Sejko: Rritja u ngadalësua në 6-mujorin e dytë

Sejko: Rritja u ngadalësua në 6-mujorin e dytë

18:09, 20/12/2017
A+ Aa A-

Banka e Shqipërisë deklaroi se ekonomia shqiptare u ngadalësua në 6 mujorin e dytë të vitit duke rrëzuar pretendimet e qeverisë për rritje ekonomike 4 për qind. "Aktiviteti ekonomik i vendit ka vijuar të shënojë rritje në tremujorin e tretë dhe të katërt, ndonëse disa tregues indirektë sugjerojnë një ngadalësim të lehtë në gjysmën e dytë të vitit," tha guvernatori Gent Sejko.

Në gjashtëmujorin e parë Prodhimi Kombëtar u rrit me 4 për qind, por në gjysmën e dytë të vitit rritja ka qenë më e ulët. Edhe këtë vit, ekonomia shqiptare sërish nuk do të arrijë dot të rritet me 4 për qind, ndërkohë që për vitin tjetër, parashikimet janë edhe më pesimiste.

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore thonë se në 2018-ën ekonomia shqiptare do të ngadalësohet sërish, drejt nivelit 3.7 për qind për shkak të rënies së investimeve të huaja. Sipas tyre, shkaku për këtë ngadalësim është përfundimi i gazsjellësit Transadriatik dhe Kaskadës së Devollit, dy projekte madhore të cilët gjatë dy viteve të fundit kanë udhëhequr rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Shqetësim inflacioni

Rritja e ngadaltë ekonomike është dhe një nga arsyet kryesore se pse inflacioni mbetet poshtë objektivit ligjor të Bankës së Shqipërisë. Inflacioni shënoi vlerat 1.9% dhe 1.7%, respektivisht në muajt tetor dhe nëntor, duke regjistruar vetëm një përmirësim të lehtë ndaj nivelit të muajit shtator dhe duke rezultuar në kahun e poshtëm të pritjeve të BSH.

"Në terma makroekonomikë, rritja e ngadaltë e inflacionit vazhdon të pasqyrojë efektin e kombinuar të disa faktorëve, mes të cilëve hendekun negativ të prodhimit, që vijon të frenojë rritjen e kostove të punës dhe të inflacionit bazë,"  deklaroi Sejko.

Hendeku negativ i prodhim nënkupton se ekonomia nuk prodhon me kapacitet të plotë. Për shkak të mungesës së kërkesës në treg, biznese shfrytëzon vetëm një pjesë të kapaciteteve prodhuese, çka e mban inflacion të ulët dhe pagat në stanjacion. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco