Deri në vitin 2020 unifikohen ekonomitë e Kosovës dhe të Shqipërisë

Deri në vitin 2020 unifikohen ekonomitë e Kosovës dhe të Shqipërisë

09:44, 14/02/2017
A+ Aa A-

Në Prizren është mbajtur Forumi Ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, ku mbi 100 biznese e përfaqësues politik kanë biseduar për mundësitë e krijimit të një tregu të përbashkët.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka tregoi për mënyrat se si mund të bashkohen të dy shtetet.  

“Shqipëria me Kosovën bashkohen vetëm nëpërmjet heqjes së kufirit ekonomik. A është e mundur që të punojmë dhe të hartojmë një plan strategjik për unifikimin e sistemit të taksave, për heqjen e çdo lloj barriere, për krijimin e magazinave të përbashkëta? A është e mundur të krijojmë lëvizjen “Blej Shqip”? A është e mundur të senzibilizojmë dhe të informojmë konsumatorin tonë?”, tha Jaka.

Në opinionin kosovar ekziston perceptimi se bizneset nga Shqipëria shumë lehtë depërtojnë në Kosovë, përderisa vet prodhuesit kosovarë ballafaqohen me shumë probleme për të depërtuar në tregun e Shqipërisë. Nënkryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Arben Shkodra, kërkon të ndryshon ky perceptim me punë konkrete.

“Ka një perceptim të ndryshuar për sa i përket ndërmarrjeve kosovare të cilat punojnë në Shqipëri. Ne kemi kontakte me disa prej tyre, të cilët natyrisht që kanë barriera procedurale, të cilat neve si zyrë bashkëpunimi do të fillojmë ti heqim”, - ka thënë ai.

Shkodra potencon se njëra ndër mënyrat më të mira për të mos pasur probleme në të ardhmen, është që investitorët nga të dyja vendet, të quhen kombëtar.

“Ne do të donim që të kishim një harmonizim, do të donim që investitorët si shqiptarët në Kosovë e po ashtu kosovarët në Shqipëri, të mos quhen investitorë të huaj, ato të quhen investitorë kombëtarë dhe kjo është njëra ndër gjërat e rëndësishme që neve ta specifikojmë”, - theksoi Shkodra.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, pranon se nga dimensioni kohor është dashur të bëhet shumë më tepër edhe më herët, për sa i përket raporteve ekonomike mes Kosovës e Shqipërisë.

“Por, e lexova para disa dite një libër që thotë se nuk është kurrë vonë të jesh i pasur dhe i lumtur. Jemi këtu ku jemi dhe duhet të vazhdojmë rrugëtimin tonë me të vetmin qëllim që agjendën ekonomike ta vëmë si prioritet mes dy qeverive, dy shteteve e dy popujve të ndarë”, potencoi Gërxhaliu.

Kurse ministri i Financave, Avdullah Hoti, parashikoi kohën kur mund të unifikohen tregjet e Kosovës e të Shqipërisë, e që sipas tij kjo do të ndodhë më së voni deri në vitin 2020.

“Shumë prej çështjeve tanimë i kemi zgjidhur ose janë në proces dhe besoj që finalizohen së shpejti dhe në një periudhë jo më të gjatë se 2-3 vite ne mund të flasim për unifikimin e dy ekonomive,” konkludoi Hoti.

Kohën e fundit po ndodhin në Republikën e Shqipërisë kanë filluar inspektimet online që heqin totalisht mundësinë e abuzimit sa i përket inspektimit jokorrekt të produkteve të huaja.

“Në këtë rast produktet e Kosovës do kalojnë në një fazë inspektimi absolutisht të pastër”, thotë nënkryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Arben Shkodra.

***

Synimet e mëdha të qeverisë së Kosovës

Gjatë këtij viti, niveli i papunësisë do të ulet në 20%, që është shifër rekord për Kosovën. Këtë e ka paralajmëruar kryeministri i vendit, Isa Mustafa gjatë prezantimit të planeve të Qeverisë së Kosovës drejt zhvillimit të sektorit privat në konferencën ”Ambienti i Biznesit 2017”. I pari i Qeverisë tha se në vitin 2017, rritja ekonomike do të jetë rreth 5 për qind. Kryeministri Mustafa paralajmëroi edhe punësim të rreth 25 mijë të papunëve.

