Tregtia e lirë me Ukrainën, jepen propozimet, interes për produktet agroushqimore shqiptare

Tregtia e lirë me Ukrainën, jepen propozimet, interes për produktet agroushqimore shqiptare

07:29, 23/02/2018
A+ Aa A-

Shqipëria dhe Ukraina janë duke konkretizuar marrëveshjen për tregtinë e lirë mes dy vendeve. Gjatë një vizite zyrtare në Kiev ditën e enjte, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka shkëmbyer me homologun ukrainas, Pavlo Klimkin, propozimet e palëve.

“Kemi shkëmbyer draftet e para të marrëveshjes sonë për Zonën e Tregtisë së Lirë bazuar në interesat e qarta të bizneseve tona, sidomos në fushën e agrikulturës për të mund të shitur produktet agroushqimore këtu”, u shpreh Bushati.

Sa i takon ministrit ukrainas, ai u shpreh se ka një perspektivë të mirë për të ardhmen në drejtimin e tregtisë së lirë dhe se detajet do të diskutohen me ministrinë përkatëse të Tregtisë në Ukrainë.

Ndërkohë, Ukraina po planifikon të caktojë edhe një konsull nderi në Tiranë, por mbetet për t’u parë nëse do të zhvillohet më vonë në formën e ambasadës apo të zyrave të ambasadës.

Sipas të dhënave të INSTAT, viti 2017 regjistroi 455 milionë lekë në vlerë mallrash të eksportuara drejt Ukrainës dhe mbi 3.5 miliardë lekë mallra të importuara. Kjo përbën një deficit tregtar prej mbi 3.1 miliardë lekësh. Por me garantimin e aksesit të fruta-perimeve dhe produkteve të tjera agroushqimore shqiptare në tregun ukrainas, ky bilanc negativ mund të përmirësohet, shkruan scan.tv.

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë duke u intensifikuar edhe në fushën e turizmit. Linja ajrore e sapokrijuar ukrainase “SkyUp” ka njoftuar se në verë do të ofrojë edhe fluturime direkte me Tiranën, çka pritet të sjellë një rritje të ndjeshme të turistëve nga ky vend.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco