Lajmi i fundit

LIVE/ Drejtuesit e Partisë Demokratike takim me demokratët e Belshit

FMN: Ulni borxhin në 60%. ‘Duhen masa shtesë për të zgjidhur kreditë e këqija’

FMN: Ulni borxhin në 60%. ‘Duhen masa shtesë për të zgjidhur kreditë e këqija’

17:32, 25/02/2017
A+ Aa A-

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se Shqipëria duhet të ulë ndjeshëm borxhin publik në dy vitet e ardhshme duke e zbritur atë në nivelin 60 për qind të Prodhimit Kombëtar nga 70 për qind që është aktualisht.

Pasi miratoi dy rishikimet e fundi të marrëveshjes tre vjeçare me Shqipërinë, Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar bëri thirrje për përmirësimin e sistemit tatimor. “Prioritetet kryesore të autoriteteve në periudhën e pas programit janë të përshtatshme. Ato duhet të vazhdojnë që të ndjekin konsolidimin fiskal në 2017 dhe më tej në mënyrë që të ulin borxhin publik në rreth 60 për qind të PBB-së deri në fund të 2019,” - deklaroi Tao Zhang, zëvendës drejtor menaxhues i FMN.

Sipas tij, ulja e borxhit me 10 për qind brenda tre viteve është një objektiv sfidues që kërkon vullnet të fortë politik. “Strategjia e konsolidimit duhet të përqendrohet në zgjerimin e bazës së taksapaguesve dhe përmirësimin e administrimit dhe mbledhjes së taksave. Strategjia është ambicioze dhe do të kërkojë angazhim të madh politik,” vijoi Zhang.

Image

Të përmirësohen investimet

FMN thotë se reforma të mëtejshme në administrimin e taksave dhe menaxhimin publik financiar do të ndihmojnë në reduktimin e rreziqeve fiskale dhe do të krijojnë hapësirë fiskale për shpenzime më cilësore.

“Për më tepër, përmirësimi i menaxhimit të investimeve publike, dhe trajtimi i projekteve të prapambetura të investimeve të pabuxhetuara do të fuqizonte më tej besueshmërinë e qeverisë në kuadër të buxhetit afatmesëm,”- thuhet në njoftimin zyrtar të FMN.

Investimet publike kanë qenë zëri me ecurinë më të dobët tek shpenzimet buxhetore. Edhe këtë vit, gati gjysma e investimeve publike vjetore u realizuan vetëm në dy muajt e fundit të vitit, ndërkohë që shumë projekte të hapura mbeten ende të pambuluara me financim.

Kreditë e këqija

Ekspertët e FMN deklaron se politika e normave të ulëta të interesit është e përshtatshme në këndvështrimin e presioneve të ulëta inflacioniste. Sipas tyre autoritetet shqiptare duhet të vazhdojnë të ndjekin një de-euroizim gradual, duke pasur në konsideratë rreziqet e këtij procesi.

“Sistemi bankar mbetet likuid dhe i mirëkapitalizuar dhe përpjekjet e fundit për të forcuar kapacitetet mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë dhe për të adresuar kreditë me probleme (NPL) janë inkurajuese. Janë të nevojshme masa të tjera për të adresuar NPL-të, duke siguruar zbatimin e legjislacionit të ri të falimentimit,” thuhet në deklaratë.

Sipas FMN, prioritet duhet t’i jepet rritjes së mbikëqyrjes së institucioneve financiare jo banka dhe sigurimi i transparencës së lartë dhe standardeve të qeverisjes në zhvillimin e institucioneve të tregjeve të kapitalit.

FMN përfundoi dy rishikimet e fundit (të nëntë dhe të dhjetë) të programit ekonomik të Shqipërisë. Përfundimi i rishikimit i lejon qeverisë të tërheqin rreth 73.2 milion euro të mbetura nga kredia, duke e çuar në total rreth 377,3 milion euro kredinë e marrë nga FMN.

SYRI.net

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

mali25/02/2017 19:49

O fmn-cka , po pse kerkon ulje borxhi tre vitet e ardhshme , kur ti e rrite borxhin keto 4 vjet deri 70 %(sipas teje , se ai eshte 72 e 73 ) , keto vite me edvin drogen !! Po kjo fmn-cka ka ndonje pergjegjesi per kete rritje te borxhit , apo e hengret dhe e vodhet se bashku me edvin drogen !? Se kur shikoje kush bente marreveshje per fmn-ne , ato arixhofkta anonime , sigurisht qe ky do ishte fundi ; tani shtrengoni rripin o shqiptare qe te na shlyeni borxhin qe ju dhame . Se borxhin e hengrem dhe e ndame ne fmn-ja me edvin drogen !!

Shto koment

Denonco