Biznesi i armëve në Shqipëri që po zgjon shumë interes tek femrat

Biznesi i armëve në Shqipëri që po zgjon shumë interes tek femrat

10:15, 09/12/2017
A+ Aa A-

Në vitin 2014, hyri në fuqi ligji “Për armët”, i cili specifikonte se çdo qytetar shqiptar mbi 25 vjeç, që plotëson disa kushte, mund të blejë një armë me leje për në banesë. Nga ajo kohë e deri më sot, aplikime dhe interes kanë shfaqur me mijëra, por vetëm 322 persona kanë arritur të marrin autorizim për armë me leje. Subjektet e licencuara për tregtimin e armëve raportojnë interes të lartë, sidomos nga ana e biznesit.

Sot, një pistoletë, në varësi edhe të markës, mund të sigurohet për 800-1500 euro, ndërkohë që poligonet po frekuentohen gjithnjë e më shumë. Janë femrat ato që parapëlqejnë të praktikohen në këto ambiente, por kur vjen puna tek blerja, këtë e bëjnë meshkujt. Ecuria e tregut duket e zbehtë në transaksione, por jo në interes, i cili kufizohet nga procedurat dhe filtrat. Një goditje, biznesi i armëve duket se e ka marrë nga moratoriumi i gjuetisë

Nga Nertila Maho, Monitor

Është ora 10:00 e mëngjesit dhe kemi lënë një intervistë pranë një prej poligoneve në kryeqytet. Ngjitur me të, një dyqan ku ekspozohen veshje kamuflazh dhe pajisje apo veshje balistike. Kurioziteti na shtyn drejt derës së tij dhe jo të poligonit, ku tentojmë të hyjmë. Naivitetit tonë i përgjigjet një derë e mbyllur me çelës dhe buzëqeshja e një vajze, e cila me shenja na tregon se duhet të shkojmë nga poligoni, pasi nuk lejohet hyrja. Në fakt do të ishte e çuditshme që në një dyqan armësh të hyje lehtë si në një supermarket. Te poligoni është integruar edhe një bar-kafe dhe aty presim që të vijë drejtuesi teknik. Përgjithësisht një ambient ku qarkullojnë vetëm meshkujt, por duket se jo të gjithë janë aty për të marrë një armë apo për të hyrë në poligon, është ende herët për këtë lloj “sporti” që po njeh rritje ditë pas dite, ashtu si dhe fakti që tregtimi i armëve tashmë është një biznes që ka hyrë në normalitet.

Në mes të vitit 2014, u miratua edhe ligji “Për armët”, që rregullon katër aspekte. Së pari, kushtet dhe kriteret për mbajtjen, ruajtjen, tregtimin, importimin, eksportimin, gjurmimin e transportimin, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të armëve të kategorive “B”, “C” e “D”.

Së dyti, marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe subjekteve për pajisjen me armë e municione, kur një e drejtë e tillë ka lindur për shkak të pronësisë apo të detyrës. Së treti, marrëdhëniet për lëshimin e licencave dhe autorizimeve nga Policia e Shtetit për çdo subjekt të interesuar për veprimtaritë e lejuara me armë, sipas kategorive të përcaktuara në këtë ligj. Së katërti, veprimtarinë e prodhimit, çaktivizimit dhe riparimit të armëve.

Me kalimin e këtij ligji u bë e mundur që çdo person mbi 25 vjeç dhe që përmbush një seri kriteresh të përcaktuara, mund të pajiset me armë pas marrjes së autorizimit nga strukturat përkatëse. Në funksion të kësaj ushtrojnë aktivitet edhe kompanitë e autorizuara për të tregtuar armë. Por si ka qenë interesi për blerjen e një arme nga ana e qytetarëve?
“Interesi ka qenë i lartë, sidomos gjatë viteve 2015-2016, kur ishte dhe fillimi dhe kur kishte një lloj kurioziteti lidhur me këtë pjesë. Këtë e them nga përvoja ime pranë kompanive që kanë si pjesë të tyre edhe këtë lloj aktiviteti. Viti 2017, duke qenë se është i treti nga hyrja në fuqi e ligjit ‘Për armët’, ka sërish interes, por në raport me dy vitet e mëparshme, është disi më i ulët”, shprehet Vasion Qilla, drejtues teknik pranë Military System Supply Company. Duket se kërkesa ka zbritur aty ku duhet të jetë për një treg që nuk është si të gjithë të tjerët. Të gjithë ata që kishin kuriozitet apo e kishin të nevojshme një armë me leje, sipas hapësirave që përcakton ligji, tashmë kanë plotësuar dokumentet, duke i lënë vend një rënie të kësaj tendence drejt volumit normal që duhet të ketë numri i transaksioneve.

Të dhënat zyrtare, 322 persona kanë armë me leje

Burime zyrtare pranë Policisë së Shtetit i thanë “Monitor” se, në zbatim të ligjit 74/2014 “Për armët” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, në treg operojnë kategori të ndryshme subjektesh të licencuara. Janë të paktën 33 subjekte të licencuara “Për import/eksport dhe tregtim për armët e kategorive “B1”, “B4”, “C” dhe “D”, janë 6 subjekte të licencuara “Për aftësimin teorik dhe praktik të personave për armët”, pra subjekte që lëshojnë dëshmi aftësie. Po kështu janë 6 Subjekte të licencuara “Për poligon civil qitje”, si dhe 2 subjekte të licencuara “Për transportin e armëve, pjesëve dhe municioneve të tyre të kategorive “B1”, “B4”, “C” dhe “D”.

Nga hyrja në fuqi e ligjit e deri më tani, interesi i atyre që duan të marrin një armë me leje në vendbanim është i lartë. Procedurat që duhet të kalojnë dhe dokumentacioni që duhet të plotësohet është relativisht i madh, çka bën që numri i atyre që kanë marrë një armë të jetë dukshëm i ulët.
Referuar të dhënave zyrtare nga hyrja në fuqi e ligjit janë pajisur me autorizim blerje/mbajtje armë zjarri për në vendbanim 322 persona. Janë të paktën pesë raste të cilëve ju është revokuar autorizimi për mbajtje arme zjarri në vendbanim, për arsye të shkeljes së rregullave të administrimit të tyre, si dhe humbjes së kritereve ligjore për pajisjen me autorizim mbajtje arme. Pra qytetarët nuk kanë respektuar kushtet që përcakton ligji, për mënyrën sesi duhet të administrohet arma, ose kanë shkelur një nga kushtet që ua humbet të drejtën që mund të lidhet me kundërshtimin e forcave të policisë, detyrimeve tatimore të papaguara apo dënim i formës së prerë nga gjykata.

Gjithsesi, pozitiv duket se është fakti që nga personat e pajisur me autorizim për mbajtje arme në banesë nuk ka asnjë rast të evidentuar për ngjarje kriminale. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit shprehen se, nga hyrja në fuqi e ligjit e deri tani, nuk konstatohet të ketë problematika që mund të derivojnë prej tij. “Veprimtaria e subjekteve të licencuara për veprimtaritë me armët, monitorohet dhe kontrollohet nga strukturat e Policisë së Shtetit, nëpërmjet kontrolleve dhe inspektimeve të drejtpërdrejta, si dhe nëpërmjet sistemeve elektronike të evidentimit të veprimtarisë të çdo subjekti dhe atyre të gjurmimit të armëve. Nuk janë konstatuar raste të shkeljeve të rregullave nga këto subjekte”, pohojnë të njëjtat burime.

Armë me leje

Referuar të dhënave zyrtare nga hyrja në fuqi e ligjit janë pajisur me autorizim blerje/mbajtje armë zjarri për në vendbanim 322 persona. Janë të paktën pesë raste të cilëve ju është revokuar autorizimi për mbajtje arme zjarri në vendbanim, për arsye të shkeljes së rregullave të administrimit të tyre, si dhe humbjes së kritereve ligjore për pajisjen me autorizim mbajtje arme.

Biznesi, interes për “armatosje”

Biznesi, jo rastësisht, ka interes për të pasur një armë me leje. Dokumentacionin duket se e kanë plotësuar një numër i konsiderueshëm. Kjo konfirmohet nga kompanitë e autorizuara për tregtim, të cilat shprehen se ka pasur interes pranë tyre për procedurën e blerjes, por në praktikë e kanë marrë një pjesë më e vogël. Dikur me ligj, armë mund të mbanin ato biznese që ishin anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë apo që provonin me dokument se kishin qarkullim të parave mbi 1 miliard lekë në vit. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, e drejta u zgjerua dhe për këtë arsye, biznesi nuk ka më kufizime të kësaj natyre, por vetëm ato që specifikohen në ligj. Nuk ka një ndarje sektorësh për nga interesi i pajisjes me një autorizim për armë me leje. “Interesi është i përgjithshëm, nga të gjithë sektorët. Ka qenë ndoshta komuniteti i biznesit ai që ka shfaqur interesin më dinamik në fillim, duke plotësuar edhe dokumentacionin për pajisjen me autorizimin për blerje arme në vendbanim”, shprehet drejtuesi teknik pranë MSSC.

Të njëjtën gjë konfirmon edhe administratori i Rogat. “Ka pasur interes nga të gjithë, por ajo që vihet re është se ka një ecuri të ngadaltë në përpunimin e dokumentacionit nga sektori civil. Ndoshta kjo lidhet me volumin e punës së tyre, apo edhe faktin që ne procedurat i kemi ende me letër, por tipikisht zgjat më shumë sesa përcaktohet në ligj. Kosova, për shembull, i ka shumë më të shpejta procedurat, sepse aplikimet dhe ndjekjen i ka online, duke lehtësuar kështu burokracitë”.

Femrat preferojnë praktikën, frekuentim i lartë në poligone

Kurioziteti ka bërë që jo vetëm meshkujt, por edhe femrat, të drejtohen pranë dyqaneve ku tregtohen armë, por sidomos në poligonet civile. Mjafton t’u hedhësh një sy faqeve në rrjetet sociale që kanë kompanitë me licenca për poligone, dhe kupton se numri i tyre është i lartë në frekuentim. Preferojnë ta shohin si sport, si dhe të bëjnë praktikë për aftësim, por jo ta kenë një armë. Rastet e femrave që duan të blejnë një armë janë shumë të ulëta dhe numërohen me gishtat e dorës.

“Interes ka, janë kureshtare për të ditur si përdoret por nuk është se duan ta kenë një armë të tyren. Përgjithësisht vijnë në poligon duke e parë si një formë sporti”, shprehet Vasion Qilla. Gjithmonë e më shumë, poligonet po shihen si një mënyrë për të kaluar një kohë ndryshe. “Është kthyer në interes sportiv dhe vijnë grupe të ndryshme shoqërore. Është një trend. Shoh që femrat janë ato më të pasionuarat. Është një sport që të jep tjetër lloj adrenaline”, – pohon Gëzim Demiraj nga Pelikani Security.

Frekuentimi më i lartë është në fundjavë dhe kryesisht ora e pasdites dhe mbrëmjes. Praktika në poligone bëhet me armë që janë të autorizuara për t’u përdorur për këtë pjesë. Çdo poligon ka edhe rregullat e tij të funksionimit. E para, trajtojini armët si të jenë të mbushura. Çdo veprim me armë kryhet nën mbikëqyrjen dhe komandën e instruktorit, asnjë situatë apo veprim tjetër nuk merret i mirëqenë, por për çdo paqartësi kërkohet sqarim. Së dyti, mos e drejtoni armën në asnjë drejtim ku nuk ke qëllim të qëllosh. Në ambientet e poligonit, arma drejtohet vetëm në drejtim të sigurt të treguar më parë nga instruktori.

Arma ndalohet rreptësisht të drejtohet jashtë këtij drejtimi. Së treti, mbajeni gishtin jashtë këmbëzës së shkrepjes deri në momentin kur të jesh gati për qëllim. Së katërti, identifikoni qartë objektivin dhe sqarohuni çfarë ka përreth tij.
Por jo çdo njeri mund të ketë akses në poligon. Askush që nuk ka mbushur 18 vjeç nuk mund të hyjë në poligon. Regjistrimi dhe plotësimi i deklaratës mbi njohjen e rregullave të sigurisë është i panegocieshëm. Ndalohet hyrja e atyre që janë nën efektin e pijeve alkoolike, lëndëve narkotike dhe psikotrope. Ndalohet përdorimi i poligonit për personat që shfaqin shenja të çrregullimit mendor. Në hapësirën e poligonit ku zhvillohet aktiviteti me armët nuk lejohet konsumimi i pijeve, ushqimit apo duhanit.

Intervistë me Vasion Qilla, drejtues teknik pranë Military System Supply Company

“Blerja e armëve, biznesi kontingjent që ka interes”

Blerja e një arme me leje duket se ende nuk është kthyer në një normalitet shqiptar. Ka nga ata që nuk e dinë që mund të blejnë një të tillë, nëse plotësojnë kushtet, ashtu siç ka edhe nga ata që kanë shfaqur interes që në fillimet e hyrjes në fuqi. Vasion Qilla, drejtues teknik pranë Military System Supply Company, shprehet se ka interes, sidomos nga komuniteti i biznesit, por edhe nga individët. Gjithsesi, në finale ata që arrijnë të kalojnë filtrat për të marrë një autorizim janë të paktë.

Në një intervistë për “Monitor”, ai shprehet se interesi më i madh ishte në dy vitet e para, ndërkohë që këtë vit është disi më i ulët. “Duhet pasur parasysh se ky është një aktivitet që funksionon kudo në botë dhe nuk duhet paragjykuar. Gjasat që të ndodhë diçka me një armë me leje janë shumë të vogla, për të mos thënë afër zeros, sepse personat trajnohen sesi duhet ta trajtojnë dhe përdorin armën”, – nënvizon ai.

Si paraqitet interesi nga ana e qytetarëve për të pasur një armë duke qenë se kemi një ligj që përcakton se mund të ketë dhe armëmbajtje me leje?

Interesi ka qenë i lartë, sidomos gjatë viteve 2015-2016 kur ishte dhe fillimi dhe kur kishte një lloj kurioziteti lidhur me këtë pjesë. Këtë e them nga përvoja ime, pranë kompanive që kanë si pjesë të tyre edhe këtë lloj aktiviteti. Viti 2017, duke qenë se është i treti nga hyrja në fuqi e ligjit “Për armët”, ka sërish interes, por në raport me dy vitet e mëparshme është disi më i ulët.

Cilët janë ata që e kanë plotësuar dokumentacionin apo kanë shfaqur interes për të blerë armë, vetëm qytetarët apo edhe bizneset?

Pas miratimit të ligjit, të parat, që patën një dyndje për të blerë armë, ishin shoqëritë e sigurimit fizik në vend, sepse më parë ato nuk lejoheshin të mbanin armë. Gjithsesi, siç e përcakton ligji, armë mund të blejë çdo person mbi 25 vjeç që plotëson një seri kriteresh që sanksionon ligji dhe për të cilën ka marrë autorizim nga Policia e Shtetit. Përveç personave në institucione specifike si porte, persona në sistemin e drejtësisë, apo bashkëpunëtorë të ngushtë të policisë, që mund t’ju kanoset jeta për shkak të punës së tyre, interes ka pasur edhe nga bizneset.

Kur thoni biznese, i referoheni ndonjë sektori të veçantë apo në tërësi?

Jo, jo, interesi është i përgjithshëm, nga të gjithë sektorët. Ka qenë ndoshta komuniteti i biznesit ai që ka shfaqur interesin më dinamik në fillim, duke plotësuar edhe dokumentacionin për pajisjen me autorizimin për blerje arme në vendbanim. Nuk duhet të harrojmë që autorizimi për armën jepet gjithmonë për në vendbanim dhe vetëm në raste shumë specifike, por kjo është shumë e rrallë, arma mund të jepet në lëvizje. Më lejoni të theksoj se arma, në rastet kur jepet për në vendbanim, mund të lëvizet vetëm në dy raste dhe kjo gjithmonë duke vënë në dijeni policinë. Rasti i parë është kur arma ka nevojë për mirëmbajte pra për shërbime të mirëmbajtjes, dhe rasti i dytë kur kjo armë merret për t’u praktikuar në poligon.

Çfarë çmimi ka përgjithësisht një pistoletë?

Nuk di të flas për shumicën, por ajo që kemi ne, marka Glock, varion nga 1 mijë deri në 1.5 mijë euro. Ka një tendencë që ashtu siç ndodh me makinat apo celularët, edhe tek armët shqiptarët kërkojnë më të mirën brenda modelit. Por duhet të kemi parasysh pastaj që markat janë të ndryshme dhe secili bën zgjedhjen që i duket se është më e mirë.

Duke rritur numrin e armëve në qarkullim a rrezikojmë kështu që të rrisim rrezikun për incidente apo aspektin kriminal?

Nuk duhet parë në këtë aspekt. E para, dhënia e një autorizimi për mbajtje arme kalon në një sërë procedurash që ulin dukshëm numrin e atyre që mund ta marrin, por edhe ata që e marrin bëhen më të përgjegjshëm, pra kanë vetëkontrollin, pasi dinë pasojat që vijnë në rastin e përdorimit të saj. Kur bëhet trajnimi për dhënien e certifikatës së aftësimit, personave ju përcaktohet qartë se arma nuk jepet për t’u përdorur, por theksi vihet tek pasojat që ka përdorimi i saj, por edhe në rast se përdoret, të përcaktohet mirë sesi mund të përdoret për të minimizuar pasojat. Nga të dhënat, precedentët e përdorimit të armëve me leje janë shumë të ulëta, për të thënë që nuk ka fare.

A ka interes nga ana e femrave për të pasur një armë?

Interes ka, janë kureshtare për të ditur si përdoret por nuk është se duan ta kenë një armë të tyren. Përgjithësisht vijnë në poligon, duke e parë si një formë sporti. Më së shumti janë meshkujt ata që kërkojnë autorizim dhe blejnë një armë, pasi kalojnë gjithë procedurat e nevojshme.

Si ka ndikuar moratoriumi i gjuetisë tek armët e gjahut. A ka rënë shitja e tyre?

Ajo pjesë me logjikë është ndalur, pra ka mbetur në vend. Askush që e sheh gjuetinë si sport nuk ka arsye të blejë një armë, nëse nuk e përdor atë.

Po për armët e ftohta ka interes, për shembull thikat?

Ato janë disi më specifike dhe blerës janë vetëm individë shumë të rrallë që i blejnë për arsye koleksioni.

Cilat janë hapat për pajisjen me armë të personave fizikë?

Hapi i parë është pajisja me dëshmi të aftësimit teorik dhe praktik për përdorimin e armës pranë qendrës së trajnimit. Hapi i dytë është dorëzimi i dokumentacionit në komisariatin ku aplikanti ka vendbanimin pranë zyrave të shërbimit të qytetarëve. Dokumentacioni i aplikantit që kërkon pajisje me armë të kategorisë “B1” dhe “B4” kalon në Drejtorinë e Përgjithshëm të Policisë. Për armët e kategorive “C” dhe “D” komisioni ngrihet në Drejtorinë e Policisë së Qarkut/Rajonit. Pas firmosjes së autorizimit për blerje arme nga Drejtori i Policisë, autorizimi shkon në njësinë policore, ku është bërë kërkesa për t’ju dorëzuar personit. Hapi i tretë është blerja e armës ku pas pajisjes me autorizim, personi paraqitet në dyqan, bën blerjen dhe brenda 5 ditëve duhet të paraqitet në komisariatin ku ka vendbanimin për të bërë regjistrimin e armës.

Intervistë me administratorin e Rogat Security, Begator Mane

“Procedurat janë të ngadalta, armët me leje nuk e rrisin kriminalitetin”

Kosova, ashtu si ne, përcakton me ligj mundësinë e marrjes së një autorizimi për blerje arme me leje, por procedurat i ka më të shpejta. Tek ne, për shkak të volumit të punës dhe filtrave ku kalon një procedurë, koha e marrjes së autorizimit është relativisht e gjatë. Të paktën kështu konstaton administratori i Rogat Security, Begator Mane. Sipas tij, armët me leje nuk kanë ndonjë ndikim te kriminaliteti, sepse personat që arrijnë të marrin këtë autorizim janë të vetëdijshëm për pasojat dhe kanë tendencën e vetëkontrollit. Statistikat tregojnë se armët me leje, rrallëherë bëhen pjesë e precedentëve të pakëndshëm.

Nga viti 2014 është miratuar një ligj “Për armët”? Si paraqitet interesi i shqiptarëve për të pasur një armë me leje?

Duhet thënë se ka interes për të marrë një armë, por kjo nuk është në masë të gjerë, pra jo çdo shqiptar kërkon të ketë një armë në shtëpi. Nuk është se i kemi edhe shumë qejf armët, sidomos pas shijes që ka lënë e shkuara, i referohem këtu asaj që ndodhi në vitin 1997. Gjithsesi, ashtu si çdo treg, edhe ky ka kërkesën e vet dhe personat që interesohen ta kenë një armë me leje nuk mungojnë.

Për kompaninë tuaj, si paraqitet kërkesa në këto vite që ligji është në fuqi?

Ka qenë me një ecuri të mirë gjatë viteve 2015 dhe 2016, por ka ruajtur të njëjtin trend dhe në vitin 2017. Të parët sigurisht që janë shoqëritë e sigurimit fizik, por ka edhe nga biznesi apo individë që për një arsye apo një tjetër mund ta marrin një armë me leje.

Po interesi nga biznesi si ka qenë?

Ka pasur interes nga të gjithë, por ajo që vihet re është se ka ecuri të ngadaltë në përpunimin e dokumentacionit nga sektori civil. Ndoshta kjo lidhet me volumin e punës së tyre apo edhe faktin që ne procedurat i kemi ende me letër, por zakonisht zgjat më shumë sesa përcaktohet në ligj. Kosova, për shembull, i ka shumë më të shpejta procedurat, sepse aplikimet dhe ndjekjen i ka online, duke lehtësuar kështu burokracitë. Ndoshta kjo është një pjesë që duhet të shihet.

Çfarë markash preferojnë shqiptarët dhe cilat janë çmimet ku luhaten ato?

Ne kemi disa marka që u ofrojmë, mes të cilave HS, Glock apo Sig Sauer. Shumica e tyre është mbi 1 mijë euro.

A ndikon rritja e numrit të atyre që kanë një armë në situatën e krimit në vend?

Në fakt, nga armët që jepen me leje, pothuajse nuk ka ngjarje të regjistruara, sepse personat që i marrin janë më të përgjegjshëm për atë që mund të ndodhë më pas, sepse arma është e regjistruar dhe dihet tek kush bie pasoja më pas. Gjithsesi këtu ndikon edhe diçka tjetër, e cila ka të bëjë me faktin që autorizimi jepet vetëm për në banesë, pra individi që e ka nuk mund të dalë me armë. Kjo sigurisht që është pozitive.

A ka femra që interesohen për armë?

Ka edhe femra, por kjo është në numër shumë të paktë. Tek ne mund të kenë blerë 3-4 femra, por kontingjenti që i ble janë meshkujt. Në poligone, si mënyrë argëtimi apo sporti, femrat janë në numër të konsiderueshëm.

Intervistë me Gëzim Demiraj, drejtor juridik pranë Pelikani Security

“Moratoriumi i qeverisë ‘ngrin’ shitjet për armët e gjahut, s’ka interes”

Tre vite më parë u miratua një ligj që lidhet me armët dhe që mes të tjerave, autorizon edhe armëmbajtjen me leje? Kjo i hap rrugë, edhe biznesit të tregtimit të armëve. Sa i plotë është ky ligj dhe a garanton të gjitha sitat e kontrollit për ata që duan të blejnë një armë?

Në vitin 2014, hyri në fuqi ligji nr. 74 “Për armët”, si dhe aktet e tjera nënligjore që normalizojnë gjithë veprimtarinë e përdorimit të armëve. Sa u përket kritereve që ka ky ligj, vendosen disa të tilla që janë të homologuara me vendet europiane. Janë të njëjtat kritere, pasi Shqipëria është pjesë e një aktmarrëveshje ndërkombëtare. Këto janë dokumente, të cilat normalizojnë gjithë aftësitë që duhet të ketë një shtetas shqiptar për të blerë një armë.

Janë kritere që lidhen me arsimin me dëshminë e personalitetit që, sipas akteve nënligjore merret direkt nga Policia e Shtetit. Vërtetimi i personalitetit me ligj duhet të merret brenda 15 ditësh, por për shkak të ngarkesës që ka në administratë, kjo shkon deri në 30 ditë. Ne s’kemi precedent mbi 30 ditë. Kurse për të marrë autorizimin është në dorë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Në bazë të ligjit, autorizimi merret për në banesë dhe nuk ka asnjë kriter tjetër, vetëm në raste shumë të rralla. Nëse personi që e merr është i ekspozuar ndaj rrezikut të krimit dhe këtë duhet ta faktojë me vendim gjykate që i jepet me vete. Ligji saktëson që autorizimi jepet për armë në banesë.

Vërtetimi i besueshmërisë është pastaj një procedurë që ka mbetur nga aktet e mëparshme, e cila fillon sipas Kodit Civil me marrjen e të dhënave për fisin. Palët e interesit që janë certifikuar kanë kërkuar që vërtetimi i personalitetit të jetë vetëm për personin që e merr dhe jo të rrethit miqësor, sepse veprimi është individual dhe jo i marrëdhënies fisnore. Kjo është duke u shqyrtuar nga Drejtoria e Policisë në dijeninë time, por që vendimi i mbetet asaj. Kjo bëhet për të shkurtuar burokracitë.

Si ka qenë interesi i qytetarëve apo bizneseve për të blerë një armë?

Në efekt të ligjit, por edhe nga reklamat e subjekteve, qytetarët janë të njohur me çfarë duhet dhe se pasoja është individuale. Pra, secili është i njohur që po ta blejë këtë armë, do të ketë pasoja, në rast përdorimi të saj. Është një urdhër i ministrit që është shfuqizuar, por që pritet të hyjë sërish në fuqi një tjetër urdhër, i cili mirëpërcakton kriteret dhe aftësimin e personave në përdorimin e armës. Pra, kushdo që kërkon të marrë një armë nuk mund ta marrë atë, nëse nuk merr licencën që konfirmon se ai ka ndjekur këtë kurs. Është një kurs 5-ditor dhe merr dëshminë e aftësisë pas praktikës në poligon.
Lidhur me interesin mendoj se është kthyer në një interes sportiv dhe janë grupe të ndryshme. Është një trend. Shoh që femrat janë më të pasionuara, por për praktikë. Është diçka që të jep adrenalinë, kurse për ta pasur një armë me leje, vjen më shumë nga rrethi i biznesit.

Ka precedentë të atyre që janë pajisur me autorizim dhe që mund të jenë përfshirë në ngjarje të ndryshme?

Me praktikën time 25 vjet si avokat, në mënyrën më absolute nuk ndodh ose më saktë janë raste shumë të rralla. Kjo vjen edhe për shkak se në Shqipëri, precedentët kanë treguar se të në kaluarën, armët mund të gjendeshin, ndoshta dhe gjenden, jashtë kanaleve të autorizuara për tregtim. Por po të kesh një armë, që ta mbash sipas kritereve ligjore, sipas kushteve që përcakton ligji, pra në kasafortë, nuk ka asnjë të keqe. Më shumë interes për këtë ka pjesa e biznesit, të cilët qarkullojnë vlera monetare.

Si paraqitet situata me shitjet në vitin 2017 nga të dhënat që keni?

Vazhdon të ruajë trendin e nisur në vitin 2015. Ne e shohim tek pjesa jonë, pasi kemi ekskluzivitetin e Beretta Holding. Më shumë merremi me furnizimin e organeve që i lejon ligji. Ministria e Brendshme, ajo e Mbrojtjes dhe shoqëritë e tjera që i lejon ligji. Ka dhe individë të tjerë që, pasi plotësojnë kushtet, shohin dhe zgjedhin armën që duan apo që bëjnë praktikën. Çmimet variojnë nga 800 mijë deri 1.4 milionë lekë të paktën tek ajo që specifikova, që bëhet fjalë për Beretta-n.

Po moratoriumi i gjuetisë si ka ndikuar në biznesin tuaj?

Për sa i përket problemit të ndalimit të gjuetisë në kuadër të moratoriumit, dimë që Shoqata e Gjuetarëve ka bërë një kërkesë për rishikim tek Kryeministri dhe në dijeninë time po shqyrtohet. Por duhet pasur parasysh që kemi dy anë të medaljes në këtë aspekt. Për shoqëritë që janë të autorizuara të shesin armët e gjahut, efekti është negativ tek pjesa tregtare, kurse ana tjetër është impakti në mjedis që, padyshim, duhet të jetë pozitiv. Kjo ishte dhe arsyeja e kësaj nisme. Unë nuk jam për ndalim të plotë të gjuetisë, por sigurisht që ky aktivitet duhet të rregullohet. Vendet e tjera e kanë një aktivitet argëtues apo sportiv dhe gjithçka funksionon me regjistrim e formularë, kurse tek ne ende ka probleme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco