezultoi me fitim 1.4 miliardë lekë ndërsa Korporata Elektroenergjetike Shqiptare e mbylli nëntë mujorin me 741.5 milionë lekë fitim.

Image

Fitimet e lartë të tre monopoleve shtetërore të energjisë janë rezultat i çmimeve të kripura që po paguajnë qytetarët dhe biznesi për energjinë elektrike. Por në vend që fitimet të përdoren për të ulur çmimin që paguajnë familjarët, qeveria dhe Enti Rregullator autorizojnë tendera pa fund, që përfitohen nga një grusht biznesesh duke e kthyer sektorin e energjisë në një taksë të rëndë mbi qytetarët.

Çmimet më të shtrenjta

Sipas EUROSTAT, Shqipëria është aktualisht vendi me çmimin më të lartë të energjisë në Ballkan, ndërsa nëse e llogarit në raport me të ardhurat për frymë rezulton se shqiptarët e paguajnë më shtrenjtë energjinë se sa shumica e vendeve europiane.

Çmimet e energjisë shënuan një rritje të ndjeshme në vitin 2015, kur për familjarët Enti Rregullator hoqi fashën mbrojtëse deri në 300 kilovat orë duke e unifikuar tarifën në nivelin 9.5 lekë për kilovat nga 7.7 që ishte më parë. Në të njëjtën kohë për konsumatorët biznes, tarifat u rritën me mbi 20 për qind dhe aktualisht luhaten nga 14 deri në 16 lekë për kilovat orë.

Mashtrimet me çmimin

Kur filloi aksionin e energjisë kryeministri Edi Rama pati deklaruar publikisht se në 2016-ën me përmirësimin e financave të kompanive të energjisë, çmimet për qytetarët do të ulen.

Por çmimet jo vetëm që nuk u ulën vitin e kaluar, por do të vazhdojnë të mbeten në këto nivele edhe gjatë këtij viti. Madje për disa kategori si bizneset, tarifat vazhdojnë të rriten duke shtrenjtuar mallrat dhe shërbimet për qytetarët.

Në fund të këtij muaji Enti Rregullator i Energjisë do të shpallë tarifat e reja, për vitin 2017, por tashmë është e sigurtë që çmimi final që paguajnë qytetarët nuk do të ulet, por vetëm do të ketë rishpërndarje brenda kompanive. 

Paratë ikin në tendera

Fitimet marramendëse të kompanive energjetike, të cilat do t’i kishte zili çdo monopol edhe në tregje shumë më të mëdha se Shqipëria, jo vetëm që nuk kanë sjellë uljen e çmimeve, por nuk janë përdorur as për të ulur borxhin.

Sipas të dhënave të bilancit zyrtar, borxhet e OSHEE u rritën nga 92.5 miliardë lekë, që ishin në vitin 2015 në 93.3 miliardë lekë vitin e kaluar. Po kështu edhe në të dy kompanitë e tjera mali i borxheve vazhdon të rritet edhe pse realizojnë fitime të majme.

Paratë e qytetarëve përdoren për të realizuar tendera, të cilat u jepen një grushti biznesesh. /SYRI.net/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Qytetar19/03/2017 21:18

Po mire ja bejne ketij populli te dhjere komunist ta mbajne ate VER PALLEN ne krye te qeverise

Shto koment

Denonco