Falen kreditë për shtëpi, ja kategoritë që përfitojnë...

Falen kreditë për shtëpi, ja kategoritë që përfitojnë...

08:34, 24/02/2018
A+ Aa A-

Të gjitha familjeve që kanë përfituar ndër vite kredi nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave, për blerjen e një banese, do t’u falen këstet e mbetura të kredive.

Kështu parashikon një nismë ligjore e qeverisë ‘Rama 2’, e cila është miratuar nga komisionet parlamentare, ndërsa pritet të finalizohet nga parlamenti.

Amnistia parashikohet pikërisht në dispozitat transitore të projektligjit për strehimin social. Pika pesë e nenit 80 të projektligjit parashikon që familjet e shpërngulura dhe të gjitha kategoritë e tjera që kanë marrë kredi të buta apo me interes zero, u falen detyrimet.

“Familjeve të shpërngulura për shkak të ndërtimit të veprave publike dhe kategorive të tjera në pamundësi financiare, të cilat kanë përfituar kredi nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave, u falen detyrimet monetare, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave”, parashikon projektligji.

Ndërkaq, banesat e ndërtuara me fonde publike nga Enti Kombëtar i Banesave, të cilat deri në fund të vitit 2007 rezultojnë me kontrata të palidhura dhe kanë kaluar në pronësi të organeve të vetëqeverisjes vendore ku ato ndodhen, do të përdoren në funksion të njërit prej programeve sociale të strehimit ose për privatizim nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Kur këto banesa nuk kanë kaluar në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore, ato mbeten në pronësi të EKB-së dhe do të përdoren në funksion të njërit prej programeve sociale të strehimit ose për privatizim.

Po ashtu, nisma ligjore e propozuar nga qeveria parashikon që banesat e ndërtuara për familjet e shpërngulura për shkak të ndërtimit të veprave publike, të tilla si hidrocentrali i Banjës, hidrocentrali i Fierzës, të cilat ende figurojnë të paprivatizuara, privatizohen falas, me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse dhe sipas listës emërore që kanë trashëguar. Për objektet e ndërtuara për familjet e shpërngulura nga ndërtimi i Ujëmbledhësit të Bovillës, kalimi i së drejtës së pronësisë mbi objektin dhe truallin realizohet pa pagesë, nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale.

Afati i hyrjes në fuqi

Falja e kësteve të mbetura të kredive të familjeve që kanë përfituar kredi të butë apo me interes zero nga Enti Kombëtar i Banesave pritet të mundësohet brenda muajit mars. Ligji për strehimin social tashmë ka kaluar në filtrin e disa komisioneve, ndërsa pritet miratimi përfundimtar i tij në seancat e ardhshme plenare. Ndërkaq, komisionet parlamentare kanë propozuar një afat njëvjeçar, brenda të cilit qeveria duhet të miratojë aktet nënligjore të ligjit, por zbatimi i pikës për faljen nuk kushtëzohet nga aktet nënligjore./shqiptarja.com

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco