Lajmi i fundit

Ilir Meta sonte në ‘Çim Peka LIVE’ për të thënë të vërtetat e tij

Si dhe kur do të nisë falja e detyrimeve për 140 mijë makina

Si dhe kur do të nisë falja e detyrimeve për 140 mijë makina

09:38, 16/03/2017
A+ Aa A-

Projektligji për faljen e gjobave dhe kamatë-vonesave për bizneset debitore si dhe për faljen e taksave dhe kamatave për automjetet pritet të nisë shqyrtimin në komisionet parlamentare. Sipas draftit përfundimtar që është në Kuvend, do të përfitojnë pronarët e mjeteve që nuk kanë paguar asnjë taksë prej vitit 2011 e në vazhdim dhe duan të çregjistrojnë mjetet e tyre, të cilët duhet të paraqesin në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Rrugor katër dokumente. Pronari i mjetit do të përfitojë falje për të gjitha detyrimet në momentin që kërkon çregjistrimin e mjetit, dhe duhet të paraqesë: Lejen e qarkullimit, certifikatën e pronësisë dhe targën e mjetit. Në rast se këto dokumente i kanë humbur ose ia kanë vjedhur, duhet të paraqesë denoncimin nga policia. Procedura për çregjistrimin e mjeteve do të nisë menjëherë pas miratimit nga qeveria të draftit “Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes së detyrimeve tatimore”. Drafti pritet të kalojë sot në mbledhjen e qeverisë dhe menjëherë pas miratimit, Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor do të përgatisë një udhëzim për të gjitha mjetet që përfitojnë nga falja.

Falja e detyrimeve

Rreth 140 mijë pronarë mjetesh do të përfitojnë falje të plotë ose të pjesshme të detyrimeve që kanë pa paguar për mjetet e tyre. Përfituesit janë ndarë në dy kategori. E para është për pronarët e mjeteve, të cilët prej vitit 2000 deri në 2011-ën nuk kanë paguar asnjë taksë për mjetin dhe makat e tyre duan t’i nxjerrin nga qarkullimi. Pronarët e këtyre makinave do të përfitojnë falje të të gjitha detyrimeve, d.m.th. të taksave, gjobave dhe kamatave, por duhet që brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e faljes t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor për çregjistrimin dhe nxjerrjen nga qarkullimi të mjetit. Ndërsa, pronarët e makinave që për të njëjtën periudhë, 2000 dhe deri në dhjetor të vitit 2011, nuk kanë paguar taksat dhe duan të mbajnë në qarkullim mjetin, duhet të paguajnë vetëm taksat për të gjithë periudhën dhe përfitojnë falje të kamatave. Skema është bërë e ditur nga burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, të cilat bëjnë të ditura që janë një pjesë e konsiderueshme mjetet që nuk kanë përfituar nga amnistia e vitit 2009, pasi pronarët e tyre nuk kanë aplikuar. Sipas të njëjtave burime, për makinat që kanë detyrime për taksa dhe gjoba pas janarit 2012, do të përfitojnë falje të gjobave vetëm në rast se kryhet pagesa e detyrimeve tatimore.

Supergjobat

Pak ditë më parë, Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera shpjegoi detaje të propozimit të Financave për “amnistinë” që pritet të kalojë në qeveri dhe që i fal 28 mld lekë biznesit. Do të falen tatimet, interesat dhe gjobat e para vitit 2010, ndërsa nga viti 2011 deri në 2014-ën do të falen vetëm kamatat e gjobat dhe duhet të paguhen të plota taksat. Pjesë e faljes që pritet të miratohet në qeveri janë edhe supergjobat, që u vunë në kohën e aksionit anti-informalitet. “Jemi në fazën e shqyrtimit të projektit nga ministritë e linjës. Ministria e Financave ka përgatitur dhe diskutuar edhe me FMN-në, për të lançuar një sistem që stimulon pagesën e detyrimeve tatimore përmes heqjes së gjobave ose kamatave dhe fshirjen e detyrimeve të para 7 viteve. Ideja për të lançuar këtë projekt ka qenë jo e këtij viti, por e vitit 2016. U diskutua gjerësisht dhe u panë disa variante e opsione dhe u zgjodh më e mira. Kjo u pa si një paketë me masa të tjera, që janë në funksion të mbledhjes së detyrimeve tatimore, duke ecur me moton që, tatimet duhet të jenë kreditori i parë që duhet të trokasë në derën e bizneseve. Ligji i 2011-shit ishte 90% amnisti, ndërsa kjo e tanishmja nuk është amnisti. Ky draft thotë se detyrimet, gjobat para 2010-ës, do të fshihen”, – tha Lera.

Taksat

Të gjithë ata që kanë deklaruar me vonesë deklaratat e sigurimeve, Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, të pasqyrave financiare apo destinimit të fitimit, mund të përfitojnë nga drafti i fundit i faljes fiskale, i cili parashikon fshirjen e gjobave prej 10 mijë lekësh për deklaratë, që vë automatikisht sistemi, në rast vonese apo mosdeklarimi të tyre. Falen edhe gjobat e listëpagesave që ka vendosur sistemi. Në draft është parashikuar edhe afati kohor për të përfituar. Të gjitha deklarimet e padorëzuara duhet të mbyllen deri në fund të qershorit të këtij viti. Sipas draftit të hartuar nga Ministria e Financave, janë gjithashtu objekt i fshirjes sipas këtij ligji, detyrimet tatimore të mëposhtme, pavarësisht periudhës tatimore që i përkasin: dënimet administrative (gjobat) për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare të aplikuara sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, të llogaritura deri në datën 31.12.2016; dënimet administrative (gjobat) për mosdeklarim në afat, për deklarata të padorëzuara, me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.06.2017.

Drafti

Në draft është parashikuar edhe falja për gjobat masive që u vunë nga sistemi për deklarime të vonuara të administratorëve dhe të të punësuarve në qershor 2016. “Falen dënimet administrative (gjobat)tatimore të llogaritura automatikisht nga sistemi për deklarim të vonuar sipas nenit 113 të ligjit Nr. 9920, datë 19.08.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar, deri më 31.12.2016, përfshirë edhe dënimet që lidhen me afatin e deklarimit të të punësuarve”, thuhet në draft. Të gjithë ata që morën supergjoba në dhjetor të vitit 2015, për aq kohë sa u zbatuan ndryshimet në ligjin e procedurave, do të përfitojnë gjithashtu nga falja. Sipas draftit, falen “dënimet administrative (gjobat) si rezultat i aplikimit të dispozitave të ligjit nr.99/2015, ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për procedurat tatimore në RSH’, të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Tunxhi16/03/2017 10:34

Kjo. Esht gallat ... Perralla me mbret halli i tyre esht te vjedhin edhe. Do. Se kan jet. Edhe pak lek. Tek. Gjobat. Mos ju besoni fare ketyre kyrvave . Shqiperi nuk ka nje udheheqes popullor as patriot ok ka. Vetem hajduta ne seri srial ok

Shto koment

Denonco