AMF ngel në klasë, por nuk ndodh asgjë - Nga Flir Mosho

AMF ngel në klasë, por nuk ndodh asgjë - Nga Flir Mosho

10:18, 16/01/2017
A+ Aa A-

Në ditët e fundit të dhjetorit Kuvendi miratoi rezolutën për veprimtarinë e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, e miratuar me vota të përfaqësuesve të gjitha forcave  politike. Rezoluta gjendet edhe e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Në ditët që pasuan askush nuk i kushtoi vëmendje notës jo kaluese që Kuvendi (në një provim të vonë si dikur provimet e vjeshtës për katranjosët), i vuri ekipit drejtues të AMF.

Personalisht e cilësoj si të shtuar rolin që i dha vetes Kuvendi në formulimin e rekomandimeve, por si qytetar që dëshiroj të ndihem i mbrojtur në çdo investim timin për të cilin duhet të garantohem nga shteti, ndihem mirë që më në fund Mbikëqyrësi i Mbikëqyrësit AMF, foli!

Më vjen mirë që Kuvendi i kujtoi AMF që ligji e detyron që të shqyrtojë dhe të përdorë autoritetin e vet për të siguruar respektimin e të drejtave dhe trajtimin e barabartë të investitorëve.

E vlerësoj shumë teknik dhe mbase të ekzagjeruar detyrën e ngarkuar nga Kuvendi për AMF, për verifikim e algoritmit të serverit dhe sistemit IT aktualisht në përdorim të brokerit që tregton TPL, kartonin Jeshil dhe Policen Kufitare, por më vjen mirë që një autoritet superior merr përsipër të detyrojë që dikush në AMF të bëjë atë për të cilën paguhet.

Si individ që kam shkruar për çështjen e tregtimit on-line dhe të rrezikut që mbartin këto skema, nuk ndihem vetëm kur lexoj nga Kuvendi se ata 60.000 shqiptarë që i besuan këtyre skemave, të kenë të paktën një sinjal që në humbjen e tyre, ka qenë një institucion që nuk ka funksionuar dhe se në këtë rast "Shteti“ nuk është koncept në letër, por ka një emër: quhet Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Më pëlqen detyrimi që Kuvendi i ngarkon AMF që të shfaqet publikisht. Të deklarohet se ekziston e mos fshihet pas bisedave në tavolina klubesh ku shqiptarët nuk janë kurrë prezent.

E quaj të tepërt ndërhyrjen e Kuvendit në raporte punësimi brenda Autoritetit, sepse e gjej vetëm në këtë rast. Por më duhet të jem i sinqertë ndaj them se do më pëlqente që ta shihja gjithmonë këtë rol të organit ligjvënës, kudo ku katrahura e strukturave, shkarkimeve dhe emërimeve krijon të njëjtin boshllëk dhe kaos si në AMF.

E vlerësoj të gjithën! Kuvendi ka ngelur në klasë AMF! Pasi e kanë ngelur në klasë të gjithë ata që kanë patur të bëjnë më parë me halle tregjesh të mbikëqyrura nga AMF.

Po pastaj???? Çfarë vjen pastaj???

Pastaj u mblodh Grupi i Stabilitetit Financiar! Dhe pasi Kuvendi ngeli ne klasë AMF-në, bëri një mbledhje dhe i tha AMF-së që duhet të bënte më mirë detyrën.

Për ata që nuk e dinë, anëtarë të Grupit të Stabilitetit Financiar janë: Ministri i Financave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Mirë këta të parët, po ky i fundit kujt i foli nëpërmjet deklaratës së përbashkët që doli nga mbledhja??

Interesante është që midis të tjerave këta të tre, këshilluan AMF-në që të kishte kujdes skemat e investimit on-line. Për aq sa mund të përmendet në një shkrim, këto skema nuk kanë asnjë shans që të funksionojnë pa vëmendjen e bankës se nivelit te dyte me të cilën operon platforma (e licencuar ose jo) dhe që mjaftojnë vetëm urdhra operative të shtuar, që Banka e Shqipërisë, DPPP (Drejtoria e Përgjithshme Pastrimit të Parave në vartësi të Ministrit të Financave) dhe AMF të identifikojnë në kohë reale se cili/cilët dhe në cilin drejtim po trafikohen transaksionet.

Por Grupi i Stabilitetit Financiar nuk bëri asnjë nga këto! Bëri vetëm një deklaratë, deklarate sa për të larë gojën.

Kuvendi prodhoi vlerësim vjetor për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Vlerësoi me notë pa kaluese AMF. Por kaq ... asgjë nuk ndodhi. Me notë pa kaluese në vlerësim pune cdo nëpunës i thjeshtë civil largohet nga shërbimi civil me gjithë përgjegjësinë që mbart bërja e një shënimi për këtë fakt në librezën e tij të punës. Ne AMF Askush nuk po mban përgjegjësi. Në AMF kalon klasën edhe me notën 4. Megjithëse dëmi është qindrafish më i madh se dëmi i një nëpunësi të vetëm civil.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

ska shtet16/01/2017 19:34

po ku ka shtet ne kete vend, ne jemi si karroca e dylit

Shto koment

Denonco