Euro dhe dollari vazhdojnë rënien, shkaku: Shumë valutë cash në treg jashtë kontrollit

Euro dhe dollari vazhdojnë rënien, shkaku: Shumë valutë cash në treg jashtë kontrollit

13:37, 13/03/2018
A+ Aa A-

Monedha e përbashkët ka shënuar një tjetër rënie edhe gjatë ditës së sotme, duke vendosur një tjetër rekord të ulët të 10 viteve të fundit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 131.57 lekë, me një rënie të fortë prej 0.26 lekësh në krahasim me ditën e mëparshme. Kjo është rënia më e fortë ditore që prej 15 janarit të këtij viti. Monedha e përbashkët u këmbye sot në nivelin më të ulët që nga gushti i vitit 2009.

Në rënie ka qenë edhe dollari, duke treguar për një dobësi të të gjitha valutave ndaj monedhës vendase. Një dollar u këmbye sot me 106.7 lekë, me një tkurrje prej 0.32 lekësh në krahasim me ditën e mëparshme. Edhe dollari po luhatet në nivelet më të ulëta të katër viteve.

Në rënie, si rrallëherë kanë qenë të gjitha monedhat e tjera, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

Në bursat ndërkombëtare euro këmbehet me 1.23 dollarë, në rënie të lehtë në krahasim me fundjavën e kaluar, por afër nivelit më të lartë të tre viteve të fundit.

Por, si shpjegohet ky mbiçmim i dukshëm i lekut në një ekonomi, ku deficiti i llogarisë korente është ndër më të lartët në rajon (rreth 10% të prodhimit të brendshëm bruto) dhe deficiti tregtar vijon të jetë i lartë për shkak të importeve që janë gati sa dyfishi i eksporteve. Nga ana tjetër, kjo nuk është një periudhë kur ka hyrje të valutës nga turistët, apo nga emigrantët. Ekspertët thonë se arsyet janë disa:

Së pari, në treg po konstatohet një nivel i lartë valute cash i pakontrolluar që ka rritur dukshëm ofertët në euro, por edhe dollarë.

Së dyti, qarkullimi i monedhës vendase në ekonomi është i ulët.

Së treti, politika e deeuroizimit të Bankës së Shqipërisë ka dekurajuar përdorimin e euros duke bërë që kursimtarët të mos kenë interes ta mbajnë në banka, çka në afatin e shkurtër rrit ofertën në valutë.

Së katërti, në datën 13 bizneset nxitojnë të paguajnë TVSH-në, pasi dita e nesërme që është afati i fundit është pushim. Bizneset që punojnë me valutë nxitojnë ta thyejnë atë.

Së katërti, këmbimet e kompanive të huaja nuk po rezultojnë të larta. Ekspertët e tregut pohojnë se përgjithësisht këtë periudhë ka kërkesë të madhe për valutë, për shkak të transferimit të fitimeve nga bizneset me kapital të huaj.

Ekspertët presin që monedha vendase të vijojë të jetë e fortë sidomos me afrimin e verës, kur pritet ardhja e turistëve dhe e emigrantëve./Monitor

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Tili13/03/2018 13:47

Shkruat gjith kete artikull, po te mernit mundimin te pyesnit nje ekonimist nuk ishte e mundur? Faj kemi ne qe u lexojm.

Shto koment

Denonco