”Papunësi është edhe më ulët sesa që figuron sepse sidomos në Sektorin e Bujqësisë ka vështirësi të identifikohet papunësia reale. Mund të presim që në vitin 2017 të kemi rreth 25 mijë vende të reja të punës dhe po-ashtu jam i bindur që mund të presim, që në vitin 2017 ta ulim normën e papunësisë nën shifrën prej 20 për qind”, ka thënë Mustafa.

Kurse ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi vuri në theks se qeveria e vendit e ka renditur bujqësinë ne mesin e prioriteteve më të larta të saj. Sipas tij bujqësia, krijon shumë vende pune.  

”Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore janë mbi 22 për qind të gjitha punësimet në vend që burojnë nga bujqësia”, ka thënë Krasniqi duke shtuar se një pjesë e madhe e këtij punësimi ende vazhdon të jetë në sektorin jo formal.

***

Miratohen marrëveshje në vlerë prej mbi 180 milionë euro

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar tre Marrëveshjet financiare në vlerë prej afro 160 milionë eurosh, të cilat janë negociuar me qeverinë e Francës, Hungarisë dhe Austrisë. Po ashtu është miratuar Garancia Shtetërore me BERZH-in për Linjën e Dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës në vlerë prej 24 milionë euro.

Ministri i Financave Avdullah Hoti, në lidhje me Projektligjin për Marrëveshjen Financiare me Qeverinë e Austrisë, bëri të ditur se ajo i mundëson Qeverisë së Republikës së Kosovës marrje të huas nga Qeveria austriake në vlerë deri në 30,000,000.00€ për investime në projekte të ndryshme kapitale.

***

Shumë ligje për biznese

Numri i bizneseve të shuara krahasuar me ato në zhvillim është shumë më i vogël, ka thënë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami. Sipas saj, kanë ndryshuar shumë ligje në funksion të përmirësimit të ambientit të biznesit.

”Dua të theksoj këtu disa ligje të rëndësishme. Vlen të përmendet këtu Ligji për falimentim, Ligji për Investime Strategjike dhe Ligji për Shoqëri tregtare i cili shuam shpejt do të përcillet në Parlament”.

Një mundësi për bizneset prodhuese shihet edhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, MSA, e cila ka mundësuar që 2 mijë e 500 lloje të mallrave kosovare të lirohen nga tarifat doganore.

***

Serbët e veriut të Mitrovicës shprehin interesimin për bashkëpunim me qeverinë e Kosovës

Pas marrëveshjes për murin në Mitrovicë, drejtuesit e komunës veriore të këtij qyteti kanë shfaqur kërkesën për bashkëpunim, e që kryeministri Isa Mustafa këtë gjë e vlerëson lartë.

“Kam informatën që kemi edhe kërkesë nga komuna e veriut  që të bashkëpunojë ngushtë me Ministrinë e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, në proces të mbikëqyrjes së këtyre punimeve në mënyrë që çdo gjë të bëhet, që është një shembull shumë i mirë.”

Këto komente kryeministri Mustafa i bëri në mbledhjen e qeverisë duke ri-potencuar bashkëpunimin e ngushtë me presidentin e vendit Hashim Thaçi si dhe krye-kuvendarin Kadri Veseli në arritjen e marrëveshjes për murin. Kurse ministri i Mjedisit Ferat Shala ri-përsëriti se në atë pjesë më nuk do të ketë mur.

“Në këtë pjesë ku së fundi është bërë debat është apo nuk është muri, nuk ka mur në atë shesh, më nuk ka mure, ka vazo lulesh në dy nivele, me një lartësi i pari 40 cm dhe i dyti maksimum 70 cm ku do të jenë të hapura në mes të mbushura me dhe për lule dhe asnjë lloj muri, asnjë lloj simbolike, asnjë lloj kriteri tjetër nuk ka”, ka thënë Shala.

Ministri Shala tregoi edhe për rrugën se si është arritur deri te marrëveshja.

***

Tahiri zbulon marrëveshjet e pazbatuara me Serbinë

“Në negociata me Serbinë kanë mbetur pa u zbatuar edhe disa marrëveshje, përfshirë ato për: drejtësi, energji dhe asociacionin”, ka thënë ministrja për dialog Edita Tahiri. Në Komisionin parlamentar për punë të jashtme ajo tha se dialogu ende nuk ka hyrë në fazën përmbyllëse. Por kur kjo të ndodh, do të ishte mirë që Kosova të përfaqësohej nga i gjithë spektri politik, njëjtë si në bisedimet e Vjenës.

“Pres që opozita të reflektoj tash mbi shembujt pozitiv të së kaluarës. Tani, unitet treguam në rastin e kundërshtimit të murit, a nuk ishte ashtu!? Gjithë atë mbrëmje në debat unë kam vlerësuar unitetin që po ndërtohej, qoftë edhe qeveri uniteti, për mendimin tim, po. Të unifikuar në fazën përmbyllëse të bisedimeve, mendimi im personal si politikane”, ka thënë Tahiri.

Pavarësisht provokimeve nga shteti serb, Tahiri tha se Kosova duhet të vazhdojë me dialog, duke e qenë e matur dhe duke treguar pjekuri politike. 

***

Ministri Hoxhaj paralajmëron për skenarët e Serbisë

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj duke raportuar para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme, ka thënë se Serbia po përgatitet për skenarë të tjerë të provokimeve ndaj Kosovës.

Hoxhaj tha se Serbia vazhdimisht është duke bërë inskenime për të ndërhyrë në sovranitetin e Kosovës. Ai po ashtu tha se ka një tendencë të rritjes ushtarake të Serbisë.

E anëtarët e komisionit ndër shqetësimet e tyre që paraqiten ishte mbajtja nga autoritet franceze e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Ata njëzëri kërkuan që këto probleme që po i bënë Serbia të marrin fund. Ndërsa në fjalën e tij, ministri Hoxhaj tha se beson në pafajësinë e Haradinajt, për të cilin tha se është i sigurt, se ky proces do të mbyllet me sukses dhe në favor të shtetit të Kosovës.

***

Kosova këtë vit synon të aplikojë për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në takimin vjetor të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Shkup, për të diskutuar për sfidat dhe proceset nëpër të cilat po kalojnë vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ministri Hoxhaj më takimin ku i pranishëm ishte edhe Komisioneri Hahn, tha se Kosova këtë vit po synon të aplikojë për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
“Ne jemi i vetmi vend në rajon, i cili ende nuk është shtet kandidat për t’u anëtarësuar në BE dhe këtë gjë do ta bëjmë këtë vit”, - tha Hoxhaj.
Hoxhaj theksoi se bashkëpunimi rajonal nuk duhet të shihet vetëm si proces teknik, por edhe si proces politik i domosdoshëm për përmirësimin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe të raporteve mes fqinjëve.

***

Kërkohet të definohen pronat në Kosovë

Strategjia Kombëtare Për Të Drejtat Pronësore, ka rëndësi të madhe sepse nuk mund të definohet qartë zhvillimi ekonomik i vendit, nëse nuk definohen çështjet pronësore, ka thënë Zëvendës-kryeministri Hajredin Kuçi.

E ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha tha se mungesa e implementimit efikas të dispozitave ligjore që ka të bëjë me të drejtat mbi pronën e paluajtshme, shkalla e lartë e informalitetit, kanë ndikuar në dobësimin e të drejtave pronësore në Kosovë, që ka rezultuar në nivel jo të kënaqshëm të realizimit të së drejtës pronësore. 

Kurse ambasadori amerikan në Kosovë,Greg Delawie tha se kjo strategji është thelbësore për vendin. “Zhbllokimi dhe zgjidhja e sistemit pronësor në Kosovë, është çelësi i shumë gjërave”, tha ai.

Strategjia Kombëtare për të Drejtat Pronësore adreson një sërë çështjesh në mënyrë që të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim, t’i realizojnë të drejtat e tyre./Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem Saragjolli

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco