TABELA/ Bankat s'kanë besim tek ekonomia. Transferojnë miliarda euro jashtë vendit

TABELA/ Bankat s'kanë besim tek ekonomia. Transferojnë miliarda euro jashtë vendit

17:08, 17/02/2017
A+ Aa A-

Bankat nuk kanë besim të investojnë në ekonominë shqiptare, por preferojnë t'i transferojnë paratë e tyre jashtë Shqipërisë. Statistikat më të fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vetëm vitin e kaluar bankat transferuan jashtë vendit rreth 50 miliardë lekë ose mbi 370 milionë euro.

Këto janë vetëm paratë e transferuara gjatë vitit të kaluar, pasi në total stoku i investimeve që bankat kanë nxjerrë jashtë ka arritur në  364.1 miliardë lekë ose mbi 2.7 miliardë euro. Kjo është sa 35 për qind e aseteve totale të sistemit financiar dhe krahasuar me me vitin 2015, stoku i investimeve jashtë është rritur me 15.3 për qind.

Image

Bankat nuk kanë besim të kreditojnë biznesin vendas sepse druhen që këto para mund të mos u kthehen më mbrapsht për shkak të nivelit të lartë të kredive me probleme.  Sipas të dhënave zyrtare nga banka e Shqipërisë, kreditë e këqija prej disa vitesh qëndrojnë rreth nivelit 20 për qind të totalit, pavarësisht se gjatë dy viteve të fundit bankat kanë fshirë mbi 35 miliardë lekë hua të humbura.

Paralelisht kërkesa për kredi mbetet e ulët. Ekspertët thonë se projektet e mëdha janë të stopuara. Biznesi i madh ndodhet në vështirësi ndaj në këto kushte bankat kërkojnë tregje të reja dhe mundësi të reja përfitimi.

Kredi për të huajt

Pjesa më e madhe e parave të transferuara jashtë janë depozita në bankat mëma ose investime në letra me vlerë të qeverive të huaja. Por në dy vitet e fundit, bankat shqiptare kanë filluar të japin kredi për bizneset e huaja.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në shtator të vitit të kaluar,  kredia që bankat shqiptare kanë dhënë për bizneset e huaja arriti në 93.7 miliardë lekë. Kjo është sa 17.2 për qind e totalit të kredisë në Shqipëri.

Sipas Bankës së Shqipërisë, pjesa më e madhe e këtyre kredive janë dhënë për bizneset e vendeve fqinje si Maqedoni apo Kosovë. 

SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